Av. Idajet Beqiri:“Serbët” e Tiranës përdhosin rëndë emrin e Ibrahim Rugovës

488
Sigal

Vendimi administrativ për heqjen e emrit të rrugës «Heronjtë e 4 Shkurtit» është i pavlefshëm

Vite më parë, domethënë në vitin 1997, kur ende ishte gjallë satrapi nazist i Ballkanit, Sllobodan Milosheviçi, në një mbledhje të Parlamentit të Serbisë, radikali serb Sheshel i ka kërkuar llogari të drejtpërdrejtë atij se kujt ia kishte dhënë 17 milionë dollarë në Shqipëri.

Krimineli i luftës Milosheviç, i cili vdiq në Gjyqin e Hagës, ju përgjigj: «Shikoni si është katandisur Shqipëria, si është djegur, si është shkatërruar e si po vriten çdo ditë me njëri-tjetrin. Me ato 17 milionë dollarë arritëm që Shqipërinë mund ta pushtojmë kur të duam, vetëm me shoqatën e gjuetarëve të Serbisë… !»

Pikërisht këta «serbë» të Tiranës, një pjesë e mirë e të cilëve kanë mbaruar edhe fakultetin e gjuhësisë shqipe në Beograd, kanë vite e vite me radhë që janë ulur këmbëkryq në kryeqytetin tonë. Ata studiojnë terrenin tonë, përpunojnë strategji e taktika veprimi antishqiptare, mbajnë ndezur «urat e zjarrit», të cilat i futin si pa gjë të keq mes nesh, për të mbajtur të pranishëm në çdo çast mosmarrëveshjet e rënda ndërshqiptare. Pikërisht këta «serb» të Tiranës, bëhen përherë përpunues të opinioneve kobzeza, helmojnë me to jetën normale të popullit, sigurinë dhe qetësinë e tij,  por mbi të gjitha i bëjnë inekzistente institucionet e shtetit, ua kundërvënë ato qytetarëve, duke i kthyer në dy kampe kundërshtare, që luftojnë për jeta a vdekje mes njëri-tjetrit. Dhe kështu një komb i tërë, një popull 7 milionë banorë në Ballkan, siç janë shqiptarët, jo vetëm që kanë mbetur në një tranzicion të përjetshëm, por janë kthyer në një plasdarmë lufte e konfliktesh, me një numër të konsiderueshëm viktimash të përditshme, të cilat nuk dihen pse vriten, kush i vret dhe përse i vrasin!

Shqiptarët kanë mendimet dhe vlerësimet e tyre për Ibrahim Rugovën. Si çdo figurë politike, publike dhe intelektuale, ai ka pluset dhe minuset e veta. Nga anon pesha e kandarit, nga e mira apo nga e keqja, këtë gjë do e bëjnë mirë dhe me dinjitet gjakftohtët e historisë së ardhshme të kombit shqiptar të mbrothësuar, të cilët do të jenë shumë larg nga “tifozët” e sotëm, të cilët për ironi të fatit, akumulator të vetëm që u japin “energji” kanë vetëm dashakeqët e Shqipërisë. Personalisht kam patur dhe kam rezervat e mija të mëdha jo të mira për këtë   figurë, dhe u jam bashkuar zërave të fuqishme të luftëtarëve të lirisë në të gjitha hapësirat shqiptare të pasviteve 1995, të cilat shkurt dhe prerë perifrazoheshin në thënien proverbiale të asaj kohe “Ihshalla, Shalla, nuk zgjat shumë!”

Në kuadrin e «prodhimit në seri» të skenarëve ogurzinj për t’i mbajtur shqiptarët të ngërdheshur në konfliktin e rëndë me vetveten, «serbët» e Tiranës, me ndihmën e disa pinjollëve të pandreqshëm të kolaboracionistëve nazifashist, të cilët duan të justifikojnë veprën e turpshme të paraardhësve të tyre, si bashkëpunëtor të nazifashizmit, kundër interesave të popullit dhe të vendit të tyre, iniciuan «nismën» për të përdhosur rëndë e më rëndë imazhin e Ibrahim Rugovës.  Rrugës “Dëshmorët e 4 Shkurtit”,  përmes një akti administrativ absolutisht të pavlefshëm, i hoqën emrin dhe ia vendosën “Ibrahim Rugova”!

Me këtë veprim, nga njëra anë, zbrazën helmin e urrejtjes kundër pjesës më fisnike të shqiptarizmit, atyre që e bënë dhe e fituan luftën e lavdishme antifashiste nacional-çlirimtare, si dhe pasardhësve të tyre të nderuar, dhe nga ana tjetër, vazhdojnë ta mbajnë të ndezur zjarrin e urrejtjes dhe të hakmarrjes primitive mes shqiptarëve.

Veprimi është cinik dhe narcist. Autorët e këtij akti të paprecedent, aq të pakufishme e kanë mllefosjen, sa nuk treguan së paku një reflektim minimal për pasojat që do të linte ky veprim makabër. Në 4 Shkurt 1944, në Tiranë, është bërë një ndër masakrat më të përgjakshme, që kanë kryer nazistët gjermanë dhe bashkëpunëtorët e tyre. Kjo masakër është e shënuar si e tillë në memorien e të gjithë popujve të botës, sepse është e fiksuar si një ndër krimet shumë të rënda që kanë kryer nazistët dhe kolaboracionistët ndaj një populli të pafajshëm dhe ndaj një numri të konsiderueshëm antifashistësh. Këtë masakër e bënë Gestapua naziste gjermane së bashku me Xhafer Deva, ministër i Brendshëm i nazistëve, Kadri Cakrani, komandant i forcave të Ballit Kombëtar,etj. Këta kriminel të Luftës së Dytë Botërore, natën e 4 shkurtit, me lista në duar u futën nëpër shtëpitë e qytetarëve të Tiranës, rrëmbyen djem e vajza, i nxorën në rrugë dhe i pushkatuan. Ishte një akt i mirëfilltë terrorist dhe krim i pastër lufte, sepse u veprua mbarë, vriteshin edhe njerëz të rastësishëm në rrugë. Jo vetëm kaq, por pasi u vranë plotë 84 qytetarë dhe antifashistë të Tiranës, për të terrorizuar popullin, i  gjymtuan edhe të vdekur, duke u nxjerrë sytë, duke u prerë gjymtyrët dhe  pastaj disa i hodhën nëpër kanale, të tjerët i lanë në mesin e bulevardit. Në këtë 4 shkurt të zi 1944 rruga e Tiranës, që quhej “Dëshmorët e 4 shkurtit” u mbushën me gjak të paparë. Një kasaphanë e vërtetë. Mbi 450 të rinj e burra të tjerë u arrestuan, u hipën në makinat e nazistëve dhe u dërguan në kampe internimi, Në datën 5 shkurt 1944 Komanda e Xhandarmërisë së Xhafer Devës, në raportin e saj për ngjarjen thoshte: “Forcat e Xhandarmërisë, së bashku me forcat e Regjimentit “Kosova”  dhe me vullnetarët e Ballit Kombëtar, këtë natë kanë bastisur 230 shtëpi, ku kanë arrestuar 478 persona të dyshimtë dhe nga këta 84 më të rrezikshmit i kanë pushkatuar. Nga të 84 të pushkatuarit rezulton se 67 janë shqiptarë, 9 italianë, 4 malazezë, 2 maqedonas, 1 grek (minoritar) dhe 1 çifut. Viktimat kanë qenë nga Tirana 29 dhe 37 nga rrethet Fier, Korçë, Durrës, Shkodër, Vlorë e Dibër” (AQSH, Fondi 1230, dosja Nr.134). Në përkujtim të këtij akti barbar që kryen nazistët dhe kolaboracionisti Xhafer Deva me kallëpet e tij antishqiptar, në përkujtim të 84 dëshmorëve të masakruar në këtë natë të zezë të 4 shkurtit 1944, një vit më vonë në 1945 kësaj rruge  iu vu emri “Dëshmorët e 4 Shkurtit”. Plotë 68 vjet me radhë qëndroi i pa prekur emërtimi i kësaj rruge. Atdhetarët e kryeqytetit, organizatat e veteranëve të luftës antifashiste, të dëshmorëve të kombit si dhe të afërm pasardhës të 84 dëshmorëve të kësaj masakre nazisto-kolaboracioniste, në çdo 4 shkurt bënin peligrinazhe në këtë rrugë, vendosnin lule dhe kujtonin se sa gjak u desh të derdhet prej bijve dhe bijave shqiptarë, për të shporrur nga vatrat e atdheut tonë nazifashistët dhe bashkëpunëtorët e tyre shqipfolës të turpit dhe të krimit. Mirëpo për të përmbushur “skenarin e zi” të përdhosjes së luftës së drejtë botërore antifashiste nacional-çlirimtare që bënë shqiptarët, për të përligjur këtë akt barbar të kriminelët e luftës, të cilët e ideuan dhe e realizuan këtë masakër të pashembullt të Luftës së Dytë Botërore, në datën 28 dhjetor 2011, me propozim të Kryebashkiakut Lulzim Basha, (ky ishte propozimi i parë i Lulzim Ballës pasi mori drejtimin e Bashkisë së Kryeqytetit!), Këshilli Bashkiak i Tiranës, pasi bëri shumicën e votave edhe me LSI, ia hoqi emrin “4 shkurti” kësaj rruge dhe i vendosi emrin “Ibrahim Rugova”.

Ky akt i paprecedent u bë në një kohë që kishte një rrugë tjetër, në Njësinë Bashkiake Nr.7, Tiranë, me emrin “Ibrahim Rugova”. Dhe nuk është as ligjore, as normale që brenda një qyteti, të ketë dy rrugë me të njejtin emër! Pasardhësit dhe përkrahësit e kolaboracionistëve, naziskin të rinj domosdo, e bënë këtë akt të vetëdijshëm se Ibrahim Rugova është nipi i Xhaferr Devës, kriminelit të luftës që e bëri masakrën e 4 Shkurtit 1944.

Ky akt i Këshillit Bashkiak të Tiranës është i dënueshëm ligjërisht, i pa moralshëm, por edhe absolutisht i pavlefshëm në pikëpamjen ligjore, si rrjedhojë nuk sjell asnjë pasojë juridike. Kjo do të thotë se ky emër nuk mund të vendoset në këtë rrugë për shkak se vjen në kundërshtim flagrant me Kodin e Procedurave Administrative, me ligjin për Statusit e Dëshmorit të Atdheut, me ligjin për organizimin dhe funksionimin e qeverisjes vendore, me ligjin për sistemin e adresave si dhe mbi të gjitha me parimin kushtetues të sigurisë juridike.

Këshilli Bashkiak nuk bënë riemërtime rrugësh, por bënë vetëm emërtimin e rrugëve që nuk kanë emër. Para se të bëhej ky akt, duhej diskutuar gjerë me grupet e interesit, ndryshe arbitrariteti i përdorur ka krijuar një problematik serioze konfliktuale mes qytetarëve të Tiranës dhe të zgjedhurve të tyre që shpërdoruan pushtetin dhe nëpërkëmbën ligjin.

Mbi të gjitha, nuk mund t’i hiqet dot emri një rruge, një institucioni, një sheshi etj, pa u shfuqizuar më parë akti administrativ i mëparshëm që ka bërë emërtimin e tyre. Ndryshe do të kishim të bënim me një palo shtet bashibozukësh, që nuk kanë asnjë haber nga shteti ligjor dhe nga parimi universal botëror i sigurisë juridike. Pa shfuqizuar më parë vendimin e ish-komitetit Ekzekutiv të Tiranës të vitit 1945, i cili në bazë të ligjit të kohës ka bërë emërtimin e rrugës “Dëshmorët e 4 shkurtit”, nuk mundet të marrësh pas 68 vjetësh një akt tjetër administrativ për ta dubluar të parin! “Serbët” e Tiranës nuk duan t’ia dinë as për ligj, as për moral, as për komb e atdhe. Ata e dinë fort mirë që kjo rrugë, ashtu sikurse puna me “lekun e ri” dhe “lekun e vjetër”, që ka plotë 55 vjet që shqiptarët nuk harrojnë dhe i bëjnë hesapet vetëm me lekun e“vjetër”, nuk do thirret kurrë “Ibrahim Rugova”! Do thirret dhe do përkujtohet ngjarja si rruga “Dëshmorët e 4 shkurtit”. E rëndësishme për ta është përdhosja e emrit të Ibrahim Rugovës, e mbi të gjitha mbajtja në stanjacion e klimës së urrejtjes në këtë vend, çuniteti ynë, sepse vetëm me këto mjete përligjet dobësia jonë dhe “forca” e millosheviçjanëve me shoqatën e tyre të gjuetisë!