Skënder Gjinushi:Ndërkombëtarët e pandërgjegjshëm dhe mandati i skaduar i Kushtetueses

504
Sigal

INTERVISTA/Skënder Gjinushi, Kryetari i PSD-së: “Shqipëria nuk ka rend Kushtetues. Gjykata Kushtetuese është pa mandat”

Reagimi i parë i opozitës nga vendimi i Kuvendit nr. 2/2013, datë 31.01.2013 për ndarjen e mandateve erdhi nga ish-Kryetari i Kuvendit dhe Kryetari i PSD-së, Prof. Dr. Skënder Gjinushi, i cili deklaroi se, nuk njeh rezultatet zgjedhore të ndarjes së mandateve nga Kuvendi. Reagimi më i fundit nga PS-ja është ankimimi i saj në Gjykatën Kushtetuese. Prof. Dr. Skënder Gjinushi, në intervistën ekskluzive për “Telegraf” është diametrikisht kundër me këtë veprim politik të PS-së. Prof. Gjinushi thotë se, “nuk mund të ankimohesh në Gjykatën Kushtetuese, e cila për veten e saj është pa mandat, pa legjitimitet, për të kërkuar legjitimitetin e ndarjes së mandateve”. Madje, Kryetari i PSD-së dhe një nga aleatët tradicionalë të PS-së, ka tjetër zgjidhje, krejtësisht radikale,  e krahasuar me veprimin e PS-së, që zgjodhi ankimimin në Gjykatën Kushtetuese. Prof. Gjinushi, për herë të parë, i pohon “Telegraf” se: “Opozita duhet të bëjë ndarjen e saj të re të mandateve, në bazë të numrit të popullsisë të 2012-s dhe të shkojë në zgjedhje me ndarjen e saj, sikurse shkon edhe PD-ja, me ndarjen e saj antikushtetuese”. Prof. Gjinushi e justifikon kështu këtë qëndrim të tij. “Të paktën ky qëndrim do të jetë kushtetues, paçka se nuk është ligjor!”

– Zoti Gjinushi, ju ishit të parët që thatë se, nuk i njihni rezultatet zgjedhore të ndarjes së mandateve nga Kuvendi. PS-ja, më së fundi ankimoi në Gjykatën Kushtetuese  këtë vendim të Kuvendit. Shpresoni, tashmë, një zgjidhje kushtetuese për ndarjen e mandateve?

– E para, ndarja e mandateve nuk është bërë. PD-ja ka bërë një veprim dëshpërues, pra ka nxjerrë një vendim Kuvendi që nuk i vlen kurrkujt, nuk sjell pasoja për kurrkënd dhe nuk e njeh kurrkush. Qëndrimi i PSD-së është që nuk kemi pse merremi fare me këtë vendim të shumicës, që është totalisht i pabazuar në ligj dhe totalisht antikushtetues. Kuvendi nuk ka kompetencë të bëjë ndarje  mandatesh . Aq më keq, të lërë “në fuqi” ndarjen e mandateve të para 4 vjetëve, e cila ka vdekur për vete, me zgjedhjet e mëparshme.

– Në kësi rastesh, cila duhet të jetë zgjidhja për opozitën?

– E thënë ndryshe, opozita duhet të shpallë vetë ndarjen e mandateve. Meqë ata e bëjnë në mënyrë të njëanshme, edhe ne kemi të drejtë ta bëjmë në mënyrë të njëanshme. Dhe ndarjen e re ta bëjmë në bazë të regjistrimit më të fundit të popullsisë. Të paktën kjo është kushtetuese, ligjore nuk është ende. Pra, ka dy ndarje mandatesh. Një arbitrar të PD-së dhe një tjetër, që është konform detyrimit ligjor, domethënë Kodit Zgjedhor dhe  Kushtetutës së Shqipërisë. Dhe ky duhet të jetë qëndrimi i opozitës. Opozitës nuk e detyron kurrkush, që të merret me vendimet arbitrare të PD-së. Shumica kuvendore ka po aq legjitimitet në ndarjen e mandateve, sa ka edhe Këshilli Kombëtar i PD-së, sa ka qeveria. Mund ta merrte edhe vetë qeveria vendimin për ndarjen e mandateve, është kaq arbitrar dhe opozita nuk ka pse të shkojë më pas këtyre veprimeve, pas  budallait. Kjo është deklarata ime.  Nuk kam thënë, që nuk njoh rezultat zgjedhor.

Atëherë, ku është kundërshtia juaj?

– Por rezultati i  zgjedhjeve të 23 Qershorit të 2013-s, legjitimohet vetëm mbi llogaritjen e ndarjen e re të mandateve. Prandaj, nuk nxjerr dot rezultat, sepse nuk ka rezultat të ligjshëm. I ligjshëm, është vetëm rezultati i llogaritur mbi ndarjen e re, të cilin duhet ta shpallim ne, në mënyrë të njëanshme, siç e shpalli edhe PD-ja, anti-ligjorin, në mënyrë të njëanshme.

– Si do veni ju në zgjedhje, me  një ndarje tjetër  tuajën  të mandateve?

Nuk vendos Kuvendi ndarjen e mandateve. Ku ka kompetencë Kuvendi të ndajë mandatet?  Nuk ka! Pikë! Ku është e shkruar kjo që Kuvendi të ndajë mandatet?  Asgjëkund! Vetëm një budalla ankohet për një veprim arbitrar, e aq më tepër një opozitë. Këtu Kuvendi nuk ka asnjë kompetencë, për pasojë, vendimet e Kuvendit, në tërësi,  janë pa ndonjë efekt mbi të tretët. Nuk nxjerr vendime Kuvendi. Kuvendi nxjerr ligje. Për ligjet, ke të drejtën të ankimosh, kur nuk je dakord për shkak të kushtetutshmërisë. Vendimet e Kuvendit janë vendime të brendshme dhe kur shumica merr vendime  të njëanshme, si ky, i bën qejfin vetvetes. Shumica e ka humbur toruan dhe pikë! Të tillë vendim nuk ke se si e ankimon. Çfarë të ankimosh në Gjykatën Kushtetuese? Nuk pyetet Gjykata Kushtetuese, a ka të drejtë Kuvendi të ndajë mandatet e deputetëve, pa vendim të KQZ-së? Në Kod Zgjedhor është e shkruar qartë. “Kuvendi shqyrton propozimin e KQZ-së”. Nuk ka propozim të KQZ-së, Kuvendi, paskëtaj, bën vetëm arbitrarizma, i bën qejfin Saliut, si shumicë. Pra, nuk ke çfarë çon në Gjykatën Kushtetuese. Dhe, të “çosh” këtë vendim të Kuvendit në Gjykatën Kushtetuese, në njëfarë mënyre, e legjitimon. Kushtetuta jonë shkruan qartë. Kuvendi flet vetëm me ligje, nuk flet me vendime. Dhe tjetra. Unë nuk e di se kujt gjykate i drejtohen për ankimimin e ndarjes të mandateve? Gjykata Kushtetuese është për vete pa mandat. Gjykata Kushtetuese ka tre vjet që e ka humbur legjitimitetin, sepse 1/3 e  gjyqtarëve të saj janë pa mandat. Rrjedhimisht, nuk ka Gjykatë Kushtetuese. Kështu që Gjykata Kushtetuese nuk di legjitimitetin e saj, si do gjykojë për legjitimitetin e mandateve? Shqipëria, përfundimisht, në saj të faktit që për pak,  do të ishte në Europë, por se ç’na  i mungojnë nja 2 ligje, nuk ka rend kushtetues. Me Rregullore të Kuvendit të njëanshme, që është baza e demokracisë, pra, antikushtetuese, përndryshe. Kemi Gjykatë Kushtetuese, antikushtetuese. Përpiqen që të bëjnë ndarje të mandateve për deputetë në mënyrë antikushtetuese. Presidenti u zgjodh në mënyrë antikushtetuese, shkarkohet Prokurorja e Përgjithshme në shkelje të hapur me çdo normë  Kushtetuese dhe nuk ndihet njeri. Kemi pushtet lokal, të numëruar me vota në mënyrë totalisht antikushtetuese. Dhe çdo gjë është antikushtetuese. Të vetmet gjëra që janë “ ligjore” në Shqipëri, janë  vrasjet e 21 janarit dhe  masakrat e Gërdecit. Këto  “janë” konform  Kushtetutës  dhe  ligjit.

– Sipas jush, opozita të bëjë ndarjen e re të mandateve?

– Po nuk është bërë ndarja e re e mandateve. Ata thonë vetë që ato janë  bërë që në 2009-n. Opozita ka gjithë të drejtën të kërkojë ndarje të re të mandateve. Prandaj, opozita duhet të thotë, kjo është ndarja e re dhe kaq! Dhe të thotë: Ne njohim vetëm këtë ndarje të mandateve që është konform Kodit Zgjedhor.

Sipas jush, përse ndërkombëtarët  heshtin për shkeljen e Kodit Zgjedhor në ndarjen e mandateve, ku që në pikënisje rrëzohet mirëbesimi i procesit zgjedhor, ndërkohë ata bëjnë apel për zgjedhje të lira dhe të ndershme?

– Fjala ndërkombëtar është shumë e gjerë. Ka institucione ndërkombëtare. Ka edhe individë. Ka edhe individë të pandërgjegjshëm.

– Faleminderit!

Bledar Çuçi, bashkëhartuesi i Reformës Zgjedhore, për “Telegraf”

“Nga ana procedurale, Kuvendi shqyrtoi vendimin e KQZ-së të 2009-s. PS-ja ankimohet për dy arsye. Për shkelje të procedurës dhe atë materiale. . Pikërisht, PS-ja ankimohet në Gjykatën Kushtetuese, për shkelje të procedurës, sepse është   shkelje e  Kodit Zgjedhor,  vendimi që mori Kuvendi për ndarjen e mandateve në bazë të vendimit të KQZ-së të 2009-s. Për shkelje nga ana materiale, kjo ndarje e mandateve nga Kuvendi cenon fuqinë e barabartë të votës, e cila përbën parimin themelor të barazisë së votës, e përcaktuar në Kushtetutën tonë dhe në Komisionin e Venecias. E dimë që 1/3 e gjyqtarëve të  Gjykatës Kushtetuese nuk kanë  mandat, kjo është problem, por tani për tani, ne nuk kemi tjetër zgjidhje.”