Mehmetaj: LSI-ja depoziton në Kuvend pr/ligjin për Vullnetarizmin

472
Lëvizja Socialiste për Integrim ka depozituar në Kuvend këtë të mërkurë, Ligjin për Vullnetarizmin. Në një dalje për media deputetja e LSI-së Kejti Mehmetaj tha se hartimi i këtij ligji ka qenë një ndër pikat kryesore të programit të LSI-së për rininë.
“Puna për hartimin e këtij ligi ka nisur dy vite më parë. Të rinjtë e LSI-së kanë punuar për 2 vite me konsultime të shumta me shoqërinë civile, duke e shoqëruar edhe me mjaft aksione vullnetare në terren,” tha deputetja Mehmetaj. Sipas saj një ndër shtysat kryesore për hartimin e këtij ligji është përfitimi që sjell vullnetarizmi në shoqëri në aspektin social si dhe demokratizimin e shoqërisë, pasi do të shërbejë si urë lidhëse ndërmjet institucioneve qëndrore e lokale me shoqërinë. Depozitimi i këtij ligji tha Mehmetaj do të nxisë debate popullore jo vetëm mbi vullnetarizmin.
Ky ligj përcakton parimet kryesore si dhe kushtet dhe kriteret për kryerjen e punës vullnetare në Republikën e Shqipërisë.
Neni 2
Qëllimi
Ky ligj synon rregullimin ligjor të punës vullnetare me qëllim rritjen e pjesëmarrjes së individëve në jetën sociale për përmirësimin e cilësisë së jetës në komunitet si dhe zhvillimin e vlerave të solidaritetit njerëzor.
Neni 3
Fusha e zbatimit
1. Ky ligj zbatohet për të githë subjektet që kryejnë dhe/apo përfitojnë punë vullnetare në Republikën e Shqipërisë.
2. Ky ligj nuk zbatohet për:
a) kryerjen e punëve ose shërbimeve që një person është i detyruar t’i kryejë për një person tjetër sipas legjislacionit në fuqi dhe që nuk janë objekt i këtij ligji;
b) kryerjen e punëve ose shërbimeve që janë të zakonshme në familje, shoqëri apo në marrëdhëniet e fqinjësisë;
c) dhurimin e gjakut;
ç) realizimin e detyrimeve të caktuara me vendim gjykate të formës së prerë.
Neni 4
Puna vullnetare
1. Puna vullnetare është investimi me vullnet të lirë i kohës, njohurive dhe aftësive për kryerjen e aktiviteteve ose shërbimeve nga vullnetari, në dobi të ofruesit dhe/apo përfituesit të punës vullnetare.
2. Puna vullnetare kryhet pa pagesë, pa kompensim ose ndonjë përfitim tjetër material, përveç rasteve kur ky ligj parashikon ndryshe.
Neni 5
Vullnetari
1. Vullnetar , në kuptim të këtij ligji është:
a) çdo person fizik vendas ose i huaj që gëzon zotësi të plotë për të vepruar sipas legjislacionit në fuqi;
b) çdo person me aftësi të kufizuara, i cili mund të kryejë punë vullnetare në përputhje me aftësitë he zhvillimin e tij fizik e mendor;
c) çdo i mitur i moshës 15 deri 18 vjeç, sipas përcaktimeve të nenit 6 të këtij ligji.
Neni 6
Vullnetari i mitur
1. Vullnetari i mitur mund të lidhë kontratë të punës vullnetare vetëm me pëlqimin me shkrim të prindit ose përfaqësuesit të tij ligjor.
2. Rregullat e përcaktuara në legjislacionin në fuqi për marrëdhëniet e punës, të cilat trajtojnë mbrojtjen e një punëmarrësi të mitur, do të zbatohen edhe për mbrojtjen e vullnetarit të mitur.
Neni 7
Vullnetari i huaj
Vullnetari, i cili nuk është shtetas shqiptar, ka të drejtë të kryejë punë vullnetare në territorin e Republikës së Shqipërisë, me kusht që të jetë i pajisur me leje qëndrimi të përkohshme ose të përhershme të lëshuar në përputhje me legjislacionin në fuqi për të huajt.
Neni 8
Shtetasi shqiptar që kryen punë vullnetare jashtë vendit
Shtetasi shqiptar mund të kryejë punë vullnetare jashtë territorit të Republikës së shqiperisë, në përputhje me aktet ndërkombëtare dhe rregullat e përcaktuara në legjislacionin e vendit ku do të kryhet puna vullnetare. 
Neni 9
Ofruesi i punës vullnetare
1. Ofrues i punës vullnetare mund të jetë një organ publik, bashkësi fetare ose organizatë jofitimprurëse.
2. Ofrues i punës vullnetare mund të jetë edhe një person juridik vendas ose i huaj, i cili në ofrimin e punës vullnetare në përputhje me këtë ligj, nuk synon veprimtari fitimprurëse.
Neni 10
Përfituesi i punës vullnetare
1. Përfituesi i punës vullnetare mund të jetë një person fizik ose juridik, vendas ose i huaj.
2. Përfituesi i punës vullnetare mund të jetë në të njëjtën kohë edhe ofrues i punës vullnetare.
Neni 11
Kohëzgjatja e punës vullnetare
1. Kohëzgjatja ditore e punës vullnetare është jo më shumë se 5 orë në ditë.
2. Kohëzgjatja javore e punës vullnetare është jo më shumë se 25 orë në javë.
Neni 12
Ndalimi i diskriminimit
Nalohet çdo lloj diskriminimi i bërë ndaj vullnetarit gjatë kohëzgjatjes së punës punës vullnetare.
KREU II
KONTRATA E PUNËS VULLNETARE
Neni 13
Kontrata e punës vullnetare
1. Kontrata e punës vullnetare përcakton të drejtat dhe detyrimet e vullnetarit dhe ofruesit të punës vullnetare dhe kushtet e kriteret e nevojshme për kryerjen e shërbimeve vullnetare.
2. Kontrata e punës vullnetare lidhet në formë të shkruar ndërmjet vullnetarit dhe ofruesit të punës vullnetare.
Neni 14
Përmbajtja e kontratës
1.Kontrata e punës vullnetare përmban:
a) identitetin, vendbanimin ose vendqëndrimin e vullnetarit ose prindit/përfaqëuesit ligjor për vullnetarin e mitur;
b) numrin personal të identifikimit të vullnetarit ose prindit/përfaqëuesit ligjor për vullnetarin e mitur;
c) identitetin dhe adresën e ofruesit të punës vullnetare;
d) numrin personal të identifikimit të ofruesit të punës vullnetare;
e) identitetin dhe adresën e përfituesit të punës vullnetare;
f) kohëzgjatjen dhe vendin e kryerjes së punës vullnetare;
g) përshkrimin e punës vullnetare që do të kryhet;
h) të drejtat dhe detyrimet e palëve;
i) shkaqet dhe mënyrën e zgidhjes së kontratës;
j) të dhënat për shpenzimet që kanë të bëjnë me kryerjen e punës vullnetare dhe mënyrën e kompensimit të tyre.
2. Kontrata mbi punën vullnetare mund të përmbajë dhe elemente të tjerë për të cilat palët bien dakord për të specifikuar kushtet në të cilat do të kryhet puna, në përputhje me këtë ligj.
Neni 15
Efektet e kontratës
1. Me lidhjen e kontratës së punës vullnetare, të drejtat që kanë lindur nga papunësia nuk humbasin.
2. Kontratat e punës vullnetare, që lidhen me qëllim shmangien e lidhjes së një kotrate pune janë të pavefshme.
Neni 16
Përfundimi i kontratës
1. Kontrata e punës vullnetare përfundon:
a) kur mbaron periudha për të cilën është lidhur kontrata;
b) kur vullnetari bëhet i paaftë për të kryer punën vullnetare;
c) me marrëveshje ndërmjet palëve;
ç) me zgjidhje të njëanshme të kontratës.
Neni 17
Zgjidhja në mënyrë të njëanshme e kontratës
1. Vullnetari ose ofruesi i punës vullnetare, mund të zgjidhin në çdo kohë, në mënyrë të njëanshme kontratën e punës vullnetare, për shkaqe të justifikuara.
2. Ofruesi i punës vullnetare mund të zgjidhë kontratën para afatit të mbarimit të saj, kur:
a) nuk ka më nevojë për punë vullnetare;
b) nuk është në gjendje për të siguruar kushtet e nevojshme për kryerjen e punës vullnetare;
c) vërteton se vullnetari nuk përmbush detyrimet e kontratës.
3. Vullnetari mund të zgjidhe kontratën para mbarimit të afatit të saj, kur:
a) nuk është më i aftë për të kryer punën vullnetare objekt kontrate;
b) nuk ka më vullnet për të kryer punën vullnetaren objekt kontrate;
c) ofruesi i punës vullnetare nuk përmbush detyrimet e kontratës.
4. Kur zgjidhja e kontratës, sipas përcaktimit të pikës 3, shkronja b të këtij neni, sjell pasoja të rënda për vazhdimësinë e punës së ofruesit të punës vullnetare ose sjell pasoja të rënda mbi palët e treta, vullnetari është i detyruar të vazhdojë marrëdhënien kontraktuale deri në përfundimin e afatit të saj.
5. Zgjidhja e njëanshme e kontratës, në çdo rast, bëhet me shkrim. Pala, e cila kërkon zgjidhjen e kontratës, i dërgon njoftimin me shkrim palës tjetër 10 ditë përpara datës së kërkuar për zgjidhjen e kontratës.
KREU III
TË DREJTAT DHE PËRGJEGJËSITË E VULLNETAREVE DHE OFRUESIT TË PUNËS VULLNETARE
Neni 18
Të drejtat e vullnetarit
1. Vullnetari ka të drejtë:
a) të njihet me përshkrimin e punës vullnetare që do të kryejë;
b) të informohet për kushtet e punës dhe rreziqet që lidhen me punën që do të kryejë;
c) të kërkojë marrjen e masave të sigurisë teknike gjatë kryerjes së punës;
ç) të informohet nga ofruesi i punës vullnetare për rregullat e përgjithshme të punës dhe rregullat e etikës së vullnetarit;
d) të trajnohet, nëse është e nevojshme, në përputhje me natyrën e punës që do të kryejë;
dh) të pajiset me Librezë Vullnetari;
e) të mungojë në kryerjen e punës vullnetare ditore në raste se ka shkaqe të arsyeshme dhe të provueshme si: sëmundje, etj.
f) të përfitojë pushime midis orëve të punës vullnetare, në varësi të llojit të punës vullnetare që kryen;
g) të kërkojë mbrojtjen e të dhënave personale.
2. Koha e mungesës së justifikuar e përcaktuar në pikën 1, shkronja “e” e këtij neni, llogaritet në kohëzgjatjen e kontratës së punës vullnetare dhe nuk mund të jetë arsye për humbjen e të drejtave të vullnetarit të përcaktuara në këtë kontratë.
3. Vullnetari ka të drejtë të mos zbatojë udhëzimet e ofruesit të punës vullnetare nëse:
a) udhëzimet përbëjnë rrezik real për jetën, shëndetin, dhe integritetin fizik të tij;
b) udhëzimet janë në shkelje të legjislacionit në fuqi ose përcaktimeve të kontratës së punës vullnetare.
Neni 19
Përgjegjësitë e vullnetarit
1.Vullnetari ka këto përgjegjësi:
a) të kryejë punë vullnetare në përputhje me kontratën e punës vullnetare;
b) të ofrojë shërbimin personalisht dhe drejtpërdrejt, në përputhje me standardet dhe etikën profesionale, kur ofrimi i shërbimeve kërkon aftësitë profesionale;
c) të marrë pjesë në trajnime për të përmirësuar cilësinë e punës;
ç) të respektojë integritetin, misionin dhe objektivat e ofruesit të punës vullnetare.
d) të ruajë sekretin profesional me të cilin njihet për shkak të natyrës së punës që kryen;
dh) të informojë me shkrim ofruesin e punës vullnetare për çdo rrezik ose dëm real që mund t’i vijë atij vetë, ofruesit apo palëve të treta, të cilin e konstaton gjatë kryerjes së punës vullnetare;
e) të informojë paraprakisht ofruesin e punës vullnetare në rast sëmundje ose gjendjeje tjetër që e pengon atë në kryerjen e punës vullnetare.
Neni 20
Përgjegjësitë e ofruesit të punës vullnetare
1. Ofruesi i punës vullnetare ka për detyrë:
a)të ofrojë punën vullnetare në bazë të kushteve dhe detyrimeve të kontratës së punës vullnetare; b) të sigurojë kushtet dhe mjetet e nevojshme për kryerjen e punës vullnetare;
c) të lëshojë një vërtetim me shkrim me të dhëna për punën vullnetare të kryer nga vullnetari;
ç) të plotësojë Librezën e Vullnetarit;
d) të ruajë konfidencialitetin e të dhënave personale të vullnetarit;
dh) t’i sigurojë vullnetarit pagesën e shpenzimeve të nevojshme për kryerjen e punës vullnetare si shpenzime trasporti, shpenzime trajnimi, shpenzime ushqimi, si dhe çdo shpenzim tjetër që përcaktohet në kotratën e punës vullnetare.
2.Ofruesi i punës vullnetare të mbajë një regjistër për kontratat e punës vullnetare dhe të njoftojë Agjencinë Shqiptare të Punësimit brenda një periudhe prej 10 ditëve nga data e përfundimit të kontratës së punës vullnetare. Forma dhe përmbajtja e këtij regjistri përcaktohet me urdhër të ministrit përgjegjës për çështjet e punësimit.
Neni 21
Sigurimi i shëndetit për vullnetarin
1. Ofruesi i punës vullnetare detyrohet të sigurojë vullnetarin në rast të aksidenteve apo sëmundjeve që gjatë kohëzgjatjes së kontratës së punës vullnetare, kur këto lidhen në mënyrë të drejtpërdrejtë me punën e kryer vullnetare. 
2. Ofruesi i punës vullnetare është i detyruar t’i japë vullnetarit një kopje të policës së sigurimit të shëndetit dhe aksidenteve, brenda 3 ditëve nga firmosja e kontratës së punës vullnetare.
Neni 22
Shpërblimi për dëmet
1.Vullnetari përgjigjet ndaj ofruesit të punës vullnetare, nëse shkakton dëme gjatë kryerjes së punës vullnetare, me dashje ose nga pakujdesia.
2.Vullnetari përgjigjet ndaj palës së tretë përfshirë edhe një përfitues të punës vullnetare, për dëmet e shkaktuara gjatë kryerjes së punës vullnetare, me dashje ose nga pakujdesia, përveç rasteve kur vullnetari ka vepruar në mirëbesim, sipas udhëzimeve të ofruesit të punës vullnetare.
3. Vullnetari shkarkohet nga përgjegjësia për dëmin e shkaktuar gjatë kryerjes së punës vullnetare, në rast se ka informuar ofruesin e punës vullnetare, sipas përcaktimeve të nenit 19, shkronja “dh” të këtij ligji.
3.Ofruesi i punës vullnetare përgjigjet për dëmet e shkaktuara vullnetarit gjatë ose në lidhje me kryerjen e punës vullnetare, kur këto kanë ardhur si rezultat i mospërmbushjes prej tij të detyrimeve të kontratës së punës vullnetare.
4. Kërkimi i dëmit, në çdo rast, bëhet në bazë të legjislacionit në fuqi për kërkimin e dëmit.
KREU IV
REGJISTRIMI DHE MONITORIMI I PUNËS VULLNETARE
Neni 23
Këshilli i Ministrave
1. Këshilli i Ministrave miraton strategjinë kombëtare dhe planin e veprimit për vullnetarizmin dhe solidaritetin shoqëror.
Neni 24
Autoriteti përgjegjës
Autoriteti përgjegjës për monitorimin e zbatimit të këtij ligji është ministria përgjegjëse për çështjet e punës.
Neni 25
Agjencia Shqiptare e Punësimit
1. Agjencia Shqiptare e Punësimit mban bazën e të dhënave të ofruesve të punës vullnetare dhe vullnetarëve, të bazuara në të dhënat e ofruara nga ofruesit e punës vullnetare.
2. Agjencia Shqiptare e Punësimit bën plotësimin e librezës për punën vullnetare, në rastin e vullnetarit shqiptar që kryen punë vullnetare jashtë Shqipërisë, pasi të ketë vlerësuar vërtetësinë e vërtetimeve apo certifikatave që dorëzon vullnetari.
Neni 26
Libreza e Vullnetarit
1. Çdo vullnetar pajiset me Librezën e Vullnetarit nga Agjencia Shqiptare e Punësimit.
2. Forma dhe përmbajtja e Librezës së vullnetarit përcaktohet me urdhër të ministrit përgjegjës për çështjet e punësimit.
Neni 27
Kodi i Etikës së Vullnetarit
Kodi i Etikës së Vullnetarit miratohet nga Këshilli i Ministrave, me propozim të ministrit përgjegjës për çështjet e punësimit.
Neni 28
Inspektimi
Inspektorati që mbulon çështjet e punës siguron kontrollin për zbatimin e përcaktimeve të këtij ligji, në çdo rast të kryerjes së një punë vullnetare.
KREU VI
DISPOZITA KALIMTARE DHE TË FUNDIT
Neni 29
Aktet nënligjore
1. Ngarkohet Këshilli i Ministrave që të nxjerrë aktet nënligjore në zbatim të nenit 26 , brenda 6 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji.
2. Ngarkohet ministri përgjegjës për çështjet e punësimit të nxjerrë aktet nënligjore në zbatim të pikës 2, të nenit 20 brenda 6 muajve nga hyrja në fuqi e ligjit.
Neni 30
Hyrja në fuqi
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.
K R Y E T A R I
ILIR META
Sigal