Manipulimi i zgjedhjeve, alarmoi BE-në dhe SHBA-të

434
Sigal

Qasja e alternativave dhe e programeve politike nga palët politike kalon në planin e dytë të strategjisë të fitores

Megjithëse fushata elektorale në Shqipëri ka filluar para kohe, megjithëse të përditshme janë fjalimet elektorale, pakkush mendon se votuesit do të votojnë në saj të bindjeve që do të formojnë nga qasja e programeve elektorale. Ndaj, partitë e mëdha politike hartojnë strategjinë e fitimit të votuesve në ditën e votimit.  “Nuk ka rëndësi kush voton, rëndësi ka kush numëron”. Ndaj, edhe gjithë administrata zgjedhore, duke filluar që nga KQZ-ja, KZAZ, etj., janë ndërtuar në mënyrë ta atillë, që partitë politike t’i kontrollojnë ato, nëpërmjet komisionerëve militantë. Secila parti do të mundohet që paraprakisht të kontrollojë, të diktojë te votuesit, se ku do ta hedhë  fletën e votimit.

Skema e votimit të PD-së

Ardhja ditët e fundit e ministrit të Jashtëm gjerman Ëerserëelle dhe e zëvendës ndihmës sekretarin e shtetit të SHBA-ve, Reeker,  në Tiranë dhe apeli i tyre ndaj Berishës për zgjedhje me standarde, ka bërë që  në  PD të   mendojnë të mos përdoren më ato mënyra brutale të manipulimit të votave, sikurse ndodhën në 1996-n.  Fakti që vetë PD-ja, përveç punës së saj elektorale, derdhjes së fondeve, inaugurimeve, punësimit edhe me marrëveshje kohëshkurtër, për arsye elektorale, do të përdorë edhe metoda më të sofistikuara të sigurimit të votës, për atë pjesë të elektoratit që është i djathtë, por është i pavendosur, qoftë të votojë sërish PD-në,  qoftë edhe të  shkojë në votime. Kryesore, do të jetë kontrolli i votimit përmes komisionerëve në qendrat e votimit, por edhe përpara futjes për të votuar. Njëri nga anëtarët e komisionit do të tregohet “i kujdesshëm” për të mbajtur shënim numrat serial të blloqeve të votimit. Kjo pasi ata që “kanë dhënë fjalën” për të votuar për PD-në, do të futen në qendra në grup. Metoda tjetër e përdorur më herët, do të jetë ajo e transportimit me mjete falas të personave nga banesat e tyre drejt qendrave të votimit. Nënkuptohet se ata janë kontingjent i PD-së, por që nuk janë shumë të vendosur për të vajtur në votime.

Taktika që do të përdorë PS-ja në 23 Qershor

Përveç sigurimit të votës, nëpërmjet fletëvotimit të dhënë paraprakisht jashtë,  PS-ja po përgatit skemën e saj për zgjedhjet. Në ato zona elektorale që i konsideron “bastione”, PS-ja do të bëjë thjesht monitorim me komisionerë, të ngjashëm me metodën e PD-së. Në zonat rurale, do të tentohet “shpërblimi” për votën e dhënë, e cila do të konsiderohet si pagesë për “dite punë”. Para qendrave të votimit, do të qëndrojnë “njerëz të ngarkuar” për të realizuar këtë proces, të cilët “do të lusin” votuesit e pavendosur, nëse duan “të punësohen” për një ditë. Por, që tani, PS-ja ka filluar edhe joshjen e votuesve, sidomos me premtimet për punësim, në rast se do të vijë në pushtet, ku paraprakisht, u kërkon votimin e tyre në favor të saj.

Edhe LSI-ja harton planin e saj operativ të ditës së zgjedhjeve

LSI-ja ka qenë ajo forcë politike që është goditur më shumë, në zgjedhjet e kaluara, për shkak të mungesës së komisionerëve të saj në qendrat e votimit. Por, kësaj here, duke qenë se LSI-ja ka komisionerët e vet, do të zbatojë atë mënyrë që kanë zbatuar dy forcat e mëdha, të sigurimit  paraprak të fletës së votimit. Përmes komisionerëve të saj në qendrat e votimit, “do të gjendet” mënyra që të nxirren jashtë disa fletë votimi të paplotësuara. Kundrejt një shpërblimi të caktuar, ata që pranojnë të votojnë përLSI-në, do të marrin fletën e plotësuar që jashtë qendrës, do të votojnë përLSI-në dhe do të nxjerrin jashtë fletën e tyre të paplotësuar. Sikurse pohojnë për “Telegraf” disa ish- komisionerë, që nuk duan të identifikohen, por që kanë qenë përfaqësues të partive të mëdha, nga PD, PS dheLSI mund të realizohet në heshtje, në mënyrë të barabartë e fletëve të votimit “pa zot”, për ato subjekte jo shumë të rëndësishme dhe që nuk kanë komisionerë në qendra votimi e numërimi. Kjo skemë, siç na thonë vetë ish-komisionerët, duke patur përvojën e tyre,  do të realizohet në kompromis disapalësh dhe përmes procesit të korruptimit të vëzhguesve të subjekteve politike. Të gjitha partitë PD, PS dheLSI kanë si target të tyre dy subjekte për këtë skemë: AK-në dhe FRD-në, të cilat mendohet se mund të marrin edhe më shumë vota në zgjedhjet e 23 Qershorit.