Dashamir Shehi, Kryetar i LZHK-së: “Gjykoj që vendimi i gjykatës për 21 Janarin, sikur nuk qëndron në këmbë”

432
Sigal

INTERVISTA/“Klima politike është më shumë një luftë gjelash, mungojnë idetë dhe alternativat”

Fushata elektorale po acarohet nga një konfliktualitet pa përmbajtje të  problemeve politike dhe asnjë palë politike nuk debaton, duke dhënë alternativa. Ndaj, Dashamir Shehi, një nga politikanët më konsekuentë të bindjeve të djathta, në intervistën për “Telegraf” thotë se, kjo klimë politike i ngjan një lufte gjelash. Ndërsa, për polin e tretë, zoti Shehi thotë se, nuk mund të ketë pol, por grupim të tretë, dhe ky do të jetë bashkim elektoral, jo ideologjik e politik. Ndërsa partitë e reja, AK dhe FRD janë riciklim i personazheve dhe jo plotësim i boshllëkut politik. Sipas zotit Shehi, duhet shoqëria civile të plotësojë boshllëkun politik.

– Zoti Shehi, në 23 Qershor, shqiptarët me çfarë kriteri do të votojnë? Në bazë të bindjeve politike, apo alternativave që qasin partitë?

– Unë shpresoj, që derisa të vijë dita e votimit, të jenë shpalosë disa programe. Por, unë kam frikë, se shqiptarët do të votojnë me tifozllëk, sikurse kanë bërë deri tani. Programet e idetë do të dalin në plan të dytë. Do të ndodh kjo, se shqiptarët do të votojnë sipas kapacitetit që kanë partitë për të shpërndarë flamuj, për të bërë mitingje, për të bërë zhurmë, sesa për të dhënë ide. Unë sot nuk shikoj ndonjë konfrontim për çështjet e shtetit, për çështjet e qeverisjes, për çështjet e ekonomisë. Po të vazhdojmë kështu, zgjedhjet do të jenë një garë flamujsh e komisionerësh.

Deri tani, nga palët politike shikojmë më shumë konfliktualitet, që s’ka të bëjë me alternativat elektorale. Përse ndodh kjo?

Sepse klima politike që është në Shqipëri nuk është një klimë e ndërtuar mbi bindjet, idetë, alternativat midis së djathtës dhe të majtës. Është më shumë një luftë gjelash, grupesh politike, me interes ekonomik. Unë nuk shikoj asnjë program elektoral partish, që t’i dalë ballas qytetarëve e t’u thotë: “ Ne do bëjmë këto 4 gjëra, sepse këto 3 gjëra deri më sot janë bërë gabim”. Rezultati, pak a shumë do të jetë siç ka qenë edhe më parë, në këto 22 vjet.

– Palët politike, kanë alternativa, apo qëllimi është marrja me çdo kusht e pushtetit, ndaj janë futur në këtë garë konfliktualiteti pa përmbajtje?

P.sh, LZHK-ja e ka alternativën dhe programin e vet, mirëpo është një zë i vockël, një zë i dobët në këtë zhurmë të madhe midis grupeve të mëdha politike, që bëjnë zhurmë shumë më tepër se sa programe të qarta. Por do të jetë zgjuarsia e shqiptarëve që të dinë të  përzgjedhin si alternativa, jo vetëm grupet e   mëdha, por edhe brenda grupeve, të dinë  të përzgjedhin se cilët i thonë 5 fjalë ndryshe nga të tjerët.

Meqë flitet shumë për një pol të tretë politik, sipas jush, çfarë alternativë mund të ofrojë në këtë fushatë zgjedhore?

Të shohim, po unë nuk e di nëse do të bëhet një pol i tretë. E dyta, cilët do të jenë brenda këtij poli? Dhe, së fundi, nuk ka pol të tretë. Këta nuk dinë edhe të shprehen dhe nga ana figurative, polet janë gjithnjë 2. Mund të ketë një grup tjetër, alternativë politikë, që mund të quhet ai grupim i tretë. Por unë shoh që bashkimi do të jetë për efekte elektorale dhe jo për efekte ideologjike e politike. Sepse, në atë grupim të tretë po mblidhen ca që janë edhe majtas, edhe djathtas. Nga kjo pikëpamje, kjo nuk përfaqëson ndonjë alternativë, sikurse në Europë, që janë grupe të baraslarguara politikisht nga e majta dhe nga e djathta. P.sh, në Itali, një grupim i tretë sot është zoti Monti, i cili nuk ka qejf të majtën, sigurisht edhe të djathtën. Tani te ky pol i tretë që thoni ju, janë copëza, të cilat nga ana pragmatizmi, elektoral, puqen, duke u shkëputë nga ato ku ishin më përpara, nga e majta dhe e djathta. Për të maksimalizuar votën, nga ana pragmatiste, unë e shikoj pozitive.

Besueshmëria politike është në nivelet më të ulëta. Kjo do të thotë që kemi boshllëk politik, ku partitë aktuale nuk e plotësojnë spektrin e përfaqësimit të elektoratit?

– Besueshmëria është e ulët, sepse politika në këto 22 vjet nuk ka krijuar një model të saj efiçent. Gjithnjë ka mbizotëruar ideja për të qëndruar dhe marrë pushtetin, sesa një mundësi që t’u ofrojë shqiptarëve zgjedhje e zgjidhje demokratike. Kësisoj, politika shqiptarë është konsumuar. Alternativa të reja, nuk ka. Kështu, që në njëfarë mënyre, ky është boshllëku politik. Dhe, kjo, pastaj, do të reflektohet në numrin e vogël të votuesve, ku mund të arrijë të 50 % i votuesve në zgjedhje.

– Ç’do të thotë për politikën kjo pjesëmarrje e ulët?

– Kjo dëshmon që 50 % tjetër i shqiptarëve nuk beson më se hallet e tyre mund t’i zgjidhë kjo politikë e deritanishme, pa dallim.

Atëherë, këtë boshllëk politik, a mund ta mbushin krijimi i partive të reja, sikurse është AK-ja dhe FRD-ja?

– Unë gjykoj se partitë e reja që kanë dalë në skenë, janë riciklim i njëjtëve personazhe, të njëjtat ide, të cilët i kishin edhe kur ishin pjesë e partive të vjetra. Dhe unë nuk gjykoj, se duke u shkëputur një copë e re nga partia e vjetër, del ndonjë ide e re. Unë mendoj që boshllëkun politik duhet ta mbushin strukturat e tjera, sikurse është shoqëria civile, sikurse media e emancipuar. Sindikatat, d.m.th, struktura ekstra-politike, ku në të gjithë botën ekzistojnë, e sidomos kur ka krizë politike, futen këto, që krijojnë besueshmëri. Fatkeqësisht, në Shqipëri nuk i kemi. Kur themi parti të reja, lëviz ajo pjesë e politikës, e cila ka lëvizë në këto 22 vjet, pa sjellë substancë të re politike.

– Ju si e gjykoni vendimin e gjykatës për 21 Janarin?

– Unë gjykoj që ky gjyq do të vazhdojë dhe do të vijë koha që ky gjyq të çlirohet edhe nga presioni moral, edhe politik të çështjes dhe gjykoj se ky lloj vendimi sikur nuk qëndron në këmbë. Këtu ka faj nga të gjitha palët. Ajo demonstratë ka qenë e dhunshme, siç pretendon qeveria. Dhe, duket nga pamjet. Këtu ka edhe një mungesë totale të seriozitetit nga strukturat e policisë së shtetit. Nuk është e nevoja që të vriten sot njerëzit në bulevard, në 2011-n, kur ka gaz lotsjellës, kur ka hidratë, kur ka mburoje, kur ka plumba  gome, kur shteti ka njëmijë masa të tjera mbrojtëse, përpara se të mbërrijë te plumbat e vërtetë.  Kjo tregon se strukturat e këtij shteti janë të dobëta, nuk janë profesionale dhe ata agravuan një situatë, ku ajo mund të ishte një demonstratë, nuk kishte pse të ishte e dhunshme. Demonstrata ishte goxha e madhe, pa patur nevojën që të përdorej dhuna me gurë.

– Politikanët, sillen me mosbesim ndaj institucioneve ngaqë institucionet janë të pabesueshme, apo politikanët janë të pabesueshëm?

– Mosbesimi është reciprok. Sepse edhe institucionet kanë buruar nga ky sistem  politik dhe, si të tilla, mbartin gjithnjë vulën e interesave politike të grupeve politike që drejtojnë Shqipërinë. Institucionet tona janë të dobëta. Nuk them nga ligjet, se ligjet i kemi europiane, por mentaliteti i politikës është i tillë që do që të kundërshtohen institucionet. Ne nuk kemi dalë akoma nga dhuna partiake. Nuk ka rëndësi, majtas apo djathtas. Çdo parti që vjen në pushtet, kërkon të kontrollojë institucionet. Prandaj, institucionet tek ne janë ndërtuar të dobëta. Dhe duke qenë të dobëta, natyrisht, përulen përpara politikës, përpara interesave politike dhe nuk kryejnë funksionin e tyre kushtetues. Politikanët  kanë buruar nga ky popull, nga defektet që ka, nga mentaliteti i tij dhe mbartin gjitha pamaturinë e  kësaj periudhe tranzitore, historinë tragjike të diktaturës, edhe mungesën e një tradite demokratike të shtetit shqiptar. Ndaj është shumë vështirë të jetë e lirë një shoqëri, sikurse shoqëria shqiptare. Politikisht, e kam fjalën. Liria brenda rregullave institucionale, brenda traditës demokratike unë e gjykoj që nuk ka ardhur akoma për Shqipërinë.

– Për Memon amerikane drejtuar politikës shqiptare?

– Nuk duhet të gjykojmë mbi diçka që (akoma) nuk e dimë. Qëndrimi i amerikanëve është kritik ndaj kësaj maxhorance…

– Me të drejtë, apo, pa të drejtë?

– Me të drejtë. Ndaj politikanët duhet të reflektojnë, për të mirën e këtij populli, sa nuk është vonë për vetë ata.

-Faleminderit!