Prokurori i Përgjithshëm të hetojë prokurorët që nuk kanë mbrojtur shqiptarët nga CEZ-i

465
Sigal

Drejtësia duhet të ulë në bankat e të akuzuarit drejtuesit e ERE-s, KESH-it dhe OST-së

Qeveria shqiptare u detyrua nga presioni i madh i protestave të shqiptarëve, që t’i hiqte CEZ-it licencën, për shkak të vjedhjeve, abuzimeve dhe mashtrimeve sistematike që bënte ndaj konsumatorëve të energjisë elektrike. Mirëpo, deri dje ankesat e qytetarëve shqiptarë ndaj këtyre vjedhjeve që CEZ-i u bënte, nuk ishin marrë në konsideratë nga asnjë gjykatë në Shqipëri, duke dëshmuar, mbi të gjitha,  lidhjet nepotike të vetë qeveritarëve me CEZ-in.  Sikurse thotë avokat Altin Goxhaj, për “Telegraf”, zhdukja e sistemit EBILL në faqen online të CEZ është referenca se si CEZ vepron në mënyrë të paligjshme dhe të organizuar kundër konsumatorëve. Edhe pse qytetarët kishin vite që ankoheshin ndaj vjedhjeve, abuzimeve e mashtrimeve të CEZ-it, organet e prokurorisë kurrë, në tërë këto vite të ushtrimit të aktivitetit të CEZ-it në Shqipëri nuk morën parasysh asnjë ankesë, kurrë prokuroria nuk u interesua që të hetojë asnjë vjedhje  të CEZ-it, ndaj shqiptarëve. Përkundrazi, kishte edhe raste që prokuroria  favorizonte hapur CEZ-in, duke ngritur padi penale ndaj  qytetarëve, të cilët protestonin kundër vjedhjeve dhe ndërprerjes sistematike të dritave nga CEZ-i. Prokuroria e kishte detyrim ligjor që të reagonte dhe të vepronte penalisht ndaj CEZ-it edhe në rastet kur CEZ-i ndërpriste energjinë elektrike në mënyrë masive dhe të vazhdueshme në zona të tëra të popullsisë. Prokuroria e Tiranës, bën me dije se ka urdhëruar Njësitë e Task-Force që të hetojë abuzimet e kompanisë CEZ. Pyetja ngrihet: Përse tani që CEZ-i iku, prokuroria fillon të hetojë? Çdo të thotë, që prokuroria do të hetojë tani? Kur vetë shteti u detyrua t’i heqë licencën, pikërisht, për vjedhjet dhe abuzimet e mashtrimet që CEZ-i bënte ndaj shqiptarëve! A flinte prokuroria, kur CEZ-i vidhte shqiptarët? Apo prokuroria heshtte, sepse detyrohej, apo kishte edhe ajo lidhje nepotike me CEZ-in? Prokuroria, duhet t’u thotë shqiptarëve, në radhë të parë, përse deri tani ka heshtur dhe nuk ka ngritur padi penale ndaj CEZ-it! A kishte dijeni prokuroria edhe për abuzimet e panumërta të CEZ-it, në lidhje me kontratat që lidhte CEZ-i me kompani të tjera për mbledhjen e borxheve? Prokuroria, vetë pranon që kishte dijeni që në 2009-n për të tilla abuzime. Atëherë, përse tani dhe jo më parë prokuroria nuk reagoi në bazë të detyrimit ligjor ndaj CEZ-it? A nuk ka përgjegjësi penale vetë prokuroria që ka heshtur deri tani, duke lënë konsumatorët shqiptarë në mëshirë të vjedhjeve dhe abuzimeve të CEZ-it për 4 vite me radhë? Përse prokuroria nuk kishte bllokuar llogaritë bankare të CEZ-it, si një masë sigurie për çdo vendim gjyqësor që mund të ndërmerret këtej e tutje? Kryeprokurori Llalla duhet të largojë pa hezitim të gjithë ata prokurorë që ishin përgjegjës për të hetuar vjedhjet e CEZ-it, mirëpo kanë heshtur deri tani.

CEZ-i vazhdon vjedhjen e mbifaturimeve

Edhe pse kontrolli i CEZ-it ka kaluar në administrimin shtetëror, sërish konsumatorët ankohen për mbifaturime. Drejtori ekzekutiv i ZMK-së, Altin Goxhaj, i pyetur nga “Telegraf” pohoi se, konsumatorët vazhdojnë ankimet e denoncimet për mbifaturimin e energjisë elektrike. Ndaj, Prokuroria duhet të shtrijë hetimet e saj edhe për mbifaturimet e CEZ-it të Sahit Dollapit, i cili si drejtori i UKT-së, ishte i pamëshirshëm ndaj konsumatorëve, duke i penalizuar me mbifaturime të faturave mujore për përdorimin e ujit. Përse prokuroria nuk heton edhe vazhdimësinë e vjedhjeve dhe abuzimeve të CEZ-it, me administrator Dollapin, edhe në post CEZ-in e çekëve? Prokuroria e Përgjithshme,  duke urdhëruar Prokurorinë e Tiranës të fillojë hetimet për vjedhjet e abuzimet e CEZ-it çek, dhe duke mos filluar hetimet edhe për vazhdimësinë e vjedhjeve të CEZ-it të administruar nga Dollapi, dëshmon papërgjegjshmërinë në kryerjen e detyrës dhe një qëndrim selektiv ligjor. Prokuroria e Përgjithshme përse nuk urdhëron të gjitha prokuroritë e qarqeve që të hetojnë të gjitha vjedhjet, abuzimet e CEZ-it në vazhdimësi dhe një për një, për të dëshmuar transparencën e saj? Prokuroria, duke  hetuar në mënyrë selektive, kërkon që të gënjejë shqiptarët, duke mbyllur kapitullin e vjedhjeve, abuzimeve dhe mashtrimeve të CEZ-it çek, por edhe të Sahit Dollapit, sot.

Nuk do të ketë drejtësi, që kërkojnë qytetarët për vjedhjet, abuzimet e mashtrimet  që u ka bërë CEZ-i, në qoftë se Prokuroria nuk ul në bankën e të akuzuarve edhe drejtorët e ERE-s, KESH-it dhe OST-së, të cilët kanë favorizuar CEZ-in gjatë gjithë kohës, në dëm të interesave të shqiptarëve dhe shtetit.