Luan Skuqi: “Rama kërkon të fitojë zgjedhjet e 2013-s, duke bojkotuar reformat e integrimit”

476
Sigal

INTERVISTA/Deputeti i PD-së: “Kufizimi i imuniteteve, një shans më shumë kundër korrupsionit”

Deputeti i PD-së, zoti Luan Skuqi, anëtari i Komisionit të Ligjeve, në intervistën për “Telegraf”,pranon që shpeshherë konfliktutalitetet  në këtë Komision Parlamentar, prodhojnë shterpësi politike, pasi opozita ka qëllim që të bllokojë proceset, pa dhënë alternativa. Zoti Skuqi sjell si shembull konfliktualitetin e reformës së Gjykatës së Lartë dhe procedurën e përzgjedhjes së kandidatëve për Kryetarin e ri të KQZ-së.

-Zoti Skuqi, konfliktualitetet politike në Komisionin e Ligjeve, për reformën e Gjykatës së Lartë, por edhe për përzgjedhjen e kandidatëve të Kryetarit të KQZ, kthehen në një debat shterpësie politike. Cili është mendimi juaj?

– Siç e thatë edhe ju, këto konfliktualitete të japin përshtypjen e debatit shterpë, sepse opozita është përpjekur me të gjitha mjetet të bëjë të mundur pengimin e mjaft proceseve që kanë të bëjnë si me reformat, sidomos ato të drejtësisë, por edhe me zgjedhjen e Kryetarit të KQZ-së.

– Një Kryetar i KQZ-së, pa konsensus, e rrit besueshmërinë në paanshmërinë e  KQZ-së së re?

–  Kodi i ri Zgjedhor, i miratuar me konsensus, kishte qëllim ruajtjen e raporteve të palëve në KQZ. Kjo është ndërtuar sipas konceptit bipartizan.

– Është e parakohshme që strukturat e  administratës zgjedhjeve të mos jenë të politizuara?

– Akoma nuk kemi gjetur mekanizmat, që të gjejnë mirëkuptimin politik. Lind problemi: Cilët njerëz quhen të paanshëm?

– Tendenca që shikojmë në reformat e 12 prioriteteve, është se PD-PS  të përfitojnë  interesa partiake?  Ju pajtoheni?

– Ka një histori marrëdhëniesh në këto raporte me PS-në, e cila në mënyrë konstante ka synuar që nëpërmjet bllokimit të reformave, të pengojë thellimin e proceseve të integrimit, duke shpresuar që këto dështime në integrimit do t’i faturohen maxhorancës dhe kjo është parë nga zoti Rama si e vetmja shpresë për të synuar pushtetin.

– Në debatin e kufizimeve të imuniteteve, u dha përshtypja që, ndërsa qeveris maxhoranca, opozita korrupton. Si ta kuptojmë?

– Çështja është qëndrimi ndaj korrupsionit. Heqja e imunitetit ishte një shans më shumë për Prokurorinë  dhe mesazh për qeveritarët. Heqja e imunitetit nuk është një mjet magjik që në mënyrë totale lufton korrupsionin, por është një element plus në këtë luftë.

– Sipas jush, përse akoma opozita nuk jep konsensusin për reformën e Gjykatës së Lartë?

– Thjesht për interesa politike. Mos vallë Rama kërkon që të fitojë zgjedhjet e 2013-s vetëm duke bojkotuar reformat, duke mos propozuar alternativën e vet? Presim që opozita të ndriçohet nga arsyeja dhe të vijë e të japë konsensusit, pasi reforma e Gjykatës së Lartë përbën edhe prioritet të integrimit. Me hile, opozita kërkoi që me ligjin për Gjykatën e Lartë të kalohej edhe formimi i Kolegjit i Gjykatës Administrative dhe tani, kundër interesit publik,  bllokohet edhe ky Kolegj.

– Shkalla e ulët e besimit të të gjithëve ndaj Drejtësisë, mund ta lidhim me shkallën e paaftësisë profesionale të punonjësve, apo është kontrolli i politikës ndaj Gjyqësorit?

– Gjyqësori e Drejtësia kanë nevoja për reforma të thella që të forcojnë pavarësinë, për të rritur mekanizmat e vetëkontrolli, vetëkorrigjimit dhe për të balancuar këto mekanizma edhe me kontrollin paralel, rritja e transparencës së vendimeve gjyqësore. Nuk besoj se aftësia e gjyqtarëve është shkaku i problemit.  Për mendimin tim, në shumë raste, Këshilli i Lartë  i Drejtësisë, në shumë vite nuk kujdesej shumë për realizimin e një procedure të saktë të kontrollit procedural, të vendimeve gjyqësore.

– A mund të dalë një gjykatës mbi palët politike, kur ai emërohet nga politika?

– Politika tashmë nuk ka më emërimet e gjyqtarëve. Emërimet e gjithë gjyqësorit kalojnë nga KLD-ja, ku maxhoranca ka përfaqësues vetëm ministrin dhe 9 anëtarë të KLD-së zgjidhen nga Konferenca e Gjyqësorit. Pra, është një organizëm që vetërregullohet. Anëtarët e Gjykatës së Lartë, tashmë duhet të kenë kaluar të gjitha shkallët e karrierës. Ky është hapi më i rëndësishëm për të rritur shkallën e pavarësisë së Gjyqësorit. Opozita kërkoi emërimet e anëtarëve të Gjykatës së Lartë me 3/5, që do të bëhej mbi bazën e pazarit politik, ose do të kishim bllokim të institucioneve, sepse në një moment njëra palë nuk jep dakortësinë.

– Faleminderit!