Rama në grackën e të besuarve të vet në PS

407
Sigal

Të mërkurën, PS-ja konteston  2 kandidatura për Kryetarin e KQZ-së, të enjten Ruçi i miraton, të premten Rama (nga TV-ja) i rrëzon

1. Brenda 3 ditëve, PS-ja ndryshon 3 herë politikën e vet

Deri të mërkurën e javës që shkoi, PS-ja kontestonte me të madhe 2 nga 4 kandidaturat për Kryetarin e ri të KQZ-së, që u përzgjodhën me votat e PD-së në Komisionin e Ligjeve, për arsye se kandidatët Mustafa dhe Rekaj nuk plotësonin kriteret, sipas ligjit të miratuar në Reformën Zgjedhore. Të mërkurën, ambasadori i BE-së, bën një vizitë në selinë e PS-së, ku takohet me Edi Ramën. Të enjten, në seancën parlamentare, kryetari i Grupit Parlamentar, Gramoz Ruçi, edhe pse deklaron se ka shkelje të ligjit, përsa i përket përmbushjes së kritereve të 2 kandidatëve për Kryetarin e KQZ-së, në emër të PS-së, pranon që 2 kandidaturat e tjera, le t’i kalohen parlamentit për votim. PS-ja u tërhoq, për shkak të presionit të ambasadorit të BE-së, derisa miratoi atë zgjedhje që ajo kishte ditë që e kontestonte me të madhe.  Pas kësaj deklarate të Ruçit, Kryetari i Komisionit të Ligjeve, bën me dije, që Komisioni i Ligjeve i kalon për votim, parlamentit 2 kandidaturat për të zgjedhur Kryetarin e ri të KQZ-së.  Mirëpo, të premten, në një intervistë televizive, Kryetari i PS-së, Edi Rama, kujtohet që të (ri)kontestojë procedurën e përzgjedhjes së 2 kandidatëve që do votohen në Kuvend, duke thënë se PS-ja nuk do të votojë.  Përse kjo kthesë 180 gradëshe e Edi Ramës për një problem, që një ditë më parë, Ruçi dha “ok”? Ndërkohë, që anëtarët socialistë  të Komisionit të Ligjeve, para pak minutash, para se të futeshin në sallën e Kuvendit, na pohonin të vendosur që nuk do të pranojnë kurrsesi që 2 kandidatët e mbetur të kalojnë për votim në Kuvend. Duket qartë, se Ruçi, nuk i pyeti fare deputetët e vet në Komisionin e Ligjeve, për miratimin që u dha 2 kandidatëve për Kryetarin e KQZ-së.

2. Tjetër politikë Ruçi në Kuvend, tjetër politikë Rama në TV

Dhe përse duhet që Rama, të japë në intervista televizive ultimatume politike? Së pari, Gramoz Ruçi, shkeli me të dy këmbët procedurën, në dëm të PS-së, duke dhënë  “OK” për  2 kandidatët për Kryetarin e KQZ-së në sallën e Kuvendit, kur, sipas ligjit, duhet që në Komisionin e Ligjeve, PS-ja të jepte miratimin e saj. Derisa PS-ja i kontestoi (me të drejtën e saj) 2 kandidaturat për Kryetarin e KQZ-së, duhet që ta kishte mbrojtur deri në fund këtë qëndrim. Dhe në bazë të Ligjit për zgjedhjen e Kryetarit të KQZ-së, PS-ja do të skualifikonte 2 kandidatët e mbetur të PD-së, dhe në Kuvend do të kalonin për votimin e Kryetarit të KQZ-së 2 kandidaturat që kishte votuar PS-ja. Siç duket, me vonesë, njerëzit e besuar të Ramës, e “këshilluan” që të bojkotojë në Kuvend votimin e Kryetarit të KQZ-së. Jo se do të përfitojë politikisht, sepse sipas ligjit, Kryetari i KQZ-së zgjidhet me 71 vota, por ta bojkotojë këtë votim vetëm për  propagandë, për zhurmë. Për të dhënë dukjen, që PS-ja bën opozitë pa sens, pa përmbajtje, pa kuptim.

3. Deputetët e PS-së nuk mbështetën Gjiknurin, Rusmajli mburret që e përjashtoi

PD-ja u gjet e papërgatitur, u trondit, u alarmua për faullin e vet politik, derisa votoi kandidatura të papërshtatshme. Dhe u ndodh përballë faktit të skualifikimit të gjithë kandidatëve që ajo votoi për Kryetarin e KQZ-së.  Shenja e nervozizmit politik nga PD-ja, u duke edhe në sjelljen që ajo mbajti ndaj deputetit Gjiknuri, në  Komisionin e Ligjeve. Duke vazhduar reportazhin politik, Kryetari i Komisionit Ligjor, zoti Rusmajli shprehet në intimitet, në një rreth shokësh, jashtë parlamentit,  që “shyqyr që e hoqëm Gjinkurin, se ai nuk do të na linte të qetë”.  Gjiknuri u përjashtua nga votimi i kandidatëve për Kryetarin e KQZ-së, apo disa ditë nga ky komision?  Këtë pyetje e bëjmë për deputetët e PS-së në Komisionin e Ligjeve, që nuk reaguan fare, kur PD-ja u imponoi  atyre, të votonin pa Gjiknurin. Mendoni, sikur të kishte ndodhur e kundërta. PD-ja gjithsesi, do të pranonte një votim kaq të rëndësishëm, pa anëtarin e saj.  Edhe deputetët e PS-së në këtë Komision, nuk reaguan, duke e lënë të vetëm Gjiknurin, përballë keqtrajtimit të deputetëve të PD-së. Përse, zoti Xhafa, si nënkryetari i Komisionit të Ligjeve pranoi që të bëhej votimi i kandidatëve për Kryetarin e KQZ-së, në këtë Komision, pa Gjiknurin? Jo vetëm për votën, por  më shumë, për faktin se Gjiknuri është bashkëkryetari i Komisionit për Reformën Zgjedhore dhe njohësi më i mirë edhe i vetë procedurës, që hartoi para disa muajsh.  Përse zoti Xhafa, si nënkryetari i Komisionit të Ligjeve, nuk këmbënguli që PS-ja të mos tërhiqej, derisa kriteret e kandidatëve ishin përshkelur në votimin e PD-së?  Zoti Xhafa kë këshillë juridike dha, qoftë te zoti Ruçi, qoftë te zoti Rama? Apo heshti, duke i lënë të dy me faullin politik?

4. PS-ja, të mbrojë ligjin e zgjedhjes të Kryetarit të KQZ-së, nuk ke pse trembet për bllokim

Po të mos kishin pranuar presionin e PD-së, që të miratonin 2 kandidatët e mbetur, nga katërshja, nuk e besojmë që edhe ndërkombëtarët nuk do të mirëkuptonin qëndrimin politik të PS-së, në këtë rast. Zoti Xhafa, me çdo kusht duhet të kishte kërkuar shtyrjen e votimit, për një  ditë, kur të kthehej Gjiknuri në Komision. Dhe në bazë të ligjit për procedurën e zgjedhjes së Kryetarit të KQZ-së, do të skualifikoheshin 2 kandidatët që nuk plotësojnë kriteret, dhe në vend të tyre, do të futeshin 2 kandidatët e tjerë, që kishin marrë nga 9 vota.

5. Rama, në grackën e njerëzve që u beson në PS

Këtë qëndrim duhet të kishte mbajtur PS-ja, këtë politikë duhet të kishte mbrojtur Edi Rama, me çdo kusht, pasi kishte të drejtën e Ligjit të zgjedhjes së Kryetarit të KQZ-së, i miratuar me konsensus nga PD-PS. Dhe, duke patur këtë të drejtë ligjore, politika e PS-së do të ishte edhe i kuptueshëm edhe përballë opinionit publik dhe atij ndërkombëtar. Kështu, do ta vinte PD-në përballë çdo përgjegjësie politike, për shkelje me dashje të ligjit për zgjedhjen e Kryetarit të KQZ-së. Përse Ruçi, duke anashkaluar edhe procedurën, dha miratimin e PS-së në Kuvend dhe jo në Komisionin e Ligjeve? U konsultua Ruçi me Edi Ramën? Të paktën, në dukje, publikisht, duket sikur Ruçi bën në kokën e tij, dhe Rama në kokën e vet, derisa brenda 24 orëve, të dy mbajnë qëndrim diametralisht të kundërt për shkeljen e kritereve ligjore nga kandidatët për Kryetarin e KQZ-së. Ky qëndrim kontradiktor i Ramës dhe i Ruçit, nxjerr Berishën shpëtimtar të situatave dhe ngërçeve politike dhe Ramën frenues, derisa  Rama deklaron (nga TV-ja) se PS-ja nuk do të votojë 2 kandidatët se nuk u zbatua procedura, ndërkohë, kur Ruçi u dha votën në Komisionin e Ligjeve? Cilin të besojmë? Ruçin në Kuvend? Apo Ramën në TV? Rama, duke u sjellë kontradiktor me politikën e PS-së në Kuvend, të jep përshtypjen që ka rënë në grackën e njerëzve të besuar të tij në PS, derisa e këshillojnë të sillet frenues,  bllokues, bojkotues, në krahasim me politikë-bërjen e PS-së në Kuvend.