Ligj special për të frenuar financimet e Sorosit

125
Hungaria bën gati ligjin “Stop Soros”
Qeveria hungareze akuzon miliarderin se po kërcënon stabilitetin në Evropë, duke nxitur emigracionin e paligjshëm, të financuar nga Xhorxh Soros
Qeveria hungareze prezantoi një ligj për trajtimin e emigracionit të paligjshëm, që sipas saj po kërcënon stabilitetin në Evropë dhe është nxitur nga financuesi amerikan, Xhorxh Soros. Kryeministri Viktor Orban e ka sulmuar ashpër Sorosin, i cili nga ana e tij i ka cilësuar deklaratat e tij shtrembërime dhe gënjeshtra që kanë për qëllim të krijojnë një armik të jashtëm të rremë. Paketa e ndryshimeve ligjore, që njihet ndryshe si “Stop Soros”, përfshin regjistrimin e detyrueshëm të organizatave joqeveritare që “mbështetin emigracionin e paligjshëm”. Zëdhënësi i qeverisë hungareze, Zoltan Kovacs, tha se një taksë prej 25 për qind do të vendoset për donacionet e huaja që grumbullohen nga OJQ të tilla, ndërsa aktivistët e tyre mund të përballen me urdhra kufizues që i ndalojnë ata t’u afrohen kufijve të jashtëm të BE-së në Hungari, të cilët u përforcuan në vitin 2015, për të ndaluar hyrjen e emigrantëve. Detaje të tjera të këtij ligji pritet të zbulohen kur ai të prezantohet publikisht. Mediat proqeveritare kanë paralajmëruar se ky ligj mund të çojë në ndalimin e Sorosit për të hyrë në Hungari, pavarësisht se ka shtetësi amerikane dhe hungareze.

87-vjeçari Xhorxh Soros, një hebre i lindur në Hungari, ka mbështetur për vite me radhë liberalizimin dhe hapjen e kufijve në Evropën Lindore. Por kjo e ka çuar në përplasje me nacionalistët e së djathtës, sidomos në Hungari. Qeveria e Orbanit ka bërë të qartë se do t’i kundërshtojë emigrantët me çdo mjet. “Emigrimi i paligjshëm masiv është një problem që prek të gjithë Evropën, duke u kthyer në një rrezik serioz për sigurinë”, thuhet në njoftimin e saj. I pyetur në lidhje me implikimin e Sorosit në këtë pikë, zëdhënësi i qeverisë tha: “Nëse zbulohet se Soros është përfshirë në aktivitete të tilla, d.m.th. ka organizuar emigracionin e paligjshëm, atëherë forca e ligjit do të bjerë mbi të”. Por Kovacs nuk pranoi të jepte detaje më tej në lidhje me këtë.

Vitin e shkuar, qeveria e kryeministrit Orban paraqiti një masë sipas të cilës OJQ-të që financohen nga jashtë duhet të regjistrohen nga shteti. Kjo u shoqërua me reagime në BE dhe SHBA. Komisioni Evropian deklaroi se do ta çojë në gjykatën më të lartë evropiane ligjin e Hungarisë për OJQ-të. Orban pritet të sigurojë një mandat të tretë në zgjedhjet e 8 prillit.

Për rolin e Sorosin po zhvillohen debate në disa vende të Evropës, ndërsa roli i tij është në diskutim edhe në Shtetet e Bashkuara. Shumë qeveri dhe politikanë të Evropës e kanë akuzuar miliarderin se po ndikon dhe imponon lëvizjet politike, nëpërmjet financimeve që jep për shoqërinë civile. Gjithashtu, në Shqipëri është publikuar edhe një komunikim mes Soros dhe ish-sekretares amerikane të Shtetit, Hillari Klinton, lidhur me ngjarjet e 21 janarit 2011. Në sajë të kërkesës e ndërmjetësimit të Xhorxh Sorosit në vendin tonë mbërriti edhe një i dërguar i posaçëm nga Bashkimi Evropian, duke përkrahur qëndrimet e opozitës së kohës. 
Berisha: Soros, një mafia e rrezikshme
Ish-kryeministri Sali Berisha e ka akuzuar disa herë manjatin Xhorxh Soros si anti-shqiptar dhe organizatën e tij si “mafia të rrezikshme”. “Shoqëria civile e Xhorxh Sorosit është një mafie e rrezikshme, nga më të rrezikshme në histori të vendit. Unë i njoh disa prej tyre dhe u them të largohen nga një network mafioz. Ditën e parë të instalimit të sorosianëve në Shqipëri, në rast se u kujtohet një Nazy bashkë me Abrahamin, çdo ditë bënin punën e agjentëve serbë në Shqipëri derisa i regjistroi SHISH me përfaqësuesit e shërbimeve jugosllave dhe kur Sorosi e mori vesh erdhi me urgjencë, duke i tërhequr nga Shqipëria”, u shpreh ish-presidenti i Republikës. Sipas tij, Sorosi bllokoi edhe ngritjen e Këshillit të Lartë të Prokurorisë në Shqipëri, si pjesë e zbatimit të reformës në drejtësi. “Unë këto konsiderata për të i kam që në ‘93 dhe çfarë ishte u faktua në reformën në drejtësi. Reforma u nis nga dega e Sorosit për të shndërruan drejtësinë në degë ekzekutive. Është meritë historike e opozitës sepse e bllokoi me Venecian. Sorosi dhe networku i tij bllokoi krijimin e KLP-së”, tha Berisha në një intervistë televizive disa javë më parë. Ai shpjegoi se beteja me Sorosin ka nisur në vitin 1993. “Beteja ime me Sorosin është që në 93-shin. Shqiptarët duhet të shohin se si këta bllokuan për 6 muaj KLP-në dhe e zhbllokuan kur Edi Rama zgjodhi kryeprokurorin. Ka akt më të pështirë të një mafieje antishqiptare”, tha Berisha në një intervistë për gazetarin Artur Zheji.