Vasili: Arrestimi i Haradinaj zhvillim negativ. Zgjidhja e vetme, lirimi i tij i menjëhershëm

464
Sigal

Lëvizja Socialiste për
Integrim ka kërkuar sërish sot lirimin e ish-komandantit të UÇK-së, dhe kreut
të AAK Kosovë, Ramush Haradinaj i arrestuar 3 ditë më parë në Francë, në
aeroportin e Baselit.

Pas kryetarit Ilir
Meta, kreu i grupit parlamentar i LSI-së, Petrit Vasili deklaroi sot se
arrestimi i Haradinajt është një zhvillim negativ e veprim i gabuar në kohën e
gabuar. Ai kërkoi lirimin e tij të menjëhershëm, si zgjidhja e vetme, ndërsa
njoftoi se Meta ka komunikuar me familjen Haradinaj si dhe ambasadorin në
Francë.

“Ky ka qenë një veprim
i gabuar në kohën e gabuar. Fitimi i momentit të humbur do të ishte vetëm një,
lirimi i menjëhershëm i Haradinaj dhe sqarimi i këtyre procedurave të
fosilizuara duke ndaluar praktikën e ndalimeve të tilla të paligjshme dhe
provokative që shkojnë kundër frymës që të gjithë faktorët po përpiqen të
ndërtojnë mes Kosovës dhe Serbisë. Në një vlerësim tërësor, e tërë kjo ngjarje
ishte një zhvillim negativ, që në qendër pati për fat të keq një person që ka
demonstruar raportin më luajal si zoti Haradinaj që është përballur me gjykatën
e Hagës në dy raste. Është përballur me drejtësinë 2 herë dhe nuk e ka
bishtnuar. Zgjidhja e vetme, lirimi i tij i menjëhershëm dhe ndalimi njëherë e
përgjithmonë i praktikave të tilla”, theksoi Vasili.