Lefterie Lleshi përgjegjëse për 4,3 milionë euro të shpërdoruara

467
Sigal

PS-ja ka depozituar në Prokurorinë e Qarkut të Tiranës padi për dështimin e projektit të numërimit e identifikimit elektronik

Mbi 2,8 milionë euro u kushtoi shqiptarëve dështimi i projekteve të numërimit elektronik në Qarkun e Fierit dhe identifikimi elektronik në Qarkun e Tiranës. Dhe këto miliona euro u dhanë xhaba, sepse kryetarja e KQZ-së, Lefterie Lleshi e kishte të paracaktuar që duhet ta dështonte projektin elektronik. Ndaj ndoqi një metodikë sistematike, që në fillim. Edhe pse Kodi Zgjedhor përcaktonte qartë, konkretisht në nenin 179/1 përcakton . Jo më vonë se 30 ditë nga hyrja në fuqi e këtij ligji, KQZ-ja fillon përgatitjen e projektit për ngritjen e sistemit të verifikimit dhe regjistrimit të zgjedhësve (SEV) dhe sistemit elektronik të numërimit (SEN). Mirëpo, Lefterie Lleshi këtë e bën pas 3 muajsh. Madje, Lefterie Lleshi, edhe pse ishte e ndërgjegjshme që me veprimet e saj dëshironte ta dështonte projektin, hartoi kontrata të këtilla me kompaninë e përzgjedhur,- tenderimi u bë jo transparencë nga Lefterie Lleshi- ku u dha kompanisë së përzgjedhur shumë mbi 60 % të buxhetit, ende pa u provuar asnjë test, dhe pa klauzolën e dështimit.  Zonja Lleshi, nëse procesi dështoi për faj të kompanisë, përse ju i dhatë 2,6 milionë euro? Nëse procesi i zbatimit të SEV dhe SEN dështoi për fajin tuaj, përse nuk i paguani ju tani 2,6 milionë euro që paguat kompaninë që dështoi?  Vlen të theksohet se nga ana e KQZ-së nuk ishte miratuar metodologji për bërjen e testit, duke realizuar vetëm një testim formal, të  paracaktuar me qëllim mediatizimin  e dështimit të paralajmëruar të teknologjisë. Sa më sipër, dhe në tërësi nga kronologjia e këtij procesi dhe analiza e provave,  vërtetohet se katër anëtarët e kallëzuar të KQZ-së me veprime dhe mosveprime të kundraligjshme, kanë synuar dhe realizuar dështimin e qëllimshëm të këtij projekti. Ky qëllim i kundraligjshëm është mbështetur dhe realizuar nga anëtarët e KQZ-së në bashkëpunim me administratën e komanduar politikisht nga maxhoranca qeverisëse, pjesëmarrëse në procedurën e tenderimit dhe realizimit të kontratës. Dëmi ekonomik për këtë proces sipas deklarimeve publike nga KQZ për pagesat ndaj kompanisë së kontraktuar,  është minimumi 60 për qind e vlerës së kontratës, por mund të jetë edhe më i madh.  Në datën 20 Qershor në disa media janë raportuar fakte dhe dokumente lidhur me pagesa të mundshme të dyshuara korruptive që lidhen me përfitues dhe nënkontraktorë të projektit SEV, për të cilat Prokuroria ka detyrimin të hetojë kryesisht.

Sikurse thuhet në padinë që PS-ja ka dorëzuar në prokurorinë e Tiranës më 20 qershor 2013 me objekt “Kërkohet fillimi i ndjekjes penale ndaj të kallëzuarve për kryerjen e  veprave penale të “Shpërdorimit të detyrës” në bashkëpunim, të parashikuara nga nenet 248 dhe 25  të Kodit Penal”, kundër  Kryetares të KQZ-së, Lefterie Lleshi, kundër anëtarëve të KQZ-së, Klement Zguri, Vera Shtjefni, Hysen Osmanaj,etj., thuhet  se:  “Këto veprime dhe mosveprime të kundraligjshme, të kryera me dashje direkte,  për vetë natyrën e procesit zgjedhor paraqesin rrezikshmëri të madhe shoqërore pasi duke shkelur detyrimet ligjore të rrjedhin nga Kodi Zgjedhor, sjellin njëkohësisht pasojën e rëndë të cenimit të standardeve zgjedhore dhe cenimit të interesit të ligjshëm të shtetasve për të pasur zgjedhje të lira e të ndershme, si  të drejta themelore të shtetasve të mbrojtura nga Kushtetuta dhe ligje të tjera të Republikës së Shqipërisë”. Lefterie Lleshi, mban përgjegjësi penale, sepse organizoi dhe drejtoi gjithë procesin e menaxhimit të tenderimit dhe zbatimit të projektit elektronik, drejt dështimit, por edhe se ka dhënë shumën më të madhe të parashikuar,  mbi 60 % të fondit, i cili ishte mbi 4,3 milionë euro për të dy projektet, ku ende nuk e ka bërë publike, duke fshehur ende shumë të dhëna dhe duke dëmtuar transparencën.

Lefterie Lleshi, Kryetare e KQZ-së mban edhe përgjegjësinë e shpërdorimit të detyrës, sepse si kryetare e KQZ-së dëmtoi shumë edhe programin pilot të numërimit dhe indentifikimit elektronik të votimeve, duke rrezikuar, jo vetëm standardet zgjedhore, por, më e rëndësishme,  edhe vazhdimësinë e zbatimit të këtij projekti edhe në zgjedhjet e ardhshme.

Flasin për “Telegraf”

Damian Gjiknuri, sekretari për Çështjet Zgjodhore në PS

– Zoti Gjiknuri, çfarë bëhet me padinë tuaj ndaj KQZ për dështimin e projektit elektronik të votimeve dhe shpërdorimin e fondeve?

– Heton prokuroria dhe ne presim fjalën e drejtësisë.

Sipas jush, përgjegjësi kryesor është kryetarja e KQZ-së?

– Përgjegjës është kryetarja e KQZ-së, anëtarët e KQZ-së dhe administrata e KQZ-së që është marrë me procedurat e tenderimit. Për mua faji është se gjithë ato miliona ikën kot dhe procesi i zbatimit të numërimit e identifikimit elektronik dështoi, duke cenuar standardet dhe KQZ-ja me dashje ka shkelur Kodin Zgjedhor.

– Ishte e qëllimshme nga KQZ-ja që numërimi dhe identifikimi elektronik në zgjedhje të dështonte?

– Po. Unë nuk shikoj tjetër arsye të dështimit.

– Në procesin e tenderimit që zhvilloi KQZ-ja, a kishte transparencë?

– Nuk kishte dhe të gjitha pretendimet që ne kishim, i kemi përshkruar në padinë që kemi dorëzuar në prokurori. Mungesë transparence, shkelje të Kodit Zgjedhor, vonesa të procedurave dhe neglizhencë nga KQZ-ja për të respektuar të gjitha afatet që parashikonte Kodi Zgjedhor për projektet e numërimit dhe identifikimit elektronik.

Koli Bele, ndihmëssekretar për Çështjet Zgjedhore në PS

– Zoti Bele kundër kujt është padia juaj për dështimin dhe shpërdorimin e fondeve të projektit elektronik që nuk u zbatua në zgjedhje?

– Përgjegjës kryesor në padi bëjmë kryetaren e KQZ-së dhe anëtarët e KQZ-së, si edhe Anëtarët e Komisionit të Përgatitjes së Dokumentacionit dhe Vlerësimit të Ofertave të Tenderit për SEV, si dhe persona të tjerë të paidentifikuar, punonjës të KQZ-së apo shtetas të tjerë, që kanë bashkëpunuar me të kallëzuarit, për kryerjen e veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës” në bashkëpunim  të parashikuar nga nenet 248dhe 25  të Kodit Penal. Dështimi i projektit është i qëllimshëm nga KQZ-ja.

– Kompania  spanjolle, pavarësisht se dështoi projekti, sa për qind të fondit të parashikuar, ka marrë?

– Thuhet 60 %, por ne akoma nuk dimë me saktësi shifrën, pasi nuk na është bërë e njohur, por besoj këtë shumë, sipas kontratës të bërë.

Do ta kërkoni deri në fund që kjo përgjegjësi të mbahet nga personat të cilët u drejtoni padinë?

– Në momentin që kemi dorëzuar padinë, nuk mund të kthehemi mbrapsht.

– Po mund të arrini në një marrëveshje paraprake, që të pezullohet padia?

– Jo, jo, keni informacion të gabuar.

– Unë nuk e kam informacion këtë, thjesht shpreh një opinion, sikurse ndodh rëndom, që  të tilla padi tërhiqen, apo nuk gjykohen kurrë.

– Unë ju them thelbin e ligjit, si prokuror që kam qenë. Nuk mund të tërheqësh një kallëzim penal, për veprat penale. Po të tërhiqet padia, do të akuzohemi për kallëzim të rremë. Nuk ka asnjë mundësi që PS-ja të tërhiqet nga kjo padi penale kundër KQZ për dështimin e projekteve elektronike të zgjedhjeve dhe shpërdorimin e fondeve.

– Deri kur mund të shqyrtohet kjo çështje?

– Kjo është çështja e prokurorisë. Ajo i ka të gjitha mundësitë që padinë ta shqyrtojë sa më shpejt, sepse nuk ka asnjë pengesë që ta shqyrtojë sa më shpejt.