Kuvendi miraton me 72 vota për ligjin për arsimin profesional

428
Kuvendi miratoi të enjten me 72 votat ‘pro’ të maxhorancës dhe dy vota kundër pr/ligjin “Për arsimin dhe formimin profesional”. Në fjalën e saj në emër të grupit të LSI-së, deputetja Kejdi Mehmetaj shprehu rezerva për draftin, duke paralajmëruar votën kundër. Projekti, tha ajo, nuk sjell një ndryshim thelbësor në këtë drejtim.
“Votimi ose jo i këtij ligji nuk përbën ndonjë ndryshim thelbësor. I bëj thirrje kolegëve ta trajtojnë me seriozitet arsimin në përgjithësi dhe atë profesional në veçanti, të rrisim investimet, pasi sot që flasim Shqipëria mund të jetë vendi i fundit në rajon sa i takon shpenzimeve për arsimin”, u shpreh Mehmetaj. Ajo apeloi për të rritur vëmendjen ndaj arsimit në përgjithësi dhe atij profesional në veçanti.
Ndërsa ministri i Mirëqënies Sociale dhe Rinise, Blendi Klosi tha se nisma ligjore nuk lidhet vetëm me edukimin, por ajo lidh në mënyrë të pandalshme tregun e punës me edukimin në përgjithësi.
Arsimi dhe formimi profesional do duhet të trajtohet jo si edukim, por si mekanizëm që mund të ndryshojë jetën e shtresës së mesme shqiptare. Na duhen profesionistë që përmes profesionit të paguhen më shumë dhe të jetojnë më mirë. tha ministri.
Deputetët e maxhorancës miratuan sot dhe çështjet e tjera në rendin e ditës. Me 74 vota u miratuan te tre pikat e tjera në rendin e ditës: ndryshimet dhe shtesat në ligjin “Për rivlerësimin e pasurive të paluajtshme”; ndryshimi në Dekretin “Për emetimin dhe shpërndarjen e bonove të privatizimit, si dhe ndryshimet në ligjin “Për pronësinë industriale”.
Opozita e djathtë nuk mori pjesë në votimin e pr/ligjeve të seancës së sotme, pasi braktisi punimet e Kuvendit, pas vendimit të Byrosë për përjashtimin me dhjetë ditë nga jeta parlamentare të deputetit të PD-së, Flamur Noka. Ky i fundit u konfrontua në seancën e sotme me deputetin socialist, Erjon Braçe, duke shkaktuar tensione në sallë, gjë që çoi në ndërprerjen disa herë të punimeve te parlamentit. PD fajësoi për ketë deputetin Brace për të cilin kërkoi që të merrej masa e përjashtimit, kërkesë qe nuk u miratua nga Byroja.
Sigal