Kuvendi miraton ligjin për Forcat e Armatosura, 72 vota pro dhe 22 kundër

480
Kuvendi miratoi sot pr/ligjin për Forcat e Armatosura me 72 vota pro dhe 22 kundër. Po ashtu është votuar pr/ligji për procedurat tatimore me 75 vota pro dhe 19 kundër, si dhe amendamenti i komisionit të ekonomisë për procedurat tatimore, të deputetëve Koçi, Braçe dhe Angjeli, i cili i jep të drejtë klientit të mos bëjë transaksion nëse nuk pajiset me faturë.
P/ligji i propozuar nga qeveria përmes ndërhyrjeve në ligjin ekzistues, ashpërson masat ndëshkuese ndaj shkeljeve fiskale. Së pari, nëse një biznes ndryshon adresën dhe nuk e raporton atë në QKR apo tek tatimet, do të ndëshkohet njësoj sikur është i paregjistruar. Së dyti, ndalon tregtarët e shumicës të shesin mallra me pakicë tek konsumatorët finalë. Kjo do të thotë se këto tregtarë nuk mund të shesin më me kuponë tatimor tek individët, por do të shesin vetëm me faturë tatimore për bizneset e pakicës. Ky detyrim ka një periudhë tranzitore dhe hyn gradualisht në fuqi deri në 1 prill të vitit 2016. Së treti, ligji dënon me gjobë deri në 15 për qind për çdo muaj bizneset që nuk paguajnë në afat tatimin mbi fitimin, këstet e të cilit janë të paracaktuara një herë në muaj ose një herë në tre muaj. P/ligji parashikon edhe gjobat për mosdeklarimin e punonjësve.

Po sot u miratua pr/ligji “Për metrologjinë”, “Për sektorin e gazit natyror”, si dhe miratimi i kontratës së koncesionit të formës “BOT”(ndërtim, shfrytëzim dhe transferim) të një porti të llojit MBM në Porto Romano, ndërmjet qeverisë shqiptare dhe shoqërisë koncesionare “Porti MBM(MULTI BUOY MOORING)’.
Sigal