Kume: Partitë bëjnë fushatë e financohen në kundështim me Kodin Zgjedhor, KQZ hesht

465
Partitë politike kanë ditë që bëjnë fushatë të mirëfilltë zgjedhore që është në kundërshtim të plotë me Kodin Zgjedhor, duke shpenzuar burime financiare të mëdha, të cilat nuk mund të justifikohen nga të burimet financiare që përfitojnë nga ligji, duke i vënë kandidatët në pozita diskriminuese e jo me shanse të barabarta zgjedhore. Kristaq Kume, ishkryetari i KQZ-së, në intervistën për gazetën “Telegraf”, pohon që këtë monitorim duhet ta bëjë KQZ, por që deri tani, ajo hesht. Burimet financiare, që partitë politike shpenzojnë në fushata zgjedhore, edhe mund të vijnë nga krimi, dhe zoti Kume thotë që këtë verifikim duhet ta bëjë KQZ, e cila deri tani, nuk ka verifikuar asnjëherë, edhe pse në perceptimin e njerëzve është se bota e krimit financon partitë politike në zgjedhje. 
– Zoti Kume, si ndahet fondi financiar shtetëror për kandidatët në zgjedhjet vendore?
– Financimi që bëhet nga buxheti i shtetit për subjektet politike ndahet midis tyre me vendimmarrje të KQZ-së, duke patur si parim bazë fuqinë elektorale të subjektit. Pra, parimi i burimi financiar i kandidatëve është fuqia elektorale e subjektit politik që e ka zgjedhur. Në Kodin Zgjedhor ndiqet e njëjta logjikë e ndarjes të buxhetit ndaj subjekteve politike, pavarësisht nga zgjedhjet vendore, apo parlamentare. 
– Kjo do të thotë, që një kandidat i përfaqësuar nga një koalicion partish ka më shumë burime financiare, se një kandidat i pavarur?
– Po. Financimi nuk bëhet për kandidatin, por bëhet për subjektin politik dhe subjekti që e propozon kandidatin financohet sipas fuqisë elektorale të tij, kurse në rastin e kandidatëve të pavarur, ose të subjekteve që hyjnë rishtaz në zgjedhje, që nuk ka informacion për fuqinë elektorale, Kodi Zgjedhor, edhe për ata parashikon financim, por jo në atë masë që parashikohet për subjektet politike që kanë fuqi elektorale të madhe.
– Kjo a nuk do të thotë, që qysh në nisje, Kodi Zgjedhor përcakton një disbarazim financiar të kandidatëve?
– Kjo është logjika e Kodit Zgjedhor, e cila vjen nga fakti që gara elektorale, zhvillohet mbi bazën e duke iu referuar situatës së caktuar politike të fundit.
– Por, vetë Kodi thotë, që duhet t’u krijohen kandidatëve kushte, shanse e mundësi të barabarta. A nuk ka kundërshti vetë logjika e Kodit Zgjedhor?
– Po, por Kodi flet për shanse të barabarta në kuptimin e përgjithshëm të fjalës. Financim të barabartë të kandidatëve, Kodi Zgjedhor nuk parashikon. KQZ-ja është organi që monitoron të gjitha shpenzimet financiare në zgjedhje, qoftë nga buxheti I shtetit, qoftë edhe nga burime të tjera, siç janë donacionet që bëhen nga subjekte private. KQZ-ja, sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese monitoron të gjitha financimet e partive politike, jo vetëm për fushatë, por edhe ato që partitë politike përfitojnë, si subjekte politike, në zbatim të ligjit “Për partitë politike”. 
– Kur fillon monitorimi I KQZ-së për financimet e subjekteve elektorale në zgjedhje?
– Në ligjin zgjedhor është e përcaktuar se KQZ-ja bën auditimin e burimeve dhe mënyrën e shpenzimeve financiare të subjekteve zgjedhore, 45 ditë pasi ka përfunduar fushata zgjedhore.
– Nga cila ditë fillohet monitorimi i burimeve financiare të subjekteve që marrin pjesë në zgjedhje?
– KQZ-ja, duke zbatuar ligjin formal, atë çka thotë Kodi Zgjedhor, fillon e monitoron shpenzimet financiare të subjekteve, pas datës 22 maj, që është dita zyrtare e hapjes së garës elektorale. Ndërkohë që KQZ-ja ka mundësitë ligjore që ta auditojë shpenzimet që bëhen nga subjektet zgjedhore, edhe përpara se të fillojë zyrtarisht gara elektorale, por jo duke iu referuar Kodit Zgjedhor, por duke iu referuar detyrimit që i ka dhënë ligji KQZ-së, për monitorimin e burimeve të financimit e të shpenzimeve të subjekteve elektorale në zbatim të ligjit “Për partitë Politikë”. 
– Po kur fushata zgjedhore fillon përpara se sa e përcakton Kodi Zgjedhor, siç ndodh aktualisht, çfarë duhet të bëjë KQZ-ja?
– Nëse i referohemi nenit 77 të Kodit Zgjedhor, subjektet duhet të fillojnë fushatën zgjedhore 30 ditë para datës së zgjedhjeve. Ndërkohë, ligjio zgjedhor nuk shprehet në mënyrë kategorike e të prerë, në rastin kur nuk veprohet kështu nga partitë politike, por duke e lexuar Kodin Zgjedhor ën tërësinë e tij, por t’i referohemi parimeve të përgjithshme, neni 3, në të cilin thuhet që subjektet kanë të drejtë të bëjnë fushatë të ligjshme “aktivitete elektorale të ligjshme”, në nenin 77 thuhet që 30 ditë përpara datës së zgjedhjeve. Sipas meje shprehja “ e ligjshme” në parimet e Kodit Zgjedhor, do të thotë që në rastin kur partitë e fillojnë fushatën përpara datës të parashikuar në Kod, ato shkelin ligjin, gjë që ka shumë mundësi, që të intepretohet kështu nga KQZ-ja dhe KQZ-ja, sipas meje, mund të arrijë deri në penalizim të subjekteve zgjedhore, për sa kohë që subjektet shkelin ligjin. Të fillosh fushatën zgjedhore përpara datës që përcakton Kodi Zgjedhor, shkel parimin kushtetues të barazisë në të drejtën për t’i zgjedhur, sepse subjektet e mëdha, që kanë mjete financiare, që dihet se ka diferenca të mëdha midis partive, kandidatëve që mbështeten nga partitë e kandidatëve të pavarur, ata vendosen në pozita diskriminuese. Nuk kanë mundësi financiare të zbatojnë aktivitete në funksion të fushatës dhe për pasojë, gjenden me shanse të disekuilibruara. Një sjellje e tillë është shkelje e parimit kushtetues të barazisë në të drejtën për t’u zgjedhur. Kjo është kërkesë dhe një ndër parimet edhe e Komisionit të Venecias, Kodi i Praktikave të Mira në Çështjet Zgjedhore. Të gjitha këto kërkojnë që KQZ-ja duhet ta bëjë me dije këtë sjellje jo ligjore të partive, të gjithë opinionit. Kështu janë sjellur vazhdimisht partitë politike te ne, jo në frymë të zbatueshmërisë së ligjit, për shanse të barabarta në zgjedhje.
– Përse hesht KQZ-ja dhe nuk kërkon zbatimin e ligjit?
– Në dijeninë time KQZ-ja është deklaruar dhe ju ka tërhequr vëmendjen subjekteve elektorale, kur ka marrë vendimin për regjistrimin e subjekteve, duke u thënë që fushata fillon në 22 maj. 
– Pse KQZ-ja nuk ndërmerr hapa të tjerë penalizues ndaj partive që shkelin Kodin e bëjë fushatë zgjedhore të parakohshme?
– KQZ-ja duhet të kërkojë dispozita brenda Kodit, që të ndërmarrë veprime të tjera, ndaj shkelësve të Ligjit Zgjedhor. 
– Nëse një kandidat, ankohet pas shpalljes së rezultatit zgjedhor, se humbi për shkak të mosbarazisë të burimeve finaciare, se kandidatët e tjerë filluan para kohe fushatën, a rrezikohet rezultati i shpallur?
– Pritshmëria ime, në të tilla raste ankimimi, për të bërë të mundur anullimin e një procesi zgjedhor, është pothuajse zero, sepse efekti që mund të sjellë kjo gjë, në rezultatin përfundimar të zgjedhjeve, nuk mund të jetë deri në përthyerje të këtij rezultati.Në Kodin Zgjedhor trajtohet çështja e pavleshmërisë të procesit zgjedhor. Është e drejtë të ankohet, por nuk e besoj se mund të fitojë çështjen në gjykim. 
– Po nëse burimet e financimit në fushatë zgjedhore vijnë nga krimi, atëhere, çbëhet?
– Kushdo mund të bëjë një kallzim të tillë, e të aktivizohet prokuroria. Rruga që ndiqet për të formuluar një akuzë dhe për ta ngritur pastaj, është e njëjtë, kur bëhet fjalë për veprimet joligjore që ka lidhje me financat elektorale. 
– A mund të ketë kuptim dekriminalizimi i politikës, derisa partitë politike bëjnë fushata elektorale, me burime financiare të jashtëligjshme, që paratë, pse jo, mund të vijnë edhe nga krimi?
– Unë jam shumë i kujdesshëm ndaj gjykimit që mund t’i bëhet kësaj çështjeje. Nuk mund të paragjykoj se një financim i caktuar i një subjekti zgjedhor të caktuar bëhet me para të pista. Ligji zgjedhor ka vendosur rregulla të tilla, të cilat bëjnë të mundur verifikimin e çdo burimi financon, por edhe ligji për partitë politike bën të mundur këtë verifikim të financimit të partive. Por këtë verifikim e bën vetëm KQZ-ja. Ndjesia e perceptimi i njerëzve, që partitë financohen nga krimi është tjetër gjë, pastaj. Kjo ka të bëjë me sjelljen e kulturën në përgjithësi
Sigal