Kryetari i Kuvendit z.Meta: “Gatishmëri për të forcuar shkëmbimet ndër-parlamentare me Iranin”

462
Sigal

Kryetari i Kuvendit z. Ilir Meta priti dje Ambasadorin e Republikës Islamike të Iranit në Shqipëri z. Abdolmajid Mozaffari.  Kryetari i Kuvendit Meta, shprehu gatishmërinë për të forcuar shkëmbimet ndër-parlamentare mes dy vendeve, si një platformë bilaterale për paqe, stabilitet dhe bashkëpunim ekonomik. Z. Meta mirëpriti deklaratat e Presidentit të ri të Iranit z. Hassan Rouhani për të bashkëpunuar me Komunitetin Ndërkombëtar, si një rrugë konstruktive për forcimin e paqes dhe stabilitetit. Ambasadori Mozaffari i shprehu z. Meta urimet më të ngrohta në emër të Kryetarit të Parlamentit të Iranit z. Ali Larijani për marrjen e detyrës së Kryetarit të Kuvendit, si dhe gatishmërinë për rritjen e marrëdhënieve me Shqipërinë. Në përfundim të takimit, Kryetari i Kuvendit, theksoi rëndësinë e njohjes së Pavarësisë së Kosovës nga Republika Islamike e Iranit, si kontribut për marrëdhëniet dypalëshe në funksion të forcimit të stabilitetit në rajon.

Bashkëpunim i Bankës Botërore me Parlamentin Shqiptar

Kryetari i Kuvendit z. Ilir Meta priti Drejtorin Ekzekutiv të Bankës Botërore për Shqipërinë z. Piero Cipollone, i cili shoqërohej nga Drejtoresha për Evropën Juglindore të Bankës Botërore znj. Ellen Goldstein. Kryetari i Kuvendit Meta shprehu gatishmërinë për bashkëpunimin e ngushtë të Kuvendit me Bankën Botërore duke i vlerësuar projektet e saj si tepër të rëndësishme në përballjen e Shqipërisë me sfidat ekonomike në planin imediat dhe afatgjatë. Në këtë drejtim, z. Meta shprehu mbështetjen për reformat e thella strukturore të Qeverisë së re në funksion të përshpejtimit të zhvillimit ekonomik të vendit. Z. Cipollone dhe Znj. Goldstein shprehën vullnetin për të punuar me të gjitha strukturat qeveritare për të ndihmuar rritjen ekonomike të vendit dhe në këtë kuadër vlerësuan se bashkëpunimi i Bankës Botërore me Parlamentin, merr një rëndësi të veçantë.