Operacioni “Fundi i marrëzisë”, duhet të aplikohet edhe për lotaritë e dy kompanive telefonike

281

Kompanitë e Albtelecom-it dhe Eagle Mobile tronditin gjendjen emocionale të qytetarëve nëpërmjet lotarive të fatit

Ndërkohë që mijëra forca policie janë angazhuara në operacionin “Fundi i Marrëzisë”, për të goditur me të drejtë një fenomen shkatërrues të shoqërisë sonë, kompanitë Eagle dhe Albtelecom, hapin një kapitull tjetër në variacionin e lojërave të fatit. I gjithë territori shqiptar, sot jeton mes shpresës se mund të shpëtojë nga alternativat e bixhozit, ndërsa këto dy kompani, provokojnë ndjesitë e shqiptarëve, duke i vënë në provë emocionet e tyre me anë të një lotarie, e cila shkurt quhet: “Brune, apo Bionde”. Më shkoqur mund të themi se kompanitë  Eagle dhe Albtelekom kanë shpërndarë dhe vazhdojnë të shpërndajnë, pranë kazinove të hapura të rrugëve të Tiranës, “Bionde” dhe “Brune”, të cilat kapin shifra marramendëse. Janë dy automjete të markave të fundit që kushtojnë miliona lekë, të cilat sipas organizatorëve mund të fitohen vetëm nga një numër shorteu. Pra, nëse të bie ai numër që duhet, ti mund të fitosh Brunen, por nëse të bie një numër tjetër, ekziston mundësia të fitosh edhe bionden. Pikërisht për këtë arsye, kohët e fundit ngrihet shpesh pyetja, Brunen, apo Bionden?! Pavarësisht, se shumica e njerëzve e dinë mirë që nuk kanë për të fituar as njërën, as tjetrën, përsëri, indiferenca e strukturave të rendit është e habitshme. Mosndërhyrja e tyre para shfaqjeve të lotarive, apo përafërsisht të njëjta me lojërat e fatit, kur është fjala për këto kompani tregon, se këtu ekziston fraza popullore: “Ca të nënës, ca të njerkës”. Në këtë rast, këto kompani konsiderohen nga pjesa e “nënës”, që do të thotë, nga pjesa e përkrahjes qeveritare, ndërsa kompanitë e bingove, apo lotove konsiderohen nga pjesa e njerkës. Megjithëse, tundimi emocional i qytetarëve për të marrë pjesë në konkurrime të tilla, është shumë i madh. Por policia dhe qeveria shqiptare që kanë shpallur postulatin e “fundit të marrëzisë”, nuk është shprehur për historinë e biondeve po bruneve, të cilat kanë lënë pa gjumë, shumë njerëz, duke u krijuar iluzione. Ndërkohë që, policia nuk i konsideron si të “marrëzishme” këtë lloj lotarie. Këto ditë Tirana po përjeton midis dy atmosferëve, ku një lloj lotarie konsiderohet e dëmshme, ndërsa një lloj tjetër konsiderohet e dobishme.

Dhuratat

Në njoftimin e shpërndarë për këtë rast, këto kompani deklaronin se: “ALBtelecom ka dhuruar edhe “Brunen” Porsche Carrera 911 mes një feste të vërtetë të quajtur “FestON”. Super-Eventi i dhurimit ka grumbulluar çdo grupmoshë në pedonalen “Murat Toptani” në Tiranë. Mijëra surpriza janë ofruar për çdo pjesëmarrës në këtë event që zgjati tre ditë me radhë, në datat 18, 19 dhe 20 Tetor nga ora 10 e paradites deri në 8 të mbrëmjes”. Nga ana tjetër, deklarata bën fjalë se: “Fituesi me fat i ‘Brunes’ së ALBtelecom dhe Eagle Mobile është përzgjedhur në një transmetim të drejtpërdrejtë televiziv (në TV Klan) dhe është qytetari nga Puka, Gjet Marku. Dhurimi i super ‘Porsche Carrera 911’ është bërë mbrëmjen e së shtunës, ku Drejtori i Përgjithshëm i ALBtelecom z. Erkan Tabak i ka dhuruar çelësat e supermakinës z. Marku duke nënvizuar se krahas lirisë së komunikimit që kompania ofron me ofertat dhe shërbimet e saj, ajo synon edhe të surprizojë me aktivitete të tilla. Ndërsa Drejtorja e Marketing znj. Floreta Zhulali ka premtuar se së shpejti Albtelecom dhe Eagle bëhen gati për një tjetër edhe surprizë, që për momentin mbetet enigma”. Për këtë arsye, pra për t’i thënë “jo” këtij spekulimi me emocionet e qytetarëve, në mënyrë që këtu të ndalet çdo lloj lotarie, që provokon njerëzit, gazeta “Telegraf”, do t’i drejtohet ekspertëve ligjorë për interpretim të plotë të shkeljeve ligjore. Një fjalë e urtë thotë: “O korrektesë që në fillim, ose liberalizëm, deri në fund”. Pra, ose luftë të gjitha lojërave dhe lotarive të fatit, ose tolerim për të gjitha ato. Madje, gazetat “Telegraf”, do të shikojë me kujdes edhe tabelat e reklamave të vendosura nëpër rrugë, sidomos ato që përbëjnë shkelje të hapura të ligjshmërisë. Duke kërkuar gjithmonë zbatimin korrekt të rregulloreve dhe ligjit. E themi këtë pasi më e keqja është se këto kompani, duan t’i vazhdojnë këto lojëra fati edhe në të ardhmen. Deklarata thotë se: “Drejtorja e Marketing znj. Floreta Zhulali ka premtuar se, së shpejti Albtelecom dhe Eagle bëhen gati për një tjetër edhe surprizë, që për momentin mbetet enigma”. Kjo tregon, se rreziku i lotarive shtohet. Por edhe investigimi dhe denoncimi nga ana e “Telegraf”-it, do të ketë intensitet më të lartë, karshi parregullsive të këtyre kompanive.