Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi dhe delegacioni shqiptar, u pritën nga Presidenti i Rajonit Molise, Donato Toma

438
Sigal

Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi ndodhet për vizitë zyrtare dyditore në Itali, me ftesë të Presidentit të Dhomës së Deputeteve Fico dhe Presidentes së Senatit Casellati.

Ruçi në këtë vizitë u shoqërua nga Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla, Kryetarja e Komisonit të Jashtëm dhe Kryetare e Grupit të Miqësisë me Italinë Mimi Kodheli, Kryetari i Këshillit të Qarkut Tiranë Aldrin Dalipi dhe Ambasadorja e Shqipërisë në Itali Anila Bitri.

Gjatë këtij takimi,  Ruçi vuri në dukje se: “Ndodhem në Itali për të nxitur bashkëpunimin me Senatin, Dhomën e Deputetëve e qeverinë italiane, por edhe bashkëpunimin e decentralizuar me rajonet italiane. Italia është jo vetëm partnerja strategjike e Shqipërisë, por edhe shtëpia e dytë e rreth gjysëm milion shqiptarëve, të cilët kanë ndërtuar atje punën, jetën dhe shkollimin fëmijëve të tyre. Në rajonin Molize shqiptarët përbëjnë rreth 6% të të huajve. Lidhjet ekonomike, kulturore, politike e njerëzore midis Italisë dhe Shqipërisë, midis rajonit Molize dhe qarqeve të Shqipërisë, ndihmohen edhe nga prezenca e katër komunave arbëreshe në këtë rajon: Campomarino, Montecilfone, Portocannone dhe Ururi. Jam njohur dhe ju përgëzoj për përpjekjet e mëdha që po bëni kohët e fundit në të gjityë Italinë, por vecanërisht në Molise, për të ruajtur dhe zhvilluar thesarin kulturor, gjuhën, kulturën dhe traditat e Arbëreshëve.”

Kryetari i Kuvendit  bisedoi me Presidentin Toma, mbi bashkëpunimin e suksesshëm të rajonit Molise me ministri, agjenci dhe organe të qeverisjes vendore, mbështetetur edhe nga programet INTERREG, INTERREG-KARDS, INTERREG IPA II Itali-Shqiperi-Mali i Zi etj, dhe nënvizoi rëndësinë e zgjerimit të këtij bashkëpunimi me institucione e qarqe të tjera, të Shqipërisë.

Toma e falenderoi Kryetarin e  Ruçin për vizitën në këtë rajon, si edhe në komunat arbëreshe dhe nënvizoi se bashkëpunimi me Shqipërinë është përparësi e bashkëpunimit ndërkombëtar të këtij rajoni. “Jam i impresionuar nga personaliteti, përvoja dhe kontributi i  Rucit për zhvillimin e shoqërisë shqiptare dhe nxitjen e bashkëpunimit shqiptaro-italian”, vuri në dukje Presidenti Toma.