Kryeballisti Adriatik Alimadhi: Komandantët dhe partizanët do të mbeten gjakatarë. Qemali, Enveri, Mehmeti, Moisiu etj., kriminelë dhe xhelatë. Balli luftoi i pari kundër fashistëve. Respekt për z. Rama që vlerësoi atdhetarin Mithat Frashëri

586
Sigal

Adriatik Alimadhi, deputet, kryetari i Ballit Kombëtar

Në Shqipërinë etnike janë vrarë mbi 70.0000 shqiptarë dhe janë përzënë nga trojet e tyre mbi 350.000 të tjerë që lanë atdheun e tyre për shkak të kriminelëve komunistë dhe partizanë. Ata do të mbeten gjakatar dhe koha do t’i kujtojë  përfundimisht të tillë

Komandatët dhe komisarët e Ushtrisë Partizane do të mbeten gjakatarë dhe koha do t’i kujtojë  si kriminelë

Petraq BARJAMI

Adriatik Alimadhi, kryeballisti i sotëm, deputet, në intervistën për gazetën “Telegraf” shpreh vlerësimet për kryeministrin Rama pse nderoi Mit’hat Frashërin, si patriotin e madh të Shqipërisë. Kryeballisti Alimadhi, edhe një herë i cilëson komandantët dhe komisarët e Ushtrisë partizane si kriminelë, dhe mohon që ballistët të kenë bashkëpunuar me fashistët dhe nazistët, por ballistët kanë qënë patriotë dhe luftuan të parët për Shqipërinë kundër fashizmit italian.

– Zoti Alimadhi, sa afër filozofisë të Filozofit Mid’hat Frashëri për Kombin është filozofia politike e Ramës, derisa kryeministri i thuri gjithë ato elozhe në ceremoninë që organizoi në Tiranë në ceremoninë e rivarrimit tij?

– Unë mendoj që rrallë lindin dhe janë figurat që mund t’i ngjajnë ideatorit, themeluesit dhe kryetarit historik të Ballit Kombëtar, si rrjedhojë nuk mund t’i afrojë asnjë filozofi filozofisë së tij. Rama, nuk mundet t’i afrohet kurrrë. Mid’hati ngrihej mbi parime thellësisht dhe plotësisht madhore dhe vetëm në interes të të Shqipërisë  dhe bashkëatdhetarëve të tij. Megjithatë, me duhet gjithashtu të them se gjithë klasa politike po përpiqen të veprojnë me programin politik të Ballit Kombëtar sepse është program që përputhet me interesat jetësore dhe ekzistencën e shqiptarëve. Prandaj Balli Kombëtar nuk vdes kurrë sepse i ka rrënjët te partia e ekzistencës shqiptare, parti e interesit kombëtar.

– Ju, si i gjykoni vlerësimet e kryeministrit Rama për Mithat Frashërin, kur ndërkohë të Majtët e kritikojnë kryeministrin Rama se vlerësoi kryeballistin dhe kryetradhëtarin Mithat Frashëri?

– Keqardhje për të majtët që kanë ngelur me togfjalshin bashkëpuntor e tradhëtar, koha po vërteton çdo ditë se tradhëtarët ishin kriminelët partizanë dhe komunistë. Rama bëri vlerësimin e duhur dhe të merituar, duhej bërë më parë. Respekt për Këshillin e Ministrave, kryeministrin dhe komisionin shtetëror për organizimin për realizimin e një ceremonie në nivelin e duhur të një burri shteti, Shërbestarit të Shqipërisë Mid’hat Abdyl Frashërit. Ky proçes duhet të vazhdojë me kthimin në atdhe të të gjitha eshtrave të shqiptarëve që ndodhen në dhè të huaj dhe kjo duhet të bëhet me një strukturë të veçantë shtetërore për të gjitha qeverisjet e vendit, dhe vetëm kështu mundet që të qetësohen shpirtrat e trazuar të shqiptarëvet.

A kanë analogji historike për rolin që luajtën në shërbim të Atdheut Gjenerali Peten, Heroi Francës në Luftën e Parë Botërore, por që u dënua për tradhti ndaj Francës pas Luftës së Dytë Botërore, me Mid’hat Frashërin?

– Nuk është krahasim i drejtë, as Balli Kombëtar dhe as Mid’hat Frashërit kurrë nuk kanë bashkëpunuar, kanë bërë luftë kombëtare, luftrat e para kundër pushtuesëve i kanë bërë ballistët dhe Balli Kombëtar, Lufta e Gjinoqarit, Ruzhdijes, Gjormit e tjera, pra kanë luftuar patriotët, kjo kuptohet qartësisht, sepse grupet komuniste dolën në shesh, 8 nëntor 1941, po më parë kush ka luftuar, pra shqiptarët e ndershëm, prandaj nuk është krahasimi i drejtë. Ndoshta ju me të drejtë më drejtoni këtë pyetje për sa kohë që vet francezët e shohin figurën e gjeneralit Filip Peten si një figurë kontroversale dhe mund t’a analogjizoni atë me dritë-hijet që disa shqiptarë i japin figurës së gjeniut kombëtar Mid’hat Frashëri, por kjo analogji nuk mund të qëndrojë ndërmjet këtyre dy figurave për një sërë arsyesh. Së pari, i referohemi dy figurave që i kanë shërbyer atdheut, por nuk kanë pasur të njëjtin pozicion, Peteni është një ushtarak ndërkohë që Mid’hat-i ishte njeriu i përmasave të mendjes, vëllazëror, por më shumë njeriu i penës në udhëheqësi, ishte i dashur dhe shumë vëllazëror. Së dyti, i referohemi dy ngjarjeve dhe vendimmarrjeve të ndryshme nga të dyja figurat. Së treti, Mid’hati nuk ka qenë asnjëherë tradhëtar dhe prandaj as që nuk mundet të krahasohen, ndërsa Peten është dënuar përjetësisht për tradhëtinë që i bëri vendit të tij me krijimin e shtetit të Vishisë, kurse Mid’hat Frashëri nuk bëri këtë tradhëti, por tha se pa Kosovë dhe  Çamëri nuk ka Shqipëri, kërkoi një Shqipëri të vëllazëruar dhe të bashkuar, kërkoi Shqipëri etnike, si mundet të krahasohen?  Jetojmë akoma në Shqipëri, ku tradhëtari bëhet hero dhe patriot dhe atdhetari dhe patrioti mbeten tradhëtar, e çuditëshme.

– Ju, dhe Balli Kombëtar, si e gjykoni rezolutën e Institutit të Studimeve për Krimet e Komunizmit që i dërgoi Parlamentit shqiptar dhe i kërkon që 265 komandantë dhe komisarë të çetave, batalioneve, Brigadave Sulmuese dhe njësive të Ushtrisë Partizane të ngarkohen me përgjegjësinë e krimeve të Luftës?

-Çdo ditë e më shumë po flasin faktet, prisni se koha do vërtetojë kush ishin anti-shqiptarët dhe kush ishin patriotët, kush ishin bashkëpuntorët, fashistët dhe kush ishin kriminelët, në Shqipërinë etnike janë vrarë mbi 70.0000 shqiptarë dhe janë përzënë nga trojet e tyre mbi 350.000 të tjerë që lanë atdheun e tyre për shkak të kriminelëve komunistë dhe partizanë. Ata do të mbeten gjakatar dhe koha do t’i kujtojë  përfundimisht të tillë. Krimineli mbetet kriminel, duhet të ndëshkohet.

– Çili është vlerësimi juaj për rolin e Enver Hoxhës në Luftën e Dytë Botërore, si Komandanti i LANÇ?

-Në vitin 2019, kur për gjermanët nuk lejohet të përmendet termi nazist, ne vijojmë ende ta përmendim emrin e këtij krimineli, disa prej të cilëve kërkojnë edhe rikthim të tij, është një krim tjetër më vete. Kriminel, diktator kriminel, do të mbetet në historinë e Shqipërisë.

– Cili është vlerësimi juaj për rolin e Mehmet Shehut si komandanti i brigadës së Parë Sulmuese në 1944-1944?

-Njeriu kriminel që nuk u ngop me mish njeriu. Gjakëpirësi, njeriu më pashpirt që i ka rrjepur, i ka mbathur me patkonjë kali, i ka nxjerrë sytë, ju ka prerë organet seksuale shqiptarëve për të mos lënë trashëgimtarë, gjakëpiërsi dhe krimineli me përmasa të mëdha dhe jo me shpirt njerzor, xhelat, katil, por edhe shpirt zi.

– Cili është vlerësimi juaj për rolin e Ramiz Aliaj në Luftën Nacional Çlirimtare, edhe si Komisar i Divizionit të Parë Sulmues?

-Dokumentat dhe faktet po flasin, antarë i partisë fashiste, të gjithë këta që ju me përmendni keni një qëllim, por po ju them, historia dhe shqiptarët do t’i kujtojnë si kriminel historikisht.

– Cili është vlerësimi Juaj për rolin e Spiro Mojsiut, si Komandanti i parë i Shtabit të Përgjithshëm i Ushtrisë Nacional Çlirimtare?

-Meqë po mi përmendni të gjithë këta kriminel këtu më poshtë lexoni se çfarë thuhet nga dosja që gjendet në arkivin e shtetit.  Të dhënat e dosjes:  Komiteti Drejtoria ARKIVI QËNDROR I P. P. SH.  Seksioni FONDI: Organizata Tradhëtare të Krijuara Kundra Lëvizjes N-ÇL Balli Kombëtar PëRMBAJTJA: PARTI KOMUNISTE APO PARTI TERRORISTE  Botimi i Ballit Kombëtar, Viti 1944  Data e dokumentit të parë Data e dokumentit të fundit  Dosja 118 fletë, faqe  ARKIVI QENDROR I PPSH: “Spiro Mojsiu, xhelat i të martirizuarve të Fierit, sot në krye të brigadavet që do t’i japin liri popullit. Partia komuniste ka si për kryetar të shtabit Major Spiro Mojsinë. Për ata që se dinë komandant i burgjeve të Fierit gjatë shtypjes së lëvizjes më 1935. Gjithë bota revolucionare e atëhershme e di se në ç’mënyrë është sjellur Spiro Mojsiu gjatë atij shërbimi. Ai ka qënë xhelati i burgjeve që kanë bërë torturat morale e trupore më të tmerrëshme. Ka qënë Spirua ai që hapte në mëngjes herët dyert e birucavet ku ishin hedhur si shtazë të dënuarit me vdekje që pritnin nga një minutë në tjetrin t’i shpinin në litar. Lexoni, kush ishin katilat komunistë: ku shumica e anëtarëve të partisë terroriste komuniste ishin anëtarë të partisë fashiste etj. Ç’thua ti për këtë punë z. Mehmet Shehu? Gjer më sot s’kemi marrë në gojë emrin e njërit e të tjetrit që ndodhet në radhët tuaja, sepse s’kemi zakon të shajmë, mbasi sharjet dhe fyerja nuk janë argumenta për të mbrojtur një thezë. Por jeni ju vetë që na bëtë të dalim jashtë njerzillëkut dhe na detyruat t’ju kujtojmë një pjesë fare, por fare të vogël të vepravet të ca anëtarëvet tuaj.”

– Cili është vlerësimi juaj për Heroin e Popullit Qemal Stafa?

-Dua që të zbardhet e vërteta mbi vrasjen e tij, por për mua të gjithë komunistët që kanë lyer duart me gjak shqiptari quhen kriminal.

– Pse Parlamenti Shqiptar në këto vite pas 1991-it nuk ka shpallur asnjë Dëshmor dhe Hero nga Balli Kombëtar?

-Nuk di sa i saktë duhet të jeni me këtë pyetje, por mund të them që duhet të ketë shumë që janë rregjistruar me statusin e dëshmorit, por që është gabim që janë rregjistruar në një vend me kriminelët.

– A mund të cilësohen eksponentët e Ballit Kombëtar, si persona përgjegjës për Krime Lufte, pse luftuan përkrah nazistëve gjermanë kundër partizanëve në Operacionin e Dimrit 1943-1944 dhe në Operacionin e Qershorit 1944 dhe morën pjesë edhe në shumë masakra ndaj popullsisë shqiptare dhe në djegien e shumë fshatrave të cilësuara si “Bazë e Partizanëve”?

-Jo, askush nga eksponentët e Ballit Kombëtar nuk ka lyer duart me gjak shqiptari dhe nuk mund të cilësohen përgjegjës, kurrë nuk ka bashkëpunuar Balli Kombëtar me pushtuesit, padrejtësi historike, mos u mërzisni se çdo ditë faktet dhe dokumentat po vërtetojnë që Balli Kombëtar bënte luftë kombëtare, ka luftuar i pari kundër pushtuesve, sepse patriotizma ekziston gjithmon te shqiptarët dhe jo në periudha të caktuara, në këtë vend kanë luftuar patriotët historikisht, edhe në vitet 1943- 1944 kanë luftuar Ballistët dhe luftërat e para kundër pushtuesve, në Gjinoqar Berat, Ruzhdije Fier, Gjorm Vlorë etjera i ka bërë Balli Kombëtar,  kriminelët komunist vetëm verane vëllezërit e tyre shqiptar, dhe në një kohë shumë të shkurtër kanë vrarë 4000-6000 shqiptarë të pafajshëm, Balli Kombëtar pranoi një mijë e një të zeza për të mos i lyer duart me gjak shqiptari, Ai ngelet i pastër, gjigand dhe vllazëror, i ka dashur gjithmon të mirën Shqipërisë dhe shqiptarëve, koha na dha të drejtë, sepse të tillë ishim atëhere dhe do mbetemi në vazhdimësi, Partia Jonë Është Shqipëria.