Maqedoni, Gruevski merr mandatin për formimin e qeverisë

471
Sigal

Në Maqedoni, presidenti Gjorgje Ivanov i dorëzoi sot
kryetarit të partisë VMRO-DPMNE, Nikolla Gruevski mandatin për formimin e
qeverisë, në ditën e fundit të afatit.

Megjithëse partia VMRO-DPMNE fitoi më shumë mandate
në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 11 dhjetorit, deri tani ajo nuk ka
siguruar shumicën e nevojshme në parlament për miratimin e kabinetit të ri
qeveritar. VMRO-ja ka fituar 51 vende ndërsa Lidhja Social Demokrate ka
siguruar 49.

Tek partitë shqiptare, Bashkimi Demokratik për
Integrim mori 10 mandate, nëntë më pak se në zgjedhjet e vitit 2014. Si parti e
dytë doli Lëvizja Besa në koalicion me njërin prej fraksioneve të Rilindjes
Demokratike Kombëtare me gjithsej 5 deputetë, ndërsa Lëvizja për Reforma me
partnerët e Aleancës për Shqiptarët ku bëjnë pjesë Uniteti dhe pjesa tjetër e
Rilindjes Demokratike Kombëtare arritën të fitojnë tre vende në parlamentin e
Maqedonisë. Partia Demokratike Shqiptare e cila pësoi humbjen më të thellë, ka
vetëm dy mandate në parlament.

Nga dita e sotme, Nikolla Gruevski ka 20 ditë për të
formuar qeverinë. Kjo do të jetë një përpjekje e vështirë, duke patur parasysh
marrëveshjen e partive shqiptare me anë të së cilës paraqesin kushte për
avancimin e të drejtave të shqiptarëve në Maqedoni, e që kërkojnë nga ana
tjetër, ndryshime kushtetuese. Po ashtu, Lëvizja Besa dhe Aleanca për
Shqiptarët janë shprehur prerazi se nuk do të futen në një koalicion qeveritar
me VMRO-DPMNE-në.

Nëse zoti Gruevski nuk arrin ta formojë qeverinë
brenda afatit, atëherë mandati i kalon Lidhjes Social Demokrate, si partia e
dytë me më shumë vende në parlament.

Në një intervistë dhënë të përditshmes Dnevnik, zoti
Gruevski i dërgon mesazhe BDI-së duke theksuar ndjenjat e zhgënjimit dhe
përpjekjet e partisë shqiptare që në këtë mënyrë të vendos një rregull të ri.
Gruevski shpreson se brenda një të ardhmeje të afërt do të ketë zgjedhje të
reja dhe se partia e tij do të fitonte thellë dhe në atë rast nuk do të kishte
obligime ndaj askujt në formimin e qeverisë.

Komisioni Evropian ka theksuar sot nevojën për
formimin sa më shpejt të një qeverie të qëndrueshme. Zëdhnësja Maja Kocianjçiç
duke folur nga Brukseli tha se KE dëshiron të shohë realizimin e reformave që
dalin nga marrëveshjet politike të vendit. Para pak ditësh zyrtarët e lartë
Mogherini dhe Hahn janë shprehur se presin që opozita e ardhshme të ketë rol
konstruktiv dhe aktiv në parlamentin e Maqedonisë.