Krimi dhe korrupsioni mbajnë peng Shqipërinë

216
Ndërkombëtarët, nis ftohja me Edi Ramën
Brenda 2 muajsh, pas reagimit amerikan për Kosovën dhe votën në OKB, OSBE shigjeton qeverinë, duke shprehur shqetësimin serioz për korrupsionin. Edhe “Amnesty International” lëshon kritika
Marrëdhënia me ndërkombëtarët, përfshirë trupin diplomatik në Tiranë dhe kancelari të rëndësishme në SHBA dhe BE, ka qenë një ndër armët më të forta të kryeministrit Rama, prej ardhjes në pushtet 5 vjet më parë. Shefi i qeverisë e ka përdorur ndjeshëm sjelljen e ndërkombëtarëve, si në rastin e reformës në drejtësi, duke u përpjekur ta kanalizojë atë si një mbështetje politike apo edhe personale. I kundërshtuar shpesh me ashpërsi nga opozita për çështjen e kanabisit, kryeministri është mbrojtur publikisht se ekzistenca e një problemi kaq madhor të prezantuar nga Partia Demokratike nuk ishte “certifikuar” nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian. Pas shumë muajsh debati të ashpër politik dhe shpërthimit të çështjes “Tahiri”, edhe mes diplomatëve “lulëzuan” zërat e parë që flisnin për drogën dhe lidhjet e saj me politikën. Por dy muaj e fundit duket qartësisht se nuk kanë qenë kaq të lehtë në marrëdhëniet e qeverisë së majtë në Tiranë me faktorin ndërkombëtar dhe kryesisht me Shtetet e Bashkuara. Starti i kësaj thyerjeje ishte votimi i Shqipërisë në Asamblenë Parlamentare të Kombeve të Bashkuara. Vota e Tiranës shkoi për kundërshtarët e qëndrimit amerikan lidhur me Jerusalemin dhe Uashingtoni bëri të qartë se nuk do ta harronte lehtë atë çfarë ndodhi në fund të dhjetorit në Nju-Jork. Ndonëse u përjashtua nga një pritje e misionit amerikan në OKB, në drejtim të Shqipërisë nuk erdhën kritika direkt publike. Por duket se amerikanët nuk e kapërdinë lehtë votën për Jerusalemit. Për të dhënë një goditje të dytë në drejtim të qeverisë shqiptare shërbeu një deklaratë e kryeministrit Rama në Prishtinë në mes të shkurtit, kur festohej 10-vjetori i Pavarësisë së Kosovës. Imagjinata e Ramës, siç e shpjegoi vetë kryeministri, për një President të përbashkët mes Shqipërisë dhe Kosovës u cilësua si zhgënjim, padobishmëri dhe gjuhë e shthurur. Shefi i qeverisë bëri përpjekje për një tërheqje, por deklarata e Uashingtonit erdhi pikërisht pasi Rama kishte tentuar të shpjegonte imagjinatën e tij. Si të mos mjaftonte qëndrimi amerikan, do të trokiste një raport i “Transparency International”. Këtë herë kritikat ishin për korrupsionin dhe Shqipëria kishte përkeqësuar renditjen. Por nëse raporti i TIA-s është periodik dhe i përvitshëm, krejt i veçantë erdhi dje reagimi i Pranisë së OSBE-së në Tiranë. Në një deklaratë zyrtare, OSBE nënvizonte problemin e rëndë me korrupsionin në Shqipërisë, duke e cilësuar si shqetësim serioz. Më tej OSBE kërkonte forcimin e llogaridhënies së administratës publike, institucioneve të pavarura dhe për hetim të pavarur të korrupsionit. Ndërkombëtarët nuk u ndalën këtu dhe pikërisht dje “Amnesty International” lëshoi shigjetën tjetër. “Rruga e Shqipërisë për anëtarësimin në BE u pengua nga përparimi i ngadalshëm në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”, ishte një ndër përfundimet e raportit vjetor. Nga ana e tij, kryeministri Rama ka nënvizuar disa herë në publik marrëdhëniet pozitive me ndërkombëtarët, duke deklaruar se qeveria e tij gëzon mbështetje. Një mbështetje që duket se po lëkundet nga zhvillimet e fundit.