Kreu i LDE, Arian Galdini: Me Ramën kryeministër, zgjedhjet e 2017 janë të rrezikuara

469
Sigal

Presidenca
Trump, shpëtimi i Shqipërisë nga Fenomeni “Soros” , dështimi i ligjit të
dekriminalizimit, Vettingu dhe zgjedhjet e 2017

1.      

Jakup B. GJOÇA

Arian
Galdini, Kryetar i Partia për Liri, Demokraci dhe Etike në intervistën për
gazetën “Telegraf” pohon se Presidenca Trump do ta shpëtojë Shqipërinë nga
fenomeni rrezikplotë “Soros”, pasi në axhendën e Presidentit Trump është
qeverisje të pastra edhe në Ballkanin Perëndimor. Zoti Galdini pohon, se me
kryeministrin Rama nuk mund të ketë zgjedhje të lira, pasi qeveria e Rilindjes është
sinonim i bashkëpunimit me krimin e organizuar. Qeverisja e Rilindjes, thotë
zoti Galdini, qeverisë në pushtetin qendror dhe lokal me persona të
kriminalizuar. Për pengimin e integrimit të Shqipërisë në BE, zoti Galdini
pohon se klasa politike aktuale nuk është e interesuar për anëtarësimin e Shqipërinë
në BE.

 


-Zoti Galdini, duke marrë shkak nga akuza e
kryeministrit ndaj Opozitës, pas takimit që bëri në Berlin me Znj. Merkel, a
është Vettingu pengu i Integrimit dhe shkaku që BE nuk hap negociatat e
anëtarësimit me Shqipërinë?


Nuk e besoj, se jemi në atë situate epike të kaq shumë ëndërruar
e dëshiruar nga çdo shqiptar, kur vetëm një çështje bëhet çelësi i hapjes apo
jo të negociatave. Besoj se Shqipëria institucionale, ka edhe Vettingun për të
përmbushur në listën e porosive, kritereve dhe zotimeve të ndërmarra si
rezultat i logjikës së zhvillimeve dhe dinamikave në vend, mes Shqipërisë dhe
BE. Por e vërteta që njohim ne çdo ditë, e dinë mjaft mirë edhe partnerët tanë
strategjike, është një Shqipëri që nuk ka asnjë matricë që ta bëjë të matshme
sipas standardeve evropiane. Kjo është Shqipëria reale, pra përtej asaj Shqipërisë
institucionale që matet me listë kriteresh e prioritetesh, ose vlerësohet me
vendim e interes politik të të gjithë krerëve të KE, PE dhe të Këshillit të
Ministrave Europiane, ose me vendim e interes politik të çdo vendi anëtar të BE
rast pas rasti. Në të dyja rastet, gjuha e përdorur dhe e dakordësuar në
raporte, opinione dhe qëndrime publike, është ajo që shkon në përputhshmëri me
matricën e dakordësuar institucionalisht. Kjo është edhe arsyeja pse në raportet,
opinionet apo qëndrimet publike a zyrtare të BE, shpesh neve na duket me bukë për
gojët propagandistike të të gjitha palëve, ose krejt edhe si gjuhë e drunjtë e
pakuptimtë, apo e shumëkuptimtë. Me përgjegjësi them se Shqipëria e vërtetë është
ajo që ka ende shumë për të bërë që ta meritojë çdo hap a portë të hapur drejt
BE. Qeverisja e korruptuar, kanabisizimi, plehrëzimi dhe koncesionizimi i Shqipërisë
nga Pakica Politike Sunduese, rrëzimi i lirive dhe të drejtave demokratike të
qytetarëve, asgjësimi i zgjedhjeve të lira e të ndershme, duke i shndërruar ato
në një Panair Votash në shitblerje, mveshja me mandate përfaqësuese në nivel qendror
dhe lokal i njerëzve te krimit, trafiqeve e MAFIAS, lidhjet dhe bashkëpunimi në
nivelet më të larta vendimmarrëse dhe politikëbërëse me botën e krimit të
organizuar dhe atij ordiner, arlekinizmi dhe aventurierizmi i qeverisësve tanë
në politikën Rajonale dhe atë Ndërkombëtare, e shumë të tjera të tilla, janë
shkaset dhe arsyet kryesore, të vërteta dhe themelore të vonesave në proceset
tona përkrah integrimi evropian. Nuk besoj se Vettingu është pengesa e vërtetë
e moshapjes së negociatave. Në listën e Shqipërisë institucionale, Vettingu është
çështja ende e paplotësuar. Ajo matrice e ka kusht natyral përmbushjen e këtij
objektivi të matshëm. Gjithsesi, Shqipëria reale vuan për shkak të keqqeverisjes,
plaçkitjes qeveritare, mungesës së vizionit dhe projekteve zhvillimore dhe
transformuese, kanabisizimit dhe mosthemelimit ende pas 25 – 26 vitesh të
zgjedhjeve të para të lira, të ndershme dhe të drejta. KE, PE, Liderët e BE ia
kanë bërë të qartë qeverisë shqiptare dhe të gjithë faktorëve politikë, këtë
problematikë dramatike të Shqipërisë reale. Bërja e Shqipërisë reale, si në
Shqipëri të lirë, demokratike, që zhvillohet nëpërmjet imagjinatës, talenteve,
zotësive, konkurrencës, vizionit dhe projekteve të më të mirëve, do të na i
kthejë hapat e integrimit evropian në një rrugëtim pa kushtëzime, por me aspirata
të larta.


A janë të
interesuara politikisht Mazhoranca dhe Opozita për të kryer reformat e
integrimit? Përse deri tani, këto reforma nuk janë kryer?


Asnjëherë nuk kam besuar, se klasa politike shqiptare ka qenë
vërtet dhe sinqerisht e interesuar për integrimin evropian të vendit. Ka një
konsensus negativ të udhëheqësve politikë, për të qenë zbatues të zvarritur të matricës
së matshme të Shqipërisë institucionale në raportet e saj me BE. E kurrë nuk
kanë punuar për ta bërë Shqipërinë reale një Shqipëri Europiane.

– Përse
dështoi dekriminalizimi?

Shumë e thjeshtë. Sepse zbatimi i ligjit varet
rreptësisht nga qeveria. Ndërsa qeverisja varet plotësisht nga ata njerëz e
grupe njerëzish që janë në Kuvend, Bashki, Administratë, e Parti, të cilët janë
subjekte të dekriminalizimit.

– Cila
palë politike shqiptare mund të fitojë kredo politike, nëse BE nuk fillon
negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë?

Integrimi Evropian nuk mund të jetë në
asnjë rast çështje elektorale, apo përfitimi politik. Kush e kthen çështjen e
integrimit të Shqipërisë në bast interesash të ngushta,apo ditore partiake, a
politike, është i ligë dhe vazhdon te kacavirret pas bjerrjes, apo lëvrimit të
Shqipërisë institucionale, që luan nëpër matrica me BE, ndërsa vret me ndërgjegje
të plotë shpresat e shqiptarëve që e duan Europiane, Shqipërinë reale.

– Nga se
rrezikohen zgjedhjet e 2017, aq sa BE të kushtëzojë procesin e integrimit të
Shqipërisë me procesin zgjedhor të 2017?

Ne këtu në Shqipëri, në këto 25 – 26 vite,
ende nuk kemi themeluar apo zhvilluar zgjedhjet e para të lira, të ndershme dhe
të drejta. Kësisoj, zgjedhjet më së pari rrezikohen nga mospasja e asnjë përvoje
të vërtetë me zgjedhje demokratike. Kemi votime, por jo zgjedhje. Nëse në këto
25 – 26 vite, nuk ia kemi dalë dot mbanë të themelojmë zgjedhje të lira dhe të
ndershme, e sigurt është se edhe votimet kanë filluar të degradojnë nga vjedhja
dhe mbushja banale e kutive, listat e rrejshme të votuesve dhe përdorimi i
aparatit shtetëror për të siguruar tjetërsimin e vullnetit të qytetarëve, deri
tek shitblerja, bashkëfajësia me kanabisizimin dhe përdorimi si operatorë
votash në terren dhe madje edhe si kandidatë, të njerëzve më të zëshëm e zellshëm
të botës së krimit dhe MAFIAS. Zgjedhjet e qershorit 2017 rrezikohen, për të
mos thënë mund të konsiderohen të asgjësuara, sepse aktori kryesor i degradimit
të procesit të votimeve në Shqipëri, është qeveria e Rilindjes, e cila është njëkohësisht
ngjizësja dhe pjella me par exellence e simbiozës politikë – krim. 

– Deri
tani, as Mazhoranca dhe as Opozita nuk kanë pranuar që të ndryshohet Kodi
Zgjedhor aktual, si shkaku i kriminalizimit të Parlamentit. Cili është mendimi
juaj, përse faktorët politikë duan statukuonë e Kodit Zgjedhor?

Qeveria e Edi Ramës nuk do dhe afërmendsh nuk
ka pse ta ndryshojë këtë Kod Elektoral antidemokratik, që në krye të herës, vetëm
nëse ka mundësi që ta ndryshojë për ta përkeqësuar. Edi Rama nuk do zgjedhje,
do votime të akaparuara. Prandaj ai po e zbraz Shqipërinë nga shqiptarët, në mënyrë
që guximtarët që mund të ngrenë krye, të largohen, ndërsa të pashpresët që
mbeten të plogështohen më shumë e të jenë më të paktë në numër për t’u blerë,
trysnuar, ose bashkëfajësuar më lehtë. Sfida për ndryshimin radikal të Kodit
Elektoral në mënyrë që të bëhet sa më demokratik e madje edhe themelues i
zgjedhjeve të para, të lira dhe të ndershme është e Opozitës. Nëse ne, si
Opozitë, nuk e bëjmë këtë, kemi ndarë bashkëfajësi me krimin elektoral dhe
shpresëvrasës, që po u bëhet shqiptarëve nga qeverisja e Rilindjes.

– Atëherë,
çfarë pritshmërie ka reforma zgjedhore, që përgatitin?

Për të qenë i sinqerte me ju, Partia për Liri,
Demokraci dhe Etike, nuk kemi asnjë shpresë reale e asnjë pritshmëri pozitive në
mundësitë e ndonjë ndryshimi themelor e të mbarë në Kodin Elektoral. Unë dhe
LDE dyshojmë në një konsensus negativ të udhëheqësve politikë të majta e të
djathta, për të mos mundësuar e as lejuar shprehjen, leximin dhe pronësinë e
drejtpërdrejtë prej qytetarëve shqiptarë të vullnetit të tyre të ushtruar me
votë dhe zgjedhjeve të lira e të ndershme si proces.

– Ka një
paradoks politik në Shqipëri. Kryeministri Rama pretendon se Rilindja ka
luftuar trafikimin e Kanabis, ndërkohë BBC jep reportazh, se Shqipëria është
kryeqyteti i drogës. A ka lidhje të drejtpërdrejtë qeveria, apo segmente dhe
persona të fuqishëm të saj me trafikimin e Kanabis?

E vetmja luftë që bën Edi Rama është për të
ruajtur kontrollin dhe dominimin mbi e ndaj të gjithë kësaj organizate
kriminale në simbiozë mes qeverisjes dhe mafias, që inkurajon, mbjell,
kultivon, korr, magazinon, transporton dhe trafikon kanabisin. Tjetër luftë nuk
bën ai. 

– Sa
realizëm ka akuza e Opozitës, se milionat euro që përfitohen nga trafikimi i
Kanabis, do të përdoren edhe për të financuar zgjedhjet parlamentare të 2017?

Kjo është edhe beteja më e vështirë, por edhe
më jetike për ne, si Opozitë. Dekriminalizimi, dekanabisizimi, dehajnizimi,
dekoncesionizimi, janë të vetmet shtylla që mund të mundësojnë e lejojnë që në
Shqipëri të bëhen zgjedhje të lira dhe të ndershme. Përndryshe, ne do të jemi
vetëm dekor në një panair votash, të cilat Edi Rama është në rrugë e sipër të
akaparimit të tyre, nëpërmjet shitblerjes dhe bashkëfajësisë me kanabisizimin.
Kanabisi krijon para për të shitur e blerë votat, por krijon edhe bashkëfajësi.
E kjo është edhe më e rëndë, sepse është një gur varri i rëndë i lidhur në këmbët
e shpresës së çdo shqiptari.

– Nga
Kryeministri Rama jepet ndjesia politike se Korrupsioni pengohet të luftohet
ngaqë nuk është miratuar reforma në drejtësi, dhe se Gjyqësori i reformuar do
të ketë fokus hetimi dhe gjykimi vetëm korrupsionin e Ish-ëve qeveritarë. Kur
BE dhe SHBA këmbëngulin fort që të luftohet korrupsioni në Shqipëri, a kanë të njëjtin
fokus politik me kryeministrin?

Të jemi të qartë, SHBA dhe BE nuk ndajnë të njëjtën
agjendë me Kryeministrin Edi Rama. Kultura shtetformuese e partnerëve tanë
strategjike është e ndërtuar mbi bazat dhe shtyllat e forta të mirëbesimit se
politikanët kërkojnë të votohen dhe mandatohen që t’u shërbejnë vendit dhe
qytetarëve të tyre. Fjalët e njëjta që krijojnë konfuzion, nuk tregojnë agjendë
të njëjtë. Kemi të bëjmë me dy botë të ndryshme mendimi e veprimi. Perëndimorët
besojnë se politikanët tanë, përfshirë këtu edhe Edi Ramën, duhet të kryejnë
detyrat e tyre funksionale në shërbim të publikut dhe vendit, me skrupulozitet,
përgjegjshmëri dhe llogaridhënie. Ndaj ata bëjnë kompromise të të mundshmes,
duke fituar terren në favor të interesit demokratik dhe zhvillimor të Shqipërisë,
nëpërmjet matricave me Shqipërinë institucionale, e njëkohësisht duke mbajtur qëndrim
të vrazhdë e refuzues ndaj mostransformimit, hajnisë qeveritare apo
kanabisizimit e degradimit të Shqipërisë reale. Reforma në Drejtësi është një
matricë. Një Shqipëri me politikanë plaçkitës, zuzarë, të paskrupuj, të lidhur
me mafian e keqbërësit e malavitës, është e papërputhshme me një Shqipëri të
gjyqtarëve dhe prokurorëve me integritet të lartë personal dhe profesional.
Konflikti ka për të qenë i garantuar. Këto dy Shqipëri do të ngërthehen,
kacafyten, kërleshen, luftojnë kundër njëra tjetrës. Ne duhet vetëm të
rreshtohemi në krah të njerëzve dhe institucioneve me integritet, të cilët do të
luftojnë për ne, kundër Pakicave Politike Plaçkitëse. Droja dhe pikëpyetja ime
qëndron tek fakti se qeverisja e Rilindjes, pra qeverisja simbioze me krimin
dhe mafian, është ajo që po e përdor Reformën në Drejtësi si kalë beteje për një
agjendë e qëllime akaparimi, njëlloj si duan të bëjnë me zgjedhjet. Këtë duhet
t’ua bëjmë të qartë partnerëve tanë strategjikë, ne si Opozitë.

– A janë
kristalizuar politikisht koalicionet zgjedhore për 2017?

Ende jo plotësisht. Por besoj se janë drejt
qartësimit. Do të doja që LIBRA e Ben Blushit dhe Sfida për Shqipërinë e Gjergj
Bojaxhiut, si forcat më të reja politike në vend, të gjejnë e krijojnë fushën e
tyre të veprimit për ta fuqizuar veprimin dhe mendimin Opozitar në vendin tonë.
Retorika antisistem, është thjesht një revizionim i Rilindjes. Unë besoj se ka
ardhur koha për bashkim, që të udhëheqim me model e shembull personal. Ne duhet
të bëhemi bashkë si Opozitë e Opozitarë, për t’u kërleshur e pse jo edhe ndarë
nesër si ndërtues të një Shqipërie të drejtë, solidare, të lirë e demokratike,
me integritet dhe europiane. Ndryshimi dhe shpresa mund e duhet të vijë nga ne
Opozitarët.

Cilët
faktorë politikë do të ndikojnë për këto koalicione?

Deri tani kemi akaparim zgjedhjesh, sepse nuk
kemi asnjë faktor politik ndikues. Ka vetëm kanabis, plaçkitje, plehra,krim,
mafia dhe shitblerje votash. Opozita mund të bëjë politikë.
Rrëzimi i Edi Ramës është fillimi i mjeteve politike në
Shqipëri. Me Edi Ramën Kryeministër, ne nuk kemi fare pse ta marrim mundimin të
hyjmë në zgjedhje. Duhet të rrëzojmë Edi Ramën, që të fillojmë të bëjmë të
ndikueshëm faktorët politike si idetë, programet, vizionet, projektet, konkurrencën
e lirë, alternativat, imagjinatën dhe kreativitetin, talentet dhe zotësitë,
strukturat e zhdërvjellëta dhe njerëzit me integritet.

 

Presidenca
Trump do të zbatojë politikën e qeverisjeve të pastra nga korrupsioni

Fitorja e Trump si President i SHBA çfarë ndikimi politik do të ketë në
Shqipëri?

Patjetër që po. Presidenti Trump duhet lexuar
me kujdes në veprimin e vendimet e tij politike në raport me ne shqiptarët dhe
Rajonin. Kam përshtypjen se agjenda e Presidencës Bush, e cila është një agjendë
e mirëfillte republikane për qeverisje të pastra dhe të pakorruptuara në
Rajonin e Ballkanit Perëndimor, do të rikthehet në rend të parë. Politika e butë,
liberale e herë-herë e plogësht e 8 viteve të Administratës Obama, bëri që agjenda
e qeverisjeve të pastra në vendet në zhvillim, të mbyllen me dry nëpër sirtarë.
Presidenca Trump do ta rinxjerrë nga sirtarët agjendën e clean government
(qeverisjes së pastër) dhe kjo do të jetë përmbysje e qiellit dhe tokës për qeverisjet
e pakicave plaçkitëse politike në Ballkanin Perëndimor, e sigurisht edhe në
Shqipëri. 

– A është
e ndikuar politika shqiptare (mazhoranca dhe Opozita) nga Soros? Mendoni se ky
ndikim Sorosian në Shqipëri ka pasoja negative?

Xhorxh Sorosi nuk është thjesht një njeri. Ai është
një frymë, një network, një agjendë. Ai është një fenomen që ka patur ndikimin
e tij në vende të rëndësishme perëndimore e patjetër edhe në vende të vogla dhe
të pafuqishme. Ai ka më shumë miliarda se ka Shqipëria Buxhet shtetëror, apo
GDP. Ai ka mundësi të paguajë, mbështesë, promovojë, bashkëveprojë me dhe për njerëz,
karriera, flukse, grupe politike, financiare, mediatike, civile, akademike,
diplomatike, kulturore, etj. Është detyrë patriotike dhe demokratike ndalimi a
largimi i këtyre djajve nga çdo mundësi për të futur kthetrat e tyre në
zhvillimet tona shtetërore, politike, financiare, ekonomike, mediatike, civile
dhe akademike.

– Tani,
me Trump President, mendoni se Soros do të ketë sërish ndikimin në vendimmarrjen
politike në Shqipëri?

Soros është fuqi e madhe financiare dhe
rrjetësore. Nuk duhet të presim vetëm nga Presidenca Trump që të na çlirojë nga
ky fenomen rrezikplotë. Ne duhet të bëjmë betejën tonë për të mbrojtur vendin
dhe demokracinë tonë.