Kreshnik Collaku: “SHBA-të, i vetmi aleat strategjik, çdo orientim tjetër është i gabuar”

77

Ish-zëvendësministri i Jashtëm, Kreshnik Çollaku në intervistën për “Telegraf”, shpjegon përse politika e Jashtme e qeverisë “Rama 1” ka orientim të gabuar në marrëdhëniet me SHBA-të, BE-në dhe Turqinë. Gjithashtu, zoti Çollaku përgënjeshtron ministrin e Jashtëm se emërimet e deritanishme në diplomaci kanë qenë nepotike, duke i kujtuar se 80 % janë diplomatë që janë emëruar nga e Majta.

– Zoti Çollaku, është e justifikueshme kritika ndaj Kryeministrit Rama, për politikën që ndjek me Turqinë?

– E kritikueshme është krejt mënyra se si z.Rama po bën çdo gjë. Politika e Jashtme është diçka serioze. Qasja e Ramës me Turqinë nuk mund të shihet e ndarë nga amatorizmi, inkompetenca dhe dalldia me të cilën po trajtohen raportet dhe me vende të tjera. Mbase rasti që ju i referoheni është pasqyra më e mirë, ku kjo paaftësi kjo cektësi ekspozohet, por rastet janë të shumta dhe dëmi që po shkaktohet profilit të politikës së Jashtme të Shqipërisë, por dhe çështjes kombëtare shqiptare është më i gjerë dhe më i rëndë, dëm i cili po nuk u bllokua në kohë, mund të na kushtojë vite të tjera mund e përpjekje, krejt faktorit shqiptar në botë, për të mbërritur te pozicionet e sotme.

– Termi “Partneritet strategjik”, që u përdor nga diplomacia jonë për marrëdhëniet me Turqinë, është i gabuar? Përse?

– Mendoj se përdorimi pa maturi e mendjelehtë i termit partner strategjik, është i gabuar. Përdorimi i tij i diferencuar nuk d.m.th mungesë afrie e miqësie e bashkëpunimi me vende të ndryshme, por dallimi e përdorimi i tij i ndershëm e rrit reputacionin e vendit forcon marrëdhëniet. Z. Rama e ka përdorur pa kriter këtë term. Ka thirrur kryeministrin turk partner strategjik, pas një jave të njëjtën gjë i tha kryeministrit grek. Një javë më pas të njëjtën gjë iu përsërit atij rumun e më tej akoma dhe ministres së Jashtme italiane iu bë po i njëjti kompliment. Gabimi është se termi partner strategjik, presupozon stadin më të lartë, më të pakushtëzuar me ndonjë vend apo partner. Në bindjen time i vetmi vend që meriton të ketë këtë cilësim nga ana jonë janë SHBA. Çdo vend tjetër meriton cilësime të tjera të pakrahasueshme me SHBA. Ka marrëdhënie preferenciale, prioritare, miqësore reciproke etj., etj…por PARTNERSTRATEGJIK, nuk është një kompliment që i bëhet çdokujt, ai presupozon një përcaktim të qartë politik i mbështetur nga shumica e një popullate. Në këtë kuptim, përdorimi pa kriter i këtij termi është i pavend dhe në fakt komprometon vlerën e tij dhe cilësiminSTRATEGJIK të aleatëve e miqve që realisht kanë dëshmuar që meritojnë e u detyrohemi t’i konsiderojmë të tillë.

– Zoti Çollaku, ju e keni kritikuar drejtpërdrejt strategjinë e të diplomacisë dhe politikës të Kryeministrit Rama, i cili pak kohë më parë u shpreh se, me fqinjët tanë “do të kemi zero probleme”. Përse besoni se tashmë qeveria e Ramës do të ndërtojë diplomaci për “mbrojtjen zero të të drejtave të shqiptarëve në Maqedoni?”

– Kam konsideruar një dëshirë romantike apo naive pretendimi se synohet të çohet ne nivelin zero problemet me fqinjët. Nuk kam kuptuar ende si do realizohet kjo. Çka kam parë deri me sot është qasja inferiore e qeverisë shqiptare, si në rastin kur Manastiri thirret Bitola, apo krahasohet popullata shqiptare në Maqedoni me pakicat maqedonase në Shqipëri. Nëse kjo është rruga për ti bërë zero problemet, është e mundur por kjo bëhet në kurriz të të drejtave dhe të vërtetave por dhe pretendimeve të shqiptarëve. Kjo është rruga më e lehtë për ti bërë zero problemet, por më e gabuara, pasi dhe më e padrejta.

– A mund të bëjmë fjalë se deri tani emërimet në ambasadat tona kanë qenë nepotike, sikurse bën fjalë ministria e Jashtme? Dhe se “ ambasadat janë kthyer në konvikte për njerëzit e afërt të pushtetit”, sa prek realitetin në ambasadat tona?

– Pretendimi i qeveritarëve të rinj se shërbimi diplomatik është cenuar politikisht është hipokrit. Pasi, ai dominohet në masën 85% nga individë afër së majtës, shume prej tyre dhe me lidhje direkte familjare me eksponentë të së majtës e drejtues partish të majta. Gjatë qeverisjes së PD-së askush nga këta nuk është paragjykuar për shkak të afërsive apo bindjeve politike, por veçse në bazë të aftësisë profesionale dhe në përputhje të plotë me ligjin. Provë për këtë është fakti që këta njerëz janë në shërbim diplomatik edhe pas 8 vjet qeverisje të PD-së.

– Si duhet ta kuptojmë thënien e ministrit të Jashtëm Bushati, i cili ditët e fundit premtoi se, “qeveria do të rritë përfaqësimin e saj në OKB?”

– Unë nuk kuptova deklarimin nga Nevv York se marrëdhëniet Shqipëri SHBA duhen korrigjuar. Nuk kuptoj as ç’do të thotë ministri Jashtëm me këtë ide. Mbase kur të na sqarojë më gjerë idetë e tij do të mundemi ta komentojmë. Sot më ngjan në nivelin e tautologjisë, pra modës për të përdorur fjalë të mëdha e të njëjta, pa thënë asgjë apo për të thënë të njëjtën gjë.

Rama po zhvendos me qëllim aksin e politikës së Jashtme të Shqipërisë

– Çfarë drejtpeshimi të raporteve politike dhe diplomatike të Shqipërisë me BE-në dhe SHBA-të,  mund të ç’ekulibrojë një afrimitet i marrëdhënieve Shqipëri- Turqi?

– Unë personalisht jam ende në dilemë nëse kursi i ri e i ndryshëm i z.Rama po zhvendos me qëllim aksin e politikës së Jashtme të Shqipërisë. E kur them këtë, i referohem aleancave dhe orientimeve strategjike të vendit, apo e gjitha kjo zhvendosje është pasojë e diletantizmit apo kompleksit të inferioritetit të qeveritarëve të rinj. Nëse është e para, pra ka një zhvendosje të qëllimshme. Kjo është e rëndë. Nëse e vërtetë kjo, përgjegjësia është e madhe dhe hesapet janë të tjera. Më shumë do shpresoja që të ishte një grumbull veprimesh diletante, të cilat edhe pse rëndojnë te ne të gjithë duhet trajtuar me durim dhe dashuri, në të njëjtën forme si trajtohet ai nxënësi i dobët në klasë, ku duket qarte se nuk nxë por nuk ka faj se aq nxë. Unë bëj pjesë te ata njerëz, që besojnë se marrëdhëniet me SHBA janë të vetmet që duhen konsideruar pa asnjë kushtëzim e duhen ndjekur dhe me sy të mbyllura. Liria e mbijetesa e shqiptarëve i dedikohet pafundësisht këtij kombi. Me BE sigurisht Shqipëria ka marrëdhënie të orientuara nga një prioritet, pra janë marrëdhënie prioritare…Këtë e përcakton vendosmëria jonë kolektive për të qenë pjesë dhe politike e atij komuniteti demokratik ekonomik e social që quhet BE. Turqia, gjithashtu, është një ndër vendet më mike të Shqipërisë edhe shqiptarëve. Por kur themi Turqia si vend popuj apo histori, ka një diferencë të kuptueshme me  qasjen e qeverive që e drejtojnë atë. Për të qenë konkret, unë mendoj se, qeveria e z.Erdogan ka shenja të qarta se ndan qasje të ndryshme nga ajo e jona në raport me BE dhe në përgjithësi dhe me komunitetin euroatlantik, përfshirë dhe SHBA-të. Po të shikoni shtypin në Turqi dhe atë më kritik karshi qeverisë atje, janë se përherë e më shumë gjatë qeverisjes së z.Erdogan po rritet qasja ekuidistante mes Lindjes e Perëndimit, mes SHBA e Rusisë, të një qasje e ftohtë e ndonjëherë arrogante në raport me BE. Dhe nëse miqësia jonë shndërrohet në aleancë strategjike kjo do të nënkuptonte se do duhej ta ndiqnim aleatin tonë dhe në këtë qasje. Kjo është pamundur, e para se shumica e shqiptarëve nuk e aprovojnë këtë, e dyta se kjo do ishte një qasje e gabuar dhe se do dëmtonte interesin e axhendës kombëtare të shqiptarëve.