KQZ zbraz thasët me para

467
Paratë e fushatës, KQZ rindan fondet
Regjistrimi i opozitës në zgjedhje ndryshon shpërndarjen e 65 milionë lekë. PS dhe PD marrin “pjesë e luanit”
Paratë për fushatën elektorale do të shpërndahen sërish mes partive politike, tashmë që në garë janë përfshirë edhe subjektet politike të opozitës. Komisioni Zgjedhor i Zgjedhjeve do të miratojë në mbledhjen e sotme edhe projektvendimin për ndarjen e fondeve për partitë në zgjedhjet e 25 qershorit. Kështu, sipas projektvendimit, fondi për partitë ndahet në dy pjesë, 95 % e tij do të jepet për 8 partitë që kanë më shumë vota, ndërsa 5 % është për 10 parti më të vogla në zgjedhjet e shkuara.

Kodi Zgjedhor në nenin 87, pika 1, përcakton se, partitë politike pjesëmarrëse në zgjedhje dhe që kanë marrë, jo më pak se 0.5 për qind të votave në shkallë vendi, përfitojnë fonde nga Buxheti i Shtetit, në bazë të numrit të votave që secila parti ka marrë në ato zgjedhje. Për zgjedhjet për Kuvendin të datës 25 qershor 2017, janë regjistruar në KQZ, 18 parti politike. Kodi Zgjedhor përcakton se, për zgjedhjet e përgjithshme, si kriter përdoret rezultati në shkallë vendi, i shpallur nga KQZ-ja për zgjedhjet e përgjithshme pararendëse. Sipas vendimit të KQZ-së të 6 gushtit 2013 “Për shpalljen e rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve”, partitë politike që kanë përfituar jo më pak se 0.5 për qind të votave dhe që përfitojnë nga ndarja e 95% të shumës së akorduar nga buxheti i shtetit partive politike, të regjistruara si subjekte zgjedhore në zgjedhjet e datës 25 qershor 2017, janë si PS, PD, LSI, PR, PDIU, FRD, PDS dhe PSD. Ndaj 61.75 milionë lekë, 95% e fondit të vënë në dispozicion nga Buxheti i Shtetit për këtë qëllim, ndahet ndërmjet këtyre 8 partive politike. Shuma që i takon secilës parti politike gjendet duke pjesëtuar shumën prej 61.75 milionë lekësh me 1.570.796 vota të vlefshme të grumbulluara nga 8 partitë politike që përfitojnë nga 95% i shumës së akorduar nga buxheti i shtetit, herësi që del shumëzohet me numrin e votave që ka përfituar secila parti në zgjedhjet e vitit 2013.

Pjesa tjetër e fondit prej 3.25 milionë lekësh, 5% e fondit të vënë në dispozicion nga Buxheti i Shtetit për këtë qëllim, ndahet ndërmjet 10 partive politike të cilat janë regjistruar si subjekte zgjedhore në zgjedhjet për Kuvendin të datës 25 qershor 2017 dhe nuk përfitojnë nga ndarja e 95% të fondit. Shuma që i takon secilës nga 10 partitë politike që përfitojnë nga 5% i shumës së akorduar nga buxheti i shtetit gjendet duke pjesëtuar shumën prej 3.25 milionë lekësh me 10, numri i partive që përfitojnë, 325.000 lekë është shuma që përfiton secila nga 10 partitë politike.

Ndarja
1 – Partia Socialiste 28,044,942
2 – Partia Demokratike 20,771,018
3 – Lëvizja Socialiste për Integrim 7,094,507
4 – Partia Republikane 2,050,791
5 – Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet 1,767,317
6 – Fryma e Re Demokratike 1,152,214
7 – Partia Demokracia Sociale 467,450
8 – Partia Socialdemokrate 401,761
9 – Partia Kristian Demokrate 325,000
10 – Aleanca Arbnore Kombëtare 325,000
11 – Minoriteti Etnik Grek për të Ardhmen 325,000
12 – Aleanca Demokratike 325,000
13 – Partia Aleanca Demokristiane 325,000
14 – Partia Komuniste 325,000
15 – Sfida për Shqipërinë 325,000
16 – Aleanca Popullore për Drejtesi 325,000
17 – Lista e Barabartë 325,000
18 – Partia Bashkimi Demokristian Shqiptar 325,000

Gjithsej 65,000,000
Sigal