Milionat që blenë votat e 23 Qershorit

434
Sigal

Raporti i OSBE-ODIHR-it paraqet 29 rekomandimet: Presionet dhe shkarkimet politike e njollosën fushatën

Votimet e 23 Qershorit, të cilat deri tani janë konsideruar si zgjedhjet më të mira të pluralizmit, rezultojnë se janë zhvilluar në formën e një pazari të vërtetë, me blerje votash, me presione mbi administratën, me urdhra partiakë për votime familjare. Në këtë pazar janë përdorur për blerje votash miliona euro, pa llogaritur këtu favoret e tjera, siç dhe shkëmbimet e votave familjare në fshat, me dele, lopë, apo me drithë. Konvertimi i një deleje bëhej me dy vota, kurse një lopë sa dhjetëfishi i saj. Të pasurit e kanë shitur votën pak më shtrenjtë, kurse të varfrit kanë hyrë në valle për 10-50 mijë lekë të vjetra.  Në raportin e OSBE-ODIHR-it thuhet specifikisht se: “Akuzat për blerje të votës u intensifikuan me afrimin e datës së zgjedhjeve, me disa arrestime nga autoritetet ligjzbatuese të shtetit”. Por përveç kësaj, në këto zgjedhje administrata e shtetit dhe të punësuarit në përgjithësi, janë përdorur njëlloj, si skllevër të politikës, Por këtë radhë një terror psikologjik është ushtruar edhe mbi nxënësit e shkollave që linin mësimin për të shkuar të organizuar nëpër mitingje.  Sipas raportit të OSBE-ODIHR-it një abuzim  i vërtetë është bërë edhe mbi automjetet dhe ndërtesat publike të shtetit shqiptar. “Në disa raste janë përdorur automjetet dhe ndërtesat publike për fushatë edhe pse kjo është e ndaluar me ligj. Një numër i madh i aktiviteteve të qeverisë ishin të shoqëruar me reklamat e partisë qeverisëse të fushatës, që është e papranueshme. Presioni mbi nëpunësit publikë gjatë fushatës ose për të votuar apo në një mënyrë të caktuar edhe shkarkime e motivuara politikisht e njollosën fushatën. Akuzat për blerje të votës u intensifikuan me afrimin e datës së zgjedhjeve, me disa arrestime nga autoritetet ligjzbatuese të shtetit”,- thuhet në raport. Fushata zgjedhore cilësohet përgjithësisht paqësore, me disa incidente të izoluara dhunë. “Fushata elektorale kaloi e qetë, por pati edhe disa raste dhune. Debatet direkte mes kandidatëve dhe liderëve ishin të kufizuara. Ndërsa partia në pushtet përdori mjetet publike dhe administratën për fushatë. Presioni mbi administratën për të votuar partinë në pushtet përpara zgjedhjeve njollosi fushatën”, nënvizohet në raport. Në raport evidentohet mosarritja e cakut ligjor prej 30% të femrave në listat e deputetëve prej tre partive kryesore të vendit, PS, LSI dhe PD. “Kuotat gjinore nuk u respektuan në disa zona zgjedhore nga PS, PD dhe LSI, të cilat morën edhe gjoba. Më tej OSBE-ODIHR konsideron se zgjedhjet e 23 Qershorit ishin konkurruese, me pjesëmarrje aktive të qytetarëve dhe në respekt të plotë të lirive themelore. Në raportin përfundimtar të OSBE/ODIHR-it, i cili u publikua dje, nënvizohen edhe një sërë problematikash, që lidhen kryesisht me mungesën e besimit mes partive politike, që siç thuhet në raport, njollosi mjedisin elektoral dhe sfidoi administratën e të gjithë procesit zgjedhor. Sipas raportit, tjetër problematikë serioze ishte mosfunksionimi i duhur i KQZ-së, përdorimi i administratës në fushatë dhe presionet ndaj nëpunësve për votën..

Dita e zgjedhjeve

Dita e zgjedhjeve ishte relativisht e qetë, pavarësisht një incidenti fatal në Laç, i cili ndikoi negativisht në fillimin e zgjedhjeve”,- thuhet në raport. Sipas OSBE/ODIHR-it, në përgjithësi ka pasur besim në cilësinë e listave të zgjedhësve, me disa shqetësime të shprehura kryesisht nga partitë e vogla politike. Në raport nënvizohet se, përgatitjet teknike për zgjedhjet ishin të përshtatshme, pavarësisht mangësive të vërejtura në përmbushjen e afateve ligjore. Sipas raportit, media elektronike ka siguruar në përgjithësi mbulim të mjaftueshëm për partitë kryesore politike. Por sipas OSBE/ODIHR-it, pavarësia editoriale është penguar nga ndikimet politike. Një nga kritikat e rrepta që lidhej me median ishte fakti që KQZ nxori një vendim që detyronte redaksitë të emetonin materiale që ishin përgatitur nga subjektet politike. “Ky vendim cënoi rëndë lirinë editoriale dhe tejkaloi fuqinë rregullatore të KQZ-së”,- thuhet në raport. Sipas raportit, numërimi i votave u vonua në disa zona, por në përgjithësi procesi cilësohet si i rregullt dhe vlerësohet pozitivisht.

Rekomandimet

OSBE/ODIHR rëndit 29 rekomandime në raportin përfundimtar. Në raport rekomandohen autoritetet dhe partitë politike që të ndërmarrin hapa të tjerë për mos të ushtruar presion ndaj të punësuarve në administratën publike për të marrë pjesë në aktivitete të fushatës elektorale apo të votojnë në mënyrë të paracaktuar. Sipas raportit, abuzimi i aseteve shtetërore, përfshi ato njerëzore për qëllime elektorale mund të parandalohen duke vënë përpara përgjegjësisë ata, të cilët përfshihen në lejimin e të tilla veprimeve, përfshi shtimin e veprimit nga autoritet përgjegjëse për të parandaluar blerjen e votës.