KQZ shqyrton sot kërkesën e LSI-së për listat në Vorë

513
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pritet të shqyrtojë të enjten kërkesën e Lëvizjes Socialiste për Integrim (LSI), për çështjen e listave të zgjedhësve në bashkinë Vorë. Një ditë më parë, LSI i kërkoi KQZ-së që të ndërhyjë për çregjistrimin e mbi 600 votuesve në këtë zonë zgjedhore, të importuar sipas saj, për të manipuluar votën e 21 qershorit.
Drejtori i Përgjithshëm i Gjendjes Civile, Bledar Doracaj, i pranishëm në mbledhjen e djeshme të KQZ-së, tha se për këtë kërkesë të LSI-së është dërguar në Vorë një grup specialistësh për të verifikuar shkeljet e pretenduara dhe nëse ato konstatohen do të merren masat përkatëse. Doracaj tha se është në pritje të raportit për këtë çështje, të cilin do ia përcillte institucionit zgjedhor.
Shtimi fiktiv i listave zgjedhore po debatohet prej disa javësh nga forcat politike të të dy kampeve. Partia Demokratike e opozitës ka këmbëngulur për një shtim me 2800 votues në listat zgjedhore në bashkinë e Durrësit. Për këtë çështje, drejtori i DPGJC-së, Doracaj, informoi KQZ-në, duke u shprehur se lista përfundimtare është shpallur më 11 maj dhe kjo i heq çdo mundësi gjendjes civile që të ndërhyjë për ta ndryshuar.
“Në momentin që ne shpallim listën përfundimtare, për asnjë shkak dhe asnjë arësye, ne nuk mund të ndërhyjmë. DPGJC ka mbaruar punë përfundimisht më 11 maj kur dhe e shpalli këtë listë”, tha Doracaj në mbledhjen e Komisionit Zgjedhor. 
Sigal