KQZ-ja nuk mund të certifikojë mandatet e 30 qershorit, me rezultate mbi 100 %

737
Sigal

Raporti paraprak i OSBE/ODIHRoit është në vlerësimin tim një dokument që tregon, se procesi zgjedhor i 30 qershorit është larg mundësive për t’u konsideruar dhe pranuar si një proces që plotëson angazhimet e OSBE-së dhe për standardet zgjedhore.

Kristaq Kume, ish-kryetar i Komisionit të Zgjedhjeve

Prof. Dr. Kristaq Kume, ish-kryetar i Komisionit të Zgjedhjeve në intervistën për gazetën “Telegraf” analizon raportin e OSBE/ODIHR-it dhe pohon, se ato çfarë u thanë të hënën nga kryetarja e ODIHR-it do të jenë edhe në raportin përfundimtar. Zoti Kume, veçon nga raporti i ODHIR-it faktin që ata theksuan, se KQZ-ja dhe Kolegji Zgjedhor nuk kanë kompetenca ligjore të gjykojnë dekretin e Presidentit të Republikës për shfuqizimin e datës së zgjedhjeve, por është vetëm Gjykata Kushtetuese dhe se KQZ-ja i ka kapërcyer kompetencat ligjore dhe në vendimmarrjet e saj dhe nuk ka qenë as konsekuente. Prof. Kume pohon se KQZ-ja nuk mund të certifikojë mandatet e rezultatit zgjedhor të 30 qershorit, nëse dokumentohet edhe zyrtarisht, që në bashki ka më shumë fletëvotimi sesa numri i zgjedhjeve.

 

-Prof. Kume si e kuptuat raportin OSBE – ODIHR në zgjedhjet e 30 qershorit?

– Raporti paraprak i publikuar nga misioni vëzhgues ndërkombëtar, OSBE-ODIHR përmban si i tillë në vijat kryesore gjykimin dhe vlerësimin e këtij misioni për procesin zgjedhor, i cili, referuar të gjitha raporteve të mëparshme paraprake dhe përfundimtare si rrjedhim nuk do të ketë ndryshime esenciale nga ai që do të publikohet pas dy muajve, në raportin përfundimtar. Ky raport paraprak është, në vlerësimin tim, një dokument që tregon, se procesi zgjedhor i 30 qershorit është larg mundësive për t’u konsideruar dhe pranuar si një proces që plotëson angazhimet e OSBE-së dhe për standardet zgjedhore. Si rregull në raportet e tyre vëzhguesit ndërkombëtaret e OSBE – ODIHR në paragrafin e parë në mënyrë të përmbledhur dhe shumë informuese japin konsideratën e tyre të përgjithshme për procesin. Në paragrafin e parë të këtij raporti të bie në sy fakti se vëzhguesit do të vëzhgojnë kanalet dhe dalin në përfundimin se zgjedhjet vendore u mbajtën pa marrë shumë në konsideratë interesin e elektoratit, e dyta, ata këmbëngulin se ngërçi politik dhe polarizimi politik nuk iu dha mundësi zgjedhësve të zgjedhin midis disa opsioneve politike. Qytetarët theksohet në këtë paragraf, kanë qenë nën presion të ushtruar nga të dy palët klima politike ka pasur si efekt të saj zhvillimin e këtij procesi zgjedhor në kushtet e pasigurisë juridike, e cila është shfaqur, sipas tyre, me vendimet e administratës zgjedhore (dhe kjo është e rëndësishme për t’u nënvizuar) ka bërë kujdesje për të garantuar mbajtjen e zgjedhjeve, vëzhguesit nuk theksojnë se vendimet e administratës zgjedhore kanë qenë në funksion të garantimit të realizimit të standardeve të zgjedhjeve, përmbajtjen e zgjedhjeve. Duhet lexuar me vëmendje një gjë e tillë. Ashtu sikurse ata plotësojnë se situata që parapriu ditën e zgjedhjeve ka cenuar besimin e publikut në procesin zgjedhor, një konstatim ky edhe në raportet e mëparshme të OSBE – ODIHR, por ndryshe nga ato, në vlerësimin tim, vëzhguesit e theksojnë këtë gjë duke e bashkëshoqëruar me faktin se ky votim ka ardhur si rezultat i zgjedhjes së aktorëve politikë dhe institucioneve që kanë detyrën për të organizuar dhe administruar procesin zgjedhor, jo në plotësim të kurdoherë të ligjit, ka ardhur si pasojë e efekteve që ka sjellë në këtë proces zgjedhor pasiguria juridike. Në vlerësimin tim, është shumë e rëndësishme që t’i ushtrohet vëmendja e nevojshme qëndrimit të shprehur nga ky mision vëzhguesish lidhur me faktin se, sipas tij, sjellja, reagimet e ndryshme nga aktorë dhe institucionet e ndryshme ndaj dekretit të Presidentit është faktori, i cili ka sjellë atë që ata e konsiderojë pasiguri juridike që shoqëroi këtë proces zgjedhor dhe pastaj, shumë e rëndësishme është të theksohet, se është vetëm Gjykata Kushtetuese organi i mandatuar për të vendosur në lidhje me kushtetutshmërinë dhe dekretin e Presidentit të Republikës.

– Duke u nisur nga kjo lind pyetja: OSBE – ODIHR vlerësoi se, as KQZ-ja, as Kolegji Zgjedhor nuk kanë kompetenca për të shqyrtuar dekretin e Presidentit për procesin zgjedhor. Atëherë, a është i ligjshëm,a duhet certifikuar ky rezultat zgjedhor, përderisa është marrë një vendim nga KQZ-ja dhe Kolegji Zgjedhor në kundërshtim me Kushtetutën?

– Është e rëndësishme që argumentimet, gjykimet dhe vlerësimet e vëzhguesve ndërkombëtar të OSBE – ODIHR të konsiderohen nga klasa politike dhe në bazë të tyre të ndërtohen sjelljet e mëtejshme politike të saj ashtu sikurse edhe duhet të orientohen përpjekje që duhet të bëjë shoqëria përfshirë në kasën politike për të zgjidhur problemet të cilat kanë shpënë në këtë konsideratë këtë mision të vëzhguesve ndërkombëtarë të OSBE – ODIHR. Por, unë theksoj nuk është kjo konsideratë, nuk është ky qëndrim, nuk është ky gjykim i cili mund të shërbejë si kriter për të certifikuar procesin zgjedhor. Institucionet e ngarkuara me këtë detyrë nga ligji shqiptarë që është Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe Kolegji Zgjedhor nuk janë të detyruar që të marrin në konsideratë atë çka shprehet në raportin e misionit të vëzhguesve ndërkombëtar. Ata janë në të drejtën e tyre për të vepruar dhe për të marrë vendim duke vlerësuar gjithmonë sipas tyre se cila ka qenë rrjedhshmëria e procesit, pra nuk kemi pse ta konsiderojmë këtë raport, këto deklarata të tyre si argumente për të thënë që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ose Kolegji Zgjedhor nuk mund të certifikojë rezultatin. Këto konsiderata janë argument në mbështetje të kujtdo që mund të kërkojë që të atakohet rezultati i këtij procesi zgjedhor me institucione që do të thotë në rastin konkret të kërkojë të atakohet qëndrimi që u mbajt ndaj dekreteve të Presidentit në Gjykatën Kushtetuese dhe për rrjedhojë pastaj natyrisht duhet të jetë ky institucion i cili me vendimmarrjen e tij mund të pranojë ose të mos pranohet certifikimi i rezultatit të procesit zgjedhor të 30 qershorit.

– Edhe Zëvendës Sekretari i Departamentit të Shtetit, edhe disa Ambasada në Tiranë kanë deklaruar që gjykimi mbi dekretin e Presidentit duhet ta japë vetëm Gjykata Kushtetuese. Do të thotë që të presin të gjithë aktorët, që te ngrihet Gjykata Kushtetuese të ankimohet rezultati zgjedhor dhe pastaj të merret vendimi apo duhet në zgjidhje tjetër?

– Për mua nuk ka zgjidhje tjetër përveç se kjo, që do të thotë pala e interesuar që s’është dakord opozita në këtë rast që s’është dakord me të gjithë këtë proces zgjedhor, të kërkojë që të zhbëhet rezultati i këtij duke atakuar procesin si të tillë të zhvilluar në kundërshtim me dekretin e Presidentit, pra si një proces nul, për sa kohë që dekreti i Presidentit e anuloi datën 30 qershor. Por vendimmarrja për këtë gjë është e pamundur të bëhet nga kushdo tjetër përveçse nga Gjykata Kushtetuese .

– OSBE – ODIHR, edhe pse ishte në Shqipëri me një numër shumë të madh vëzhguesish, nuk tha qartë se gjatë monitorimit panë numër më të madh fletë votimi se sa numri real i zgjedhësve?

– Mos harrojmë se informacioni që ne kemi për këtë problem që thatë ju është pjesë e procedurave, të cilat zhvillohen gjatë numërimit dhe vlerësimit të votave. Raporti paraprak, i dalë ditën e hënë në drekë në një kohë kur vazhdonte procesi i numërimit të votave, si rregull, në vazhdimësi nuk e trajton këtë problem ndaj dhe zonja Glover nuk nguli këmbë, që këto janë paraprake, që është një deklaratë, një raport paraprak. Raporti përfundimtar do të dalë pas dy muajve dhe ndërkohë, theksoj, në jemi në vazhdimësi duke grumbulluar informacion nga vëzhguesit tanë se shumë nuk mund të shpreheshin për këtë, referuar vetëm deklaratave të bëra qoftë nga partitë politike qoftë nga të tjerë.

– Me gjithë këto që përmendi raporti, që përmendët ju, që përmenden nga denoncimet e subjekteve politike dhe elektorale për 30 qershorin, cili është konkluzioni juaj?

– Në radhë të parë ky është një proces i zhvilluar si i tillë me distanca të ndjeshme nga proceset që duhet të zhvillohen ne vendet demokratike, sepse është një proces pa garë, siç e dimë i ka detyruar shtetasit shqiptarë dhe popullsinë shqiptare jo të zgjedhë. Është një proces zgjedhor, i cili ka humbur shumë nga cilësitë që duhet të zotërojë një proces i tillë. Është një proces, i cili si i tillë në vlerësimin tim kumbon si gjëja e të keqes së madhe që kjo klasë politike është duke i bërë këtij vendi dhe kjo e keqe nuk është e lidhur vetëm me kaq, por shumë më tepër se kaq. Në mënyrë të vazhdueshme pa iu shmangur asnjëherë, në vlerësimin tim kjo klasë politike është sjellë dhe ka votuar në funksion të interesit të saj dhe shumë pak në funksion të interesit të shtetasit shqiptarë në funksion të atyre që i mandaton për t’i qeverisur, që do të thotë për mua nuk ka rëndësi një proces zgjedhor, por ka rëndësi gjithë kjo situatë e krijuar sot ku shiko se ku jemi. Jemi në kushtet ku vetëm një parti politike i ka të gjithë pushtetet në dorë, gjë që ka bërë që ne të largohemi shumë nga standardet që duhet të ketë një shoqëri demokratike në mënyrën se si ajo vetëqeveriset.

– Pavarësisht se Kodi Zgjedhor edhe Kushtetuta nuk e përcaktojnë numrin minimal të votuesve për të certifikuar një rezultat zgjedhor, por duke u bazuar në rezultatin zgjedhor të 30 qershorit që fituesit e bashkive nuk kanë marrë më shumë se 20%, në rastin më të mirë, por ka dhe rezultate akoma më të ulëta deri në 10% të numrit të votuesve, a mund të jenë këta përfaqësues të qeverisjes zgjedhore?

– Këtu mund të jepen dy lloj konsideratash. Konsiderata e parë është një konsideratë morale e cila mbështetet në numra dhe konsiderata e dytë është konsiderata ligjore për të cilën unë dua të shprehem. Ky proces zgjedhor i zhvilluar si i tillë ka dhënë rezultate të cilat nuk mund të atakohen prej faktit se në votim morën pjesë kaq ose aq votues, pra nuk është faktor që mund të përdoret. Ky është legjislacioni shqiptar, në këtë mënyrë ne asnjë nuk ka të drejtë të thotë që ti s’je përfaqësues për sa kohë që ke marrë vetëm tre vota kur duhet të merrje 3 mijë vota. Parimi demokratik në zgjedhjet demokratike është kush nuk merr pjesë në votim do të thotë pranon vullnetin e atyre që shkojnë të votojnë, ky është parimi që është përdorur në kohë të legjislacionit shqiptar që kështu nuk mund të përdoret fakti që ishin kaq ose aq pjesëmarrës në procesin e votimit dhe ka votuar pro kandidatit të vetëm ose edhe në rastin kur kanë qenë dy kandidatë, s’është për mua kusht ky. Ah kjo është tjetër gjë pastaj në aspektin moral që këtu kemi të bëjmë më një problem të madh të asaj që e ka vënë në dukje e ka theksuar misioni i ndërkombëtarëve OSBE – ODIHR i cili thekson se votuesi shqiptar ka humbur besimin në procesin zgjedhor, votuesi shqiptar në kushtet e kësaj pasigurie juridike, të kësaj klime të ashpër politike është demotivuar për të shkuar në një proces zgjedhor dhe për pasojë e gjithë kjo sjell në aspektin moral një problem shumë të madh me të cilin është duke u ballafaquar shoqëria jonë dhe kërkon domosdoshmërish energji dhe vullnete për ta trajtuar duke e parë drejt e në sy dhe për ta zgjidhur këtë situatë e cila nuk mund të vazhdohet si e tillë. Nuk ka rëndësi se si zhvillohet për mua një proces zgjedhor, si ishte ai i datës 30 qershor, që fundja nesër mund të konsiderohet nga Gjykata Kushtetuese i zhvilluar në kushte jo të përputhshme me ligjin. Por edhe në qoftë se është tjetër problem, problem shumë i madh është pikërisht fakti që ne jemi shmangur në mënyrë esenciale nga parimi demokratik të përfaqësuesve të demokracisë së drejtpërdrejtë dhe jemi duke u qeverisur nga njerëz që nuk qeverisin sepse kanë mandatin, kanë delegimin e Kuvendit të popullit për ta bërë këtë qeverisje. Ky është problem i madh.

– Faleminderit!

KQZ-ja ka kapërcyer kompetencat ligjore në vendimmarrjet e saj

– Është bërë praktike edhe nga KQZ-ja që në kutitë e votimit janë gjetur më shumë fletë votimi se sa numri i votuesve që janë regjistruar, ndërkohë prokuroria thotë, që nuk kemi denoncime për këtë për të filluar hetimet penale. A është krim penal ky?

– Një fakt i tillë do të thotë që është ndërhyrë në mënyrë të paligjshme në procesin zgjedhor. Natyrisht, kjo gjë do verifikuar që është vërtetë kështu apo është gabim njerëzor, por për mua nuk ka rëndësi kjo për mua ka rëndësi fakti që sapo bëhet me dijeni një gjë e tillë edhe në rast se nuk ka një denoncim nga dikush, prokuroria duhet të nisi kryesisht procesin e verifikimit të ngjarjes dhe hetimit të saj. Për mendimin tim akoma më shumë në këto situata të sotme ku ky institucion ligjzbatues është kritikuar në mënyrë të përsëritur për fatin se nuk e ka zbatuar, nuk ka qenë në nivelin e detyrës që i ngarkon ligji për të trajtuar vepra penale që lidhen me proceset zgjedhore, akoma më shumë në këtë situatë këtij institucioni do t’i duhet që edhe sikur të mos ketë asnjë lloj denoncimi, kryesisht ai të filloj verifikimin e asaj që mund të ketë ndodhur gjatë këtij procesi zgjedhor, me kutitë e votimit, me fletët e votimit e kështu me radhë.

– Nëse do të ishit sot Kryetarë i KQZ-s ose anëtarë i KQZ-s duke pasur rezultatet në tavolinë të zgjedhjeve të 30 qershorit ku gati në të gjitha bashkitë fituesi ka dalë me mbi 100% të numrit të votuesve. Ju do ti certifikonit këto rezultate?

– Në qoftë se kjo që ju thoni do të verifikohej si fakt i pakundërshtueshëm në tavolinën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, në vlerësimin tim në qoftë se ka një parregullsi të tillë të shprehur kështu siç e thoni ju pothuajse në të gjitha kutitë e votimit, absolutisht nuk do të isha dakord për të certifikuar një proces të tillë zgjedhor.

– Mund të na përmendni ju nga raporti që u bë nga OSBE – ODIHR, cilat janë shkeljet që përmenden ndaj KQZ-së?

– Kapërcimi që i bën KQZ-ja në mundësitë që i jep ligji për të organizuar dhe administruar procesin zgjedhor dhe sipas tyre i ka për shkak të pasigurisë juridike dhe lidhur me këtë vendimmarrje të KQZ-s në raport me OSBE – ODIHR del në disa momente ku i referohet tamam pikërisht kësaj gjëje që do të thotë se pavarësisht se vlerësohet transparenca, gjithëpërfshirja në vendimmarrje që ka qenë një konspiratë e shtruar në mënyrë të vazhdueshme në këto zgjedhjet e fundit nga OSBE – ODIHR. OSBE – ODIHR thekson faktin që KQZ-ja nuk është konsekuente në vendimet e saj dhe ka vepruar edhe në kapërcim të asaj çfarë i lejon ligji.