KQZ-ja, gafa e PS-së për pasuesin e Ristanit

475
Sigal

Propozohen nga PD-PS, emrat për anëtarë të KQZ-së. PS-ja me emra të rinj, PD-ja me  anëtarët aktualë

Afati ligjor i depozitimit të emrave të kandidatëve për anëtarë të KQZ-së, si edhe për kryetarin e saj është tejkaluar nga PD-PS. Afati i fundit ka qenë 14-16 shtator, për anëtarët dhe për Kryetarin e ri të KQZ-së. Mosdepozitimi i kandidaturave brenda këtyre datave përbën shkelje të ligjit, mirëpo, kjo (as)pak i shqetëson këto forca politike, derisa politikën e konsiderojnë në shërbim të interesave të tyre partiake, se sa në funksion të shërbimit të shtetit dhe shoqërisë. Dje, janë zbardhur edhe emrat e  2 kandidatëve për anëtarë të KQZ-së, nga PD-ja dhe PS-ja. LSI ka vendosur t’i drejtohet komisionit me dy propozime edhe pse ka të drejtën e një anëtari të vetëm në KQZ, Flutura Kona, ish-Avokate e Shtetit në vitin 2000 dhe Arben Shkëmbi,  dhe si komisioner tek Avokati i Popullit, është kandidati më i mundshëm, për t’u zgjedhë. PD-ja ka propozuar emrat e Vera Shtejfni e Hysen Osmanaj për anëtarë të KQZ-së, të cilët kanë qenë edhe më parë anëtarë të këtij komisioni. Duhet thënë se të dy të propozuarit janë anëtarë të KQZ-së aktuale. Ndërsa PS-ja ka propozuar Denar Biba dhe Albana Shtylla. Këto dy kandidatë, të pa provojë e implikojnë edhe më shumë situatën, pasi nuk kanë provojën e duhur për të përballuar ngjarjet që mund të ndodhin. PD-ja duke propozuar anëtarët aktualë të KQZ-së, sikur do të përcjellë mesazhin, që asgjë e re nuk do të ndryshojë në KQZ. Ky ishte edhe rikompozimi i KQZ-së, për të cilin këmbënguli kaq shumë PS-ja në reformën zgjedhore të sapomiratuar! PD-ja e luajti shumë mirë kartën e saj. Ndërsa Ristani u zgjodh me konsensus edhe të PS-së, pavarësisht se çfarë roli luajti më vonë, kryetari i ri i KQZ-së, sipas kompromisit PD-PS, në reformën zgjedhore, do të jetë produkt politik i shumicës së thjeshtë në parlament! Domethënë, Kryetari i ri i KQZ-së, do të zgjidhet pa u përfillë fare mendimi i opozitës. PD-ja e dha mesazhin e parë. Ripropozon për anëtarë të KQZ-së, të njëjtit që kanë qenë deri tani. Me fjalë të tjera, rikompozimi i KQZ-së, që kërkoi kaq shumë PS-ja, për të cilën u shty edhe vetë reforma zgjedhore në një kohë të stërzgjatur, do të reduktohet në një riciklim të KQZ-së së Ristanit, në KQZ me të njëjtët anëtarë të PD-së dhe të përforcuar me një Kryetar militant të PD-së! Rokada  e KQZ-së, që  bën Berisha, nuk mund të kontestohet e sulmohet dot nga PS-ja, derisa është dhënë paraprakisht konsensusi i reformës zgjedhore. Deri në qershorin e 2013-s, Berisha po bën lëvizjet e duhura të sulmit, për të kapur mat Edi Ramën, i cili mbetet i ekspozuar, i pambrojtur më nga një KQZ e re, por e ricikluar, me të njëjtët anëtarë të PD-së dhe me një Ristan të ri, si kryetar. Procedura për të zgjedhur kryetarin e ri të KQZ-së, e miratuar edhe nga PS-ja, favorizon vetëm 4 kandidatët që do të marrin më shumë vota në Komisionin e Ligjeve. Në Komisionin e Ligjeve janë 14 anëtarë vetëm të PD-së, asnjë nga LSI-ja dhe PR-ja, dhe 11 anëtarë të PS-së. Nga gjithë kandidaturat që do të propozohen për kryetarin e ri të KQZ-së, në saj të votave që do të marrin në Komisionin e Ligjeve, 4 do të përzgjidhen. Midis këtyre 4 kandidaturave, po me votën e anëtarëve të Komisionit të Ligjeve, 2 nga kandidatët që do të marrin më shumë vota, do të përcillen për votim në Parlament. Kështu, duke u bazuar në 14 votat e PD-së, përballë 11 votave të PS-së në Komisionin e Ligjeve, është e qartë që 2 kandidatët që do të marrin më shumë vota, do të jenë të PD-së. Kjo mënyrë përzgjedhjeje, nuk jep asnjë mundësi që në parlament të fitojë ndonjë kandidaturë, që mund të marrë votat e LSI-së, të PDIU-së, e të bashkohen me votat e PS-së. Kjo është gafa politike e PS-së që pranoi këtë mënyrë seleksionimi në Komisionin e Ligjeve, dhe nuk u dha mundësia që në parlament të përcillet edhe ndonjë kandidaturë që do të mjaftohej me votat e PS-së në Komisionin e ligjeve, për të bërë aleatime të mundshme në parlament. Nga ana tjetër, kompetenca e komisionit të Ligjeve, që të përzgjedhë ai 2 kandidaturat për Kryetarin e KQZ-së, është një shkelje e ligjit, është veprim antikushtetues, është produkt i kompromiseve politike PD-PS. Nuk mundet që një komision parlamentar, të ketë kompetenca të përzgjedhjes të Kryetarit të KQZ-së, kur këtë të drejtë kushtetuese e ka Kuvendi, derisa Kuvendit i përcillen vetëm dy kandidatura të përzgjedhura nëpërmjet mekanizmit të një shumice votash, ku dihet që kjo shumicë është mbizotëruese, por edhe shumë e pakët, nga shumica parlamentare. Gjithsesi, kjo përzgjedhje e kandidatëve për Kryetarin e KQZ-së, është beteja e humbur politike e PS-së, për vetë fajin e përgjegjësitë e saj.