Ekonomiku, ja kuotat shtesë për mastera dhe degët e reja

868
Sigal

INTERVISTA/ Flet për “Telegraf”, dekania e Fakultetit Ekonomik në universitetin “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan, Evis Kushi

Edhe pak ditë na ndajnë nga fillimi i vitit të ri akademike dhe dekania e Fakultetit Ekonomik, Evis Kushi në një intervistë për gazetën “Telegraf” bën të ditur për publikun kuotat e këtij fakulteti. Sipas znj. Kushi këtë vit të ri akademik do të ketë shumë risi, janë hapur dy programe të reja studimi, që janë Ekonomi Turizmi dhe Administrim Biznesi e Inxhinieri, të cilat janë mjaft të kërkuara nga studentët e viteve të fundit. Dekania, Kushi thotë se këtë vit do të ketë mësim deri në orët e vona kjo për arsye të shtimit të degëve të reja. Gjithashtu, ajo thotë se do të këtë dhe shtim të stafit pedagogjik dhe të stafit jo akademik (sekretare).  E pyetur për regjistrimet on- line, Evis Kushi shprehet se, ky proces ka filluar dhe se pjesa më e madhe e studentëve janë drejtuar pranë sekretarive të fakultetit.

Zonja Kushi sa do të jenë kuotat për vitin e ri akademik në Fakultetin Ekonomik?

Për programet Bachelor janë 5 programe studimi me nga 150 kuota secila që në total shkojnë 600 kuota, por këtë vit hapen dhe dy programe të reja studimi që janë Ekonomi Turizmi dhe Administrim Biznesi e Inxhinieri të dyja këto degë janë shumë të kërkuara dhe secila prej tyre ka nga 60 kuota që shkojnë në 120  në total, por kemi dhe studimet Part-Time, 3 programe me nga 100 secila, ku në total shkon në 300 numri i studentëve.

Për masterat sa do të jetë numri i kuotave?

Kemi 5 programe studimi, master shkencorë që kanë 30-40 kuota secila që në total shkojnë 180  kuota, kemi dhe 5 programe studimi master profesional  ku secila prej tyre kanë nga 50-60 kuota, ku në total shkojnë 270 kuota.

Çfarë risish do të sjellë viti i ri akademik për studentët e Fakultetit Ekonomik?

E reja e Fakultetit Ekonomik është fillimi i dy programeve të reja Bachelor që përmenda më sipër, për të cilat ka pasur vazhdimisht kërkesa vitet e fundit nga studentët. Gjithashtu hapet dhe një program master shkencor në kontabilitet e auditim. Përveç programeve të reja viti i ri fillon edhe me një konferencë shkencore ndërkombëtare me titullin “Vendet europiane -juglindore drejt integrimit Europian”, e cila mbahet më 20 tetor. Në këtë konferencë ka përfaqësues jo vetëm nga Shqipëria, por dhe nga vendet e tjera Maqedonia, Kosova, Bullgaria, Holanda dhe Italia. Një tjetër risi e këtij fakulteti është dhe hapja e departamentit të ri të së drejtës dhe hapja e qendrës kërkimore shkencore ekonomike dhe juridike në strukturë.

A ka nevojë Fakulteti Ekonomik për shtim të godinës?

Për moment ne e përballojmë, por hapja e degëve të reja të studimeve do të na bëjë që mësimi të vazhdojë dhe pasdite deri në orët e vona. Gjë që do të shikohet me kalimin e kohës.

Po për stafin Pedagogjik a ka nevojë për shtesa?

Sigurish që këtë vit do të kemi dhe shtim të stafit pedagogjik kjo për arsye se janë hapur degët e reja, por do të kemi shtim dhe të personelit jo akademik. Megjithatë ne kemi një bashkëpunim të vjetër dhe me universitetet shqiptare, nga ku ftojmë vazhdimisht pedagogë të njohur të fushës. Ndërkohë vitet e fundit është rritur numri i anëtarëve të stafit pedagogjik që kanë marrë tituj ose grada shkencore Doktoratë ose Prof. Asociuar. Kështu që presim një rritje të mëtejshme të cilësisë së mësimdhënies dhe punës shkencore.

A ka studentë që vinë pranë sekretarisë për të bërë regjistrimet on- line normalisht dhe sa është numri i tyre?

Po regjistrimet on- line kanë filluar dhe mund të them se pjesa më e madhe e studenteve vijnë për ta kryer këtë procedurë pranë sekretarive dhe kjo gjë ka shkaktuar një fluks të madh, por kjo po menaxhohet mirë nga universiteti.