Sigal

Partia Demokratike ka sulmuar ashpër kryeministrin Edi Rama në lidhje me projektin për Unazën e Re, ku u zbulua edhe skandali me kompaninë “DH Albania”. Në një dalje publike nga selia blu, Dorian Teliti, Këshilltar për Ekonominë në PD tha se viti 2018 ishte një ndër vitet më të këqija të qeverisë ‘Rama’. “Viti 2018 është shënuar në llogaritë e ekonomisë shqiptare si një nga vitet më të këqija të qeverisjes së Edi Ramës. 15 340 biznese kanë falimentuar nga janari deri në dhjetor. Bizneset e mbyllura në një vit janë të qytetarëve të zakonshëm, sipërmarrës të vegjël e të mesëm që e kanë ulur qepenin nga taksat dhe tarifat lokale të rritura 2-3 herë, nga energjia 30% më e shtrenjtë, nga fatura e ujit 44 % më e shtrenjtë! Mbi 15 mijë biznese të falimentuara do të thotë 62 % biznese të mbyllura më shumë se një vit më parë. Janë mbi 15 mijë familje shqiptare që nuk i kanë mbijetuar gjobave të taksidarëve, që nuk i kanë mbijetuar skemës dërrmuese të TVSH-së.– thuhet në deklaratën e PD-së. Sipas Partisë Demokratike, kompania DH Albania ka përfituar që nga korriku 50 milionë euro tenderë. “DH Albania, kompania fantazmë që u regjistrua në korrik dhe brenda pak javësh mori 50 milionë euro tendera, është fytyra e ekonomisë që ka ndërtuar Edi Rama: Falimentim me taksa dhe gjoba të rënda për shqiptarët e zakonshëm, miliona euro për kompanitë e parajsave fiskale, me të cilat ndan pushtetin.”– tha Teliti