Komisioni Evropian nuk ka besim te informacionet e Vlahutin

137
“Komisioni Evropian nuk ka besim te Delegacioni i Vlahutinit”
Gazetarja Erisa Zykaj zbulon zhvillimet në Bruksel lidhur me Shqipërinë dhe rolin e ambasadores në Tiranë. Heshtja për drogën dhe pse ekspertët do të zbresin në terren
Gazetarja Erisa Zykaj u shpreh se në Shqipëri ka aq shumë probleme sa nuk mund të kalohen lehtë nga Komisioni Evropian. Madje Zykaj, në studion e “syri.net”, tha se është paralajmëruar ngritja e komisioneve të përbashkëta nga të gjitha institucionet evropiane me ekspertë për të parë se çfarë po ndodh dhe si është situata në terren. Sipas gazetares, kjo ndodh për herë të parë dhe duket se ka lidhje me faktin se nuk ka besim me atë që raportohet, madje nuk ka besim as te Delegacioni i BE-së. Ky delegacion drejtohet nga ambasadorja Romana Vlahutin, e kritikuar disa herë për qëndrimet e saj, veçanërisht gjatë diskutimit të reformës në drejtori apo debatit mbi kanabizimin e vendit. Në këtë kuadër, Zykaj tha se madje edhe për situatën e drogës në Shqipëri, zyrtarë të BE-së nuk kanë pasur informacione. “Shqipëria u kthye në prodhuesin kryesor të kanabisit dhe furnizimit të Europës dhe zyrtarët e BE-së nuk dinin asnjë gjë. Si ka mundësi që nuk ka pasur informacione për situatën e drogës në Shqipëri 1 vit apo 2 vjet më parë? Nuk ka pasur informacione apo nuk është trajtuar siç duhet, apo nuk është përcjellë me seriozitet, këtë nuk di ta them, por kjo është e vërteta, dhe kjo është deklaruar nga zyrtarët e BE-së”, tha Zykaj. Ajo shtoi se nëse nuk do të kishte ndodhur viti 1997, Shqipëria do të ishte anëtarësuar në BE, duke qenë një ndër 10 vendet anëtare të Evropës Qendrore dhe Lindore. “Ekspertë dhe zyrtarë të Komisionit Evropian kanë konstatuar se në 1996 kemi qenë në prag të anëtarësimit, por 1997 përmbysi gjithçka dhe sot jemi këtu ku jemi”, tha ajo. Zykaj, e cila punon si korrespondente në Bruksel për “Tv Klan”, tha se Komisioni Evropian është shprehur i gatshëm që do të ketë një rekomandim pozitiv për hapjen e negociatave, por kjo nuk do të thotë se ky është vendimi përfundimtar, pasi do të ketë një shprehje nga çdo vend anëtar i BE-së. Referuar afatit të vitit 2025 për anëtarësimin në BE, Zykaj tha se gjithçka do të varet nga përmbushja e detyrimeve që ka secili vend. “Nëse ka shtete që mund të jenë gati, atëherë mund të anëtarësohen deri në 2025. P.sh Serbia ka probleme me njohjen e Kosovës dhe referuar asaj çka deklarohet vendet duhet të zgjidhin problemet që kanë me fqinjët përpara se të anëtarësohen në BE”, tha Zykaj.

Dy ditë më parë, në një intervistë për gazetaren Erisa Zykaj, komisioneri evropian për Politikën e Fqinjësisë dhe Negociatave të Zgjerimit, Johannes Han shpjegoi, se strategjia e re e Komisionit Evropian për Ballkanin Perëndimor synon që t’i ofrojë secilit vend një perspektivë të qartë anëtarësimi. Lidhur me rekomandimin për çeljen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë dhe Maqedonisë në BE gjatë presidencës bullgare, komisioneri Han u shpreh se jemi pothuajse aty, por i këshilloi interlokutorët shqiptarë dhe maqedonas që të harrojnë “pothuajse” dhe të tregojnë që gjërat janë kryer. Sipas Han, sapo ato të jenë kryer dhe prezantuar, do të vijohet me rekomandimin.

Ambasadorja gjermane: Rezultate konkrete ndaj krimit
Ambasadorja gjermane në Tiranë, Susanne Shutz, ka inkurajuar shqiptarët për progresin e arritur në sistemin e drejtësisë, duke theksuar se Gjermania mbështet Shqipërinë në rrugën e saj drejt BE-së. Duke folur mbi strategjinë e Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor nga Komisioni Evropian, ambasadorja gjermane në Tiranë përshëndeti faktin, që “Komisioni nënvizon rëndësinë, që ka për Evropën transformimi i mëtejshëm dhe stabiliteti i Ballkanit Perëndimor”. Gjatë fjalës së saj, ambasadorja Shutz theksoi se prej fundit të viteve ‘90-të, rajoni i Ballkanit Perëndimor ka shënuar një progres të konsiderueshëm, duke u ndalur te vazhdimi i reformave bindëse dhe gjithëpërfshirëse në sektorët qendrorë. “Ky rajon, prej fundit të viteve ’90-të, ka shënuar një progres të konsiderueshëm. Por të nevojshme vazhdojnë të mbeten reforma të tjera gjithëpërfshirëse dhe bindëse në sektorë qendrorë, sikurse është shteti ligjor, përfshirë këtu luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, apo liria e medias, aftësia konkurruese, bashkëpunimi rajonal dhe pajtimi”, tha diplomatja. Në vijim, ambasadorja Shutz shprehet se çdonjëri prej vendeve matet për nga rezultatet e veta në këtë proces. “Ndaj dëshiroj të inkurajoj partnerët tanë shqiptarë për të arritur progres të mëtejshëm dhe rezultate konkrete në të gjithë sektorët kyç, veçanërisht në reformën e sistemit të drejtësisë dhe luftën kundër korrupsionit e krimit të organizuar”, thekson ambasadorja Shutz. Po ashtu ambasadorja Shutz pohoi se Gjermania dhe Bashkimi Evropian do të vazhdojnë të mbështesin Ballkanin Perëndimor në reformat e tij për më shumë zhvillim ekonomiko-social, demokraci, stabilitet dhe mirëqenie. “Një Ballkan Perëndimor i begatë e i qëndrueshëm në përputhje me kursin evropian është edhe në interes të Gjermanisë dhe Evropës”, shprehet ambasadorja Shutz.