Kokëdhima: Rama e ka minuar integrimin e Shqipërisë në BE

525
Partia Zgjidhja akuzoi kryeministrin Edi Rama se është minuesi i integrimit të Shqipërisë për integrimin në BE. Në reagimin në Facebook, forca politike e drejtuar nga Koço Kokëdhima tha se kushti me eliminimin e kanabisit vënë nga BE për hapjen e negociatave është rrëzimi real i qeverisë dhe tregon se ajo është pengesa reale që vendi nuk integrohet në Evropë. “Kryeministri i propagandës boshe nuk mund të jetë edhe i integrimit. Dje shqiptarët morën një lajm të hidhur nga kryesuesja e delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, zonja Romana Vlahutin: Bashkimi Evropian i ka shtuar Shqipërisë edhe një kusht të ri për hapjen e negociatave. Tonelatat e drogës që kapen çdo ditë në rrugë tokësore, ujore e ajrore, janë kthyer në kryeshqetësim për institucionet e Bashkimit Evropian. Alarmi është ngritur nga disa shtete, që nuk kanë përjashtuar edhe mundësinë e rivendosjes së regjimit të vizave për shqiptarët. Droga u deklarua edhe zyrtarisht si një kusht i ri për ecurinë e Shqipërinë drejt integrimit në Bashkimin Evropian”, thuhet në deklaratën e Kokëdhimës. Më tej ai shton se qeveria nën drejtimin e Ramës perceptohet me të drejtë si pengesë për prosperitetin e shqiptarëve. “Pasi e mohoi kanabizimin e Shqipërisë që u bë me vullnetin dhe urdhrat e tij për gati dy vjet, kryeministri ngriti task-forcën gjoja për të arrestuar, sekuestruar dhe luftuar trafikantët. Askush nuk e beson më Ramën. Ai shan e sulmon në televizion të fortët e hashashit që bredhin me makina të shtrenjta dhe që kanë ndikim në jetën social-politike të komunitetit. Në opinionin publik kriminelët e drogës konsiderohen më të justifikuar se kryeministri dhe ish-ministri i brendshëm. Kultivuesit ilegalë të kanabisit shkelën ligjet, rrezikuan penalisht e financiarisht, paguan shefat dhe drejtorët e policisë dhe u prenë në besë shumë herë prej tyre. Ata që dështuan humbën shtëpitë dhe borxhet që morën tek të afërmit, bankat dhe fajdexhinjtë. Po Rama, Tahiri, deputetët e Rilindjes dhe zyrtarët e policisë çfarë merite kishin që përfituan 20 deri në 30 për qind të drogës në natyrë dhe tarifa specifike deri në 100 euro në tokë dhe deri në 100 euro në det, për çdo kg kanabis që trafikohet?! Asnjë meritë!”, shkruan Kokëdhima.
Sigal