Koço Kokëdhima: Rama e ktheu partinë në një bandë të inkriminuar

447
Kreu i themelimit të lëvizjes “Zgjidhja” të cilën e ktheu në parti politike, Koço Kokëdhima, në një shkrim analizë të hollësishme flet për gjendjen e PS-së
Ka qenë kritik pothuaj në të shumtën e rasteve me drejtimi ne partisë Socialiste, sipas modelit të lidershipit të saj Edi Rama. Pothuaj në të gjitha daljet publike, po ashtu edh enë takimet që ka bërë me përkrahësit e lëvizjes së tij, krijuara në fund të vitit të kaluar, Kokëdhima ka vënë në dukje gabimet e Ramës, madje ka folur me tone të ashpra për mënyrën sesi ai së bashku me një grup brenda PS-së e kanë katandisur partinë në një çiflig duke mos marrë parasysh mendimin e bazës. Në një analizë të gjerë, Kokëdhima flet për gjendjen në të cilën e ktheu Rama partinë, duke e mbushur me të inkriminuar. “Unë dua ta siguroj Edi Ramën se nuk do t’i harrojmë asnjëherë dhe për asnjë çast arrogancën, brutalitetin dhe arbitraritetin që ushtroi paturpësisht mbi drejtuesit e “Zgjidhjes”, mbi Nertilën, Jolën, Irenën, Silvanën, Tedin, Arditin, Gjergjin, Brigelsin, Thomain, Klementinën, Marinelën, Eltonin, Sadritin e sa e sa të tjerë, të cilët i kërcënoi, i shantazhoi, i shpalli armiq të partisë, i shkarkoi nga funksionet dhe i pushoi nga puna. Këta janë luftëtarë të demokracisë. Këta kanë respekt për lirinë e tyre dhe për lirinë e popullit”, shprehet Kokëdhima. 

Zgjidhja nuk izolohet
Në një pjesë të shkrimit të tij, lideri i “Zgjidhja”, i jep një përgjigje gjithë personave që përpiqen sipas tij ta izolojnë atë. “Më kot përpiqen ta izolojnë “Zgjidhjen”. Ajo nuk izolohet. Mbështetësit e “Zgjidhjes” shtohen çdo ditë me qindra e me mijëra. Më kot përpiqen të na trembin. Ata e kanë lepurin në bark! Ata tremben nga idetë e “Zgjidhjes”! Dhe nuk e kanë gabim! Bëjnë mirë që tremben dhe tmerrohen nga platforma dhe shqiponjat e “Zgjidhjes”. Në vitin 1991 në Shqipëri u vendos pluralizmi, por jo demokracia. Shqipëria nuk është një vend demokratik. Në këto 26 vite këtu është në fuqi partitokracia ose sundimi i kryetarëve. “Zgjidhja” do e shembë regjimin e partitokracisë! Do e shembë pushtetin e kryetarëve. Do të vendosë demokracinë dhe sundimin e popullit. “Zgjidhja” do të luftojë deri në fund për pastrimin e zgjedhjeve. Në këtë vend kryetarët nuk do të munden më të vjedhin, trafikojnë apo blejnë votat tona! Nuk do të jetë më si tani kur populli voton dhe kryetarët numërojnë votat. “Zgjidhja” do t’i reformojë partitë politike. Edhe Partinë Socialiste. Nuk do jetë më si tani që populli voton, kryetari zgjedh! Do t’ia marrim pushtetin abuziv kryetarit dhe do t’ua kthejmë socialistëve të bazës. Zgjidhja do ta rindërtojë të majtën në Shqipëri. Janë këto motive të ndritura që i bëjnë anëtarët e “Zgjidhjes” që të jenë shqiponja! Shqiponjat e “Zgjidhjes” për lirinë e Shqipërisë. Shkurt, “Shqiponjat e Zgjidhjes”! Në solidaritet të thellë e të plotë me të gjithë shoqet dhe shokët tanë që janë goditur e persekutuar nga kjo qeveri, ju ftoj të bëjmë me duar simbolin e shqiponjës. Nderim e mirënjohje për Shqiponjat e Zgjidhjes! Shembulli i tyre na frymëzon, na trimëron dhe është një apel i fuqishëm për të gjithë të majtët dhe qytetarët e thjeshtë të Shqipërisë, që të mos frikësohen nga brutaliteti dhe represioni i qeverisë. Zgjidhja nuk do të ndalet. Bashkohuni me “Zgjidhjen”! I ftoj të gjithë burrat dhe gratë e këtij vendi, të rinjtë e të rejat e universiteteve, shkollave, qyteteve dhe fshatrave që të bashkohen me ‘Zgjidhjen” dhe ta përmbysim regjimin dhe klasën politike të korruptuar të Shqipërisë, të pastrojmë përçudnimin dhe kalbëzimin e sistemit tonë politik dhe të vendosim një demokraci kushtetuese të denjë për popullin tonë. Këta që drejtojnë prej 25 vitesh, të majtët e të djathtët, janë kusarë dhe rrënjëdalë. Ne nuk trembemi nga askush dhe nga asgjë. Ta ngremë popullin në këmbë. Të bashkuar si një trup i vetëm me popullin tonë, me nevojat dhe idealet e tij do ta thyejmë në mes kastën sunduese të këtij tranzicioni! Është shumë e qartë se lidershipi i PS-së ka likuiduar dhe eliminuar çdo liri mendimi, shprehjeje dhe demokracie të brendshme në parti. Ky lidership, mori nën kontroll dhe drejtim një parti politike të mirëfilltë, të organizuar dhe me hapësira për mendimin ndryshe dhe debatin. Mori partinë më të mirë në vend dhe e ktheu në një bashkësi parapolitike, në një parti ku mendon, flet dhe vendos vetëm kryetari, pa asgjë të përbashkët me partitë e majta evropiane, përveç dorës që shtrëngon trëndafilin te simboli i PS-së, e ktheu PS-në në një parti antidemokratike. Rama e ktheu partinë në një bandë të inkriminuar. Asnjë armik i të majtës shqiptare nuk do ta bënte më mirë se Rama një plan për shkatërrimin e partisë më të rëndësishme politike në vend, Partisë Socialiste. Lidershipi i Partisë Socialiste përjashtoi nga funksionet, si të gjithë drejtuesit e tjerë të “Zgjidhjes”, edhe mua, sepse nuk dëshiron që të lejojë asnjë liri për mendimin ndryshe dhe debatin në parti. Kurrë ndonjëherë nuk ka qenë në këtë derexhe Partia Socialiste”, shprehet Kokëdhima.
Kush i bëri listat
Kokëdhima foli edhe për formulimin e listave të kandidatëve. “ Partitë shqiptare janë autokratike dhe funksionojnë thjesht si bashkësi parapolitike, pa rregulla, procedura, standarde, demokraci të brendshme dhe debat e vendimmarrje kolegjiale. Ato janë prona të kryetarëve dhe të disa njerëzve afër tyre, të shkëputura nga qytetarët, anëtarët dhe militantët. Me të njëjtën frymë dhe me të njëjtën skemë hartuan listat e kandidatëve për deputetë. Askush nuk u pyet për të përzgjedhur përfaqësuesit e popullit për 4 vitet e ardhshme. Ashtu si listat e vjetra, edhe të sivjetmet u bënë dhe vendosën vetëm nga kryetarët e partive, u publikuan vetëm në sekondën e fundit të mesnatës kur skadonte afati i dorëzimit të tyre dhe u mbushën me servilët e kryetarëve të partive. U lanë jashtë zërat ndryshe edhe ata pak njerëz që nuk mendonin me kokën e kryetarit, por me të tyren, ata që kërkuan vendimmarrje nga baza dhe jo nga një njeri i vetëm. Shumë deputetë aktualë, të djegur e të diskredituar në zonat e tyre u “transferuan” në qarqe e zona të reja!

Gati 6 muaj më parë ZGJIDHJA shpalosi nismën ligjore qytetare “Unë zgjedh deputetin që dua”, që Shqipëria të shpëtonte nga pushteti absolut i kryetarëve të partive, të cilët, prej dekadash, vendosin se kush duhet të jetë deputet, kryetar bashkie, këshilltar, gjyqtar, prokuror apo gjithçka tjetër në këtë vend. Mijëra qytetarë firmosën nismën tonë dhe kjo tregon se shqiptarët nuk duan që të jenë edhe më tutje të zhveshur nga çdo lloj e drejte dhe pushteti, se ata duan që të zgjedhin vetë përfaqësuesit në pushtet dhe në drejtimin e punëve të vendit. Kryetarët e partive kanë frikë nga vota e popullit dhe nuk duan të humbim monopolin e vendosjes për gjithçka. Kryetarët e partive e shtynë edhe ca kohë këtë revolucion të pashmangshëm që duhet të ndodhë në Shqipëri, por nuk do t’i shpëtojnë dot atij. Shumë shpejt kjo gjendje do të përmbyset. Qytetarët e Shqipërisë, të injoruar dhe të zhveshur nga çdo lloj pushteti deri më sot, do t’i vënë fshesën pushtetit absolutist të kryetarëve. Partia ZGJIDHJA do të jetë në krye të kësaj lëvizjeje, që Shqipëria të flakë diktaturën e kryetarëve për të ndërtuar një demokraci të vërtetë dhe funksionale. Populli shqiptar nuk duhet të pengohet nga kjo kastë dhe nga kjo koniunkturë, si deri tani, që të qeverisë fatet dhe punët e veta!” –shprehet Kokëdhima.
Sigal