Klevis Balliu: Përgjimet vërtetojnë blerjen e votave

661
Sigal

Intervista/ Flet ish-deputeti i PD, Klevis Balliu: Së shpejti Rama do të japë dorëheqjen ose, thjesht, do të pushohet nga qytetarët

 

Përgjimet e “Bild” kanë vërtetuar që Rama i ka blerë zgjedhjet

Albert Z. ZHOLI

Përgjimet e “Bild” tashmë komentohen kudo në Evropë. Nga ana tjetër, Rama vazhdon fushatën për zgjedhjet vendore të 30 qershorit. Çfarë do të ndodhë? A do zhvillohen zgjedhjet në këtë datë? A do shkojë populli në zgjedhje?

Rama, edhe pse pa kundërshtarë vazhdon fushatën, madje me shoqërues të shumtë. Si do ta quanit këtë fushatë, duke marrë në polici dhe drejtues të protestave të opozitës, komenti juaj? Në këto situata a do zhvillohen normalisht zgjedhjet në 30 qershor pa opozitën dhe si do veprojë opozita?

“Zgjedhje nuk ka por kjo s’është çështja e Opozitës. Opozita është e qartë se me 30 qershor apo 30 tetor me Ramën kryeministër nuk mund të ketë zgjedhje.”

Përgjimet e “Bild”, a do ndikojnë në uljen e përkrahësve të PS-së në përgjithësi dhe a do ulnin numrin e votusve të PS-së, nëse do kishim zgjedhje të rregullta?

“Jo, sepse është tekë politike, por sepse përgjimet e “Bild” kanë vërtetuar që Rama i ka blerë zgjedhjet. Gjithashtu, përgjimet kanë vërtetuar po ashtu se, nëse i vjedh zgjedhjet nuk ndëshkohesh, pasi asnjë zyrtar nuk është ndëshkuar, sepse Prokuroria është sot nën urdhrat e bandave që vodhën zgjedhjet. Por zhvillimi i këtyre zgjedhjeve mund të krijojë një përplasje të qytetarëve, çka Rama e kërkon me ngulm për të shpëtuar kokën e tij nga drejtësia. Nuk është problem data, është Rama problem se ai është arkitekti i skemës të publikuar tek “Bild” për vjedhjen e votës.”

Në këto situata a është i rrezikuar Rama si kryetar partie dhe a do dalin zëra kundër tij?

“Rama është në ditët e tij të fundit. Sot e ndjekin ato pak njerëz që janë në punë për 300 mijë lekë të vjetra rrogë dhe ata që kanë frikë nga bandat e Ramës. Vetë Rama është i tmerruar, sepse farsën që ai përdor për disa sy që s’duan të shohin, ai vetë e di që është farsë dhe është pikërisht kjo arsyeja, pse sot lëviz në qytete të ndryshme me 6 autoblinda, 40 makina policie, 300 efektivë të FNSH, 300 efektivë të Shqiponjave dhe pafund forca nga Policia e Rendit.”

-Pra, mendoni se Rama do të japë dorëheqjen?

“Por të gjitha këtyre po i vjen fundi. Së shpejti do japë dorëheqjen ose, thjesht, do të pushohet nga qytetarët. Mund të fshihet, mund ruhet, por një ditë qytetarët do ta kapin, pasi sot Shqipëria e ka shpallur në kërkim.”

-Si do ta komentonit çdekretimin e datës 30 qershor nga Presidenti Meta për zgjedhjet vendore?

“I drejtë dhe korrekt. Veprim i matur.”