Këshilli i Stabilizim-Asocimit, BE: Shqipëria të thellojë reformat në drejtësi e kundër korrupsionit

478
Sigal

Bashkimi Evropian ka bërë një deklaratë pas takimit të Këshillit të Stabilizim Asociimit. BE ritheksoi nevojën jetike që Shqipëria të thellojë reformat. “Shqipëria duhet të konsolidojë progresin e bërë në Reformën në Drejtësi si dhe në procesin e Vetting-ut,” thuhet në deklaratë. Bashkimi Evropian gjithashtu kërkoi rezultate të prekshme në luftën kundër krimit dhe korrupsionit. BE-ja rikujtoi Konkluzionet e Këshillit Evropian të Qershorit 2018, në të cilat Këshilli ra dakord që t’i përgjigjej pozitivisht përparimit të mësipërm dhe përcaktoi rrugën drejt hapjes së negociatave të anëtarësimit në qershor 2019. Rrjedhimisht, BE-ja përsëriti nevojën kritike që Shqipëria të ruajë dhe të thellojë ritmin aktual të reformave, të konsolidojë më tej progresin e bërë në reformën gjyqësore, në veçanti përmes procesit të vetting-ut, dhe të shënojë rezultate të tjera të prekshme në luftën kundër korrupsionit në të gjitha nivelet dhe në luftën kundër krimit të organizuar, veçanërisht kundër kultivimit dhe trafikimit të drogave, duke pasuruar rezultatet pozitive që janë arritur në luftën kundër kultivimit të kanabisit gjatë kësaj periudhe. BE theksoi se është thelbësore të forcohen përpjekjet për konfiskimin e aseteve kriminale si dhe të garantohet ndjekja e duhur gjyqësore e operacioneve të suksesshme të zbatimit të ligjit. KSA vuri në dukje se, pas Konkluzioneve të fundit të Këshillit Evropian, Komisioni ka filluar punën përgatitore teknike me palën shqiptare. BE-ja ritheksoi se dialogu konstruktiv ndërpartiak dhe bashkëpunimi në Kuvendin e Shqipërisë janë thelbësorë për përparimin e mëtejshëm të reformave dhe për qëndrueshmërinë e përgjithshme të angazhimit në procesin e integrimit në BE. BE theksoi rëndësinë e ndjekjes në mënyrë të vazhdueshme të dialogut gjithëpërfshirës politik, ndërkohë që avancohet puna teknike në të gjitha komisionet relevante parlamentare, përfshirë atë në Komitetin ad hoc për reformën zgjedhore. BE nënvizoi nevojën që të gjitha palët të gjejnë konsensusin e nevojshëm për të ndryshuar ligjin mbi statusin e gjyqtarëve, i cili do të mundësojë rekrutimin e një numri më të madh kandidaturash të reja për gjyqtarë. KSA-ja vlerësoi rolin e Shqipërisë në rajon si një partner pro-aktiv dhe konstruktiv, si dhe vazhdimin e linjëzimit të plotë të saj me qëndrimet dhe deklaratat e BE-së në kuadër të Politikës së Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë.