Jakup B. GJOÇA: Ambasadorë apo pazarxhinj të Kushtetutës ?!

728
Sigal

Ambasadorët në Tiranë, si Guvernatorë, e bëjnë pazar edhe Kushtetutën e Republikës

Jakup B. GJOÇA

Ambasadori italian në Shqipëri, Alberto Cutillo pardje propozoi që palët politike në Shqipëri t’i drejtohet Komisionit të Venecias, për të bërë aty “pazarin” e Kushtetutës së Shqipërisë, që, paskësaj, Komisioni i Venecias të japë një kompromis politik, si zgjidhje kushtetuese të ngërçit kushtetues të Gjykatës Kushtetuese. Ambasadori Cutillo, edhe nëse nuk e di se çfarë përmban Kushtetuta e Shqipërisë, të paktën duhet të ketë dije, se Parlamenti ka shkelur Kushtetutën, ligjin “Për funksionimin e Gjykatës Kushtetuese” për emërimin me një votim të 2 anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, sikurse edhe KED i ka marrë dhunshëm kompetencat kushtetuese të Presidentit të Republikës, duke emëruar një anëtare për në Gjykatën Kushtetuese. Atëherë, si mundet, që duke ditur këto parime kushtetuese, ambasadori italian të propozojë, që pazarin kushtetues të Gjykatës Kushtetuese ta bëjmë në Komisionin e Venecias? Përse 2 vjet me radhë, ky ambasador nuk u shqetësua pse Shqipëria është pa Gjykatë Kushtetuese? Përse ambasada e SHBA në Tiranë dhe ambasadori i BE në Tiranë përgëzuan votimin antikushtetues të Parlamentit, duke zgjedhur njëkohësisht në një seancë plenare 2 anëtarë të Gjykatës Kushtetuese? Përgjigja e kësaj pyetje është e thjeshtë. Ambasadorët e duan Reformën në Drejtësi jo për t’u dhënë shqiptarëve Drejtësinë e mohuar. As që të hedhin themelet e një demokracie në Shqipëri. Ambasadorët e akredituar në Tiranë e duan Reformën në Drejtësi për t’u mburrur e ta kenë në CV-të e tyre si sukses të Karrierës së tyre Diplomatike. Dhe akoma… Ambasadorët e akredituar në Tiranë e duan Reformën në Drejtësi edhe për të justifikuar dhjetëra dhe qindra milionë euro që u financuan për këtë Reformë, e këta Ambasadorë, natyrisht, kanë mbushur xhepat e tyre me shpërblime.

  • Prandaj këta Ambasadorët të akredituar në Tiranë nuk flasin me emra për të korruptuarit, sepse midis të korruptuarve mund të zbardhen pastaj edhe emrat e tyre.
  • Prandaj këta Ambasadorë shpejtuan të mburrin e të përkrahin emërimet antikushtetuese të Parlamentit Shqiptar për 3 anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, kandidatë pa integritet intelektual;
  • derisa betimin e noterizojnë edhe tek …parukeria e lagjes, pa integritet profesional,
  • derisa 2 anëtaret që Parlamenti votoi për në Gjykatën Kushtetuese nuk mundën të merrnin provimet për t’u pranuar në Shkollën e Magjistraturës.

Edi Rama i përdor këta Ambasadorë të akredituar në Tiranë si Alibi për Ramaformën, me anën e së cilës po gjunjëzon, poshtëron, degjeneron të gjitha pushtetet dhe institucionet, duke i kthyer pasandaj në shërbëtorë të pushtetit autokrat që ka ngritur në Shqipëri.