Ish-drejtori Mjeksit: Fajin e ka Imami

661
Sigal

Daniel Karanxha, i binduri pa kushte i ish-ministrit

Skandalet që po dalin kohët e fundit, dhe që e kanë dërguar ish-ministrin e Mbrojtjes, Arben Imami, në ndjekje penale, duket se nuk po kursejnë edhe vartësit e tij të bindur. Njëri prej tyre dhe më i përfoluri ditët e fundit, është edhe ish-drejtori Mjeksit Daniel Karanxha. Prej 4 vitesh, Karanxha, ish-mësuesi i matematikës nga Elbasani, ka qenë njeriu më i preferuar i PD-së lokale dhe ish-ministrit Imami, i cili mbulonte politikisht atë qark për fushatën elektorale. Por çfarë përmban në thelb padia penale ndaj dyshes Imami-Karanxha? Sipas padisë penale nr. 2 ndaj ish-ministrit Imami dhe ish-drejtorit të Mjeksit Daniel Karanxha “kontrata është lidhur përpara se blerësi të pajisej me autorizim nga AKSHE për  transferim ndërkombëtar të mallrave ushtarake, në shkelje të pikës 8 të udhëzimit nr. 4 datë 07.05.2010 “Për përcaktimin e procedurave dhe strukturave për shitjen e artikujve të dalë jashtë përdorimit e armatimit të FA, që janë kategorizuar për përdorim ushtarak”. Kontrata është lidhur pa marre miratimin e MM, në shkelje të pikës 11 të udhëzimit nr.4 datë 07.05.2010. Është shkelur pika 4 e udhëzimit nr.4 datë 07.05.2010, sipas të cilës, ULP Mjekës nuk është e specializuar për të realizuar eksporte, por kjo procedure duhej të kryhej nga ndërmarrja “MEICO”.  Kompensimi me mall i një detyrimi në para rrjedhojë e procesit të demontimit bie në kundërshtim me VKM nr. 432 datë 26.06.2006, si dhe të udhëzimit të përbashkët të MM me MF nr.2 datë 06.02.2012, sipas të cilit të ardhurat me para duhet të kalojnë në buxhet. Çmimi prej 450 USD/ton është përcaktuar vetëm mbi bazën e kërkesës së blerësit (firma Babasi Coo sh.p.k), pa bërë testimin e tregut, pa përcaktuar specifikimet teknike dhe pa një vendim për përzgjedhjen e ofertës më të mirë. Çmimi i shitjes prej 600 USD i aplikuar nga firma Babasi COO sh.p.k, për blerësin në Bullgari, pa bërë asnjë përpunim të mëtejshëm të mallit, ka favorizuar blerësin, gjë të cilën shumë mirë mund ta realizonte ndërmarrja “Meico”. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, për veprimet e mësipërme në kundërshtim me ligjin, mbajnë përgjegjësi Arben IMAMI, ish-Ministër i Mbrojtjes së Republikës së Shqipërisë dhe Daniel Karanxha ish-Drejtor i ULP Mjekës, Ministria e Mbrojtjes”. Por dalja e pritur ndoshta e padisë së dytë ndaj ish-shefit të tij, duket se nuk e ka suprizuar shumë ish-drejtorin Karanxha, i cili po tenton t’ja kalojë krejtësisht fajin Arben Imamit, duke pretenduar se “kam vepruar sipas urdhrave të tij”. Por ama duke shkelur ligjin, dhe sipas burimeve hetimore edhe më keq akoma, duke përfituar bashkë me ish-shefin e tij. Realisht në Uzinën e Mjeksit, sapo ka ardhur drejtori i ri Astrit Halili, është kryer inventarizimi i plotë i mallit që ndodhet në magazinat e saj, si dhe auditimi i imtësishëm i dokumentacionit duke nxjerrë në sipërfaqe shkelje flagrante të natyrave të ndryshme deri tek abuzimet me detyrën, shkeljet ligjore, dhe përvetësimi vlerave monetare. Nga ana e saj policia dhe organet hetimore në Elbasan, po merren intensivisht me detaje të dosjes penale, duke qenë se një pjesë e veprimtarisë antiligjore ka shtrirje edhe në këtë qytet. Bëhet fjalë për persona që kanë pasur lidhje me kontraktorë dhe nënkontraktorë të uzinës  si ndërmjetës me firmat e huaja për armët dhe municionet luftarake si dhe tritolit. Burimet hetimore thanë se pritet të zgjerohet rrjeti  personave që kanë pasur lidhje si me demontimin e armëve dhe municioneve në 4 vitet e fundit, ashtu edhe me abuzimin e shitjes së 500 ton tritol të zbuluar ditët e fundit.