Ambasadorja e BE: Nuk ka asnjë nismë për ‘non grata’ nga BE

127
Sigal

Zërave se shumë shpejt Bashkimi Europian do ndjekë të njëjtën politikë si SHBA dhe Britania për të shpallur non grata duke sanksionuar zyrtarët e korruptuar u është përgjigjur ambasadorja e BE-së në Tiranë, Christiane Hohmann. Në një intervistë, diplomatja tha se nuk ka asnjë nismë apo propozim të tillë nga BE. Ambasadorja e Bashkimit Europian Christiane Hohmann ka deklaruar se BE ia ka caktuar Shqipërisë ‘vijat e kuqe’ përsa i përket ligjit për amnistinë fiskale dhe pasaportat e arta. Në një intervistë për “Euronews Albania”, ambasadorja tha se tashmë pret të shohë legjislacionet e reja nga qeveria, të edituara e ndryshuara.

Gazetarja: Zonja Ambasadore, tjetër shqetësim i Bashkimit Evropian, por edhe i Shteteve të Bashkuara është amnistia fiskale, një tjetër nismë që qeveria po tenton ta miratojë. Shumica politike duket e vendosur ta bëjë. Përgjigja standarde që ata kthejnë është që po negociojnë me partnerët tanë dhe se po punojnë me ekspertë të BE-së për këtë gjë. A mund të na bëni të qartë se cilat janë vijat e kuqe të Komisionit për këtë çështje, pra cilat janë pikat për të cilat ju bini dakord dhe pikat për të cilat ju nuk bini dakord, i keni vija të kuqe? Cili është shqetësimi kryesor?

Ambasadorja: Ne kemi sjellë disa ekspertë, që janë shumë më të zotët se unë. Unë nuk jam eksperte finance, por ata kanë ardhur dhe kanë dhënë një numër të konsiderueshëm këshillash për qeverinë shqiptare për t’u përfshirë në hartimin e një legjislacioni të ri, një versioni të ri të tij. Kjo është ajo që po presim, një version i ri që të përfshijë këshillat e dhëna. Në këtë pikë nuk mund t’ju them ku janë vijat e kuqe, pasi nuk e njoh gjendjen aktuale të draft legjislacionit. Jemi në pritje të tij

Gazetarja: Shumë shkurt, cili është shqetësimi kryesor? Cila është frika juaj, pastrimi i parave?

Ambasadorja: Janë shumë çështje pasi është një legjislacion jashtëzakonisht i ndërlikuar dhe gjithëpërfshirës. Ju përmendët një prej tyre, por është edhe çështja e ekstraterritorialitetit, çështja e zbatueshmërisë, është një sfidë e madhe praktike, por edhe ligjore, por siç e thashë kemi ofruar këshilla dhe tani çështja është si do të hartohet një draft i ri i legjislacionit. Ekspertët do ta shohin përsëri dhe nuk është vetëm Komisioni Evropian, por edhe MoneyVal që do ta shohë dhe do të japë këshilla.