Intervista e kryetarit të Grupit Parlamentar të LSI, Petrit Vasili, dhënë për televizionin “Faxnews”

633
Sigal

 Z. Vasili, nesër do të
ketë një seancë plenare, e cila do të hedhë në votim edhe propozimin e opozitës
për ndryshime në ligjin për Kryeprokurorin, ku kërkohet që të jetë një Prokuror
i Përgjithshëm i përkohshëm i zgjedhur me 3/5 dhe me veting. Ndërkohë që
mazhoranca e ka rrëzuar këtë propozim në komision. Do vazhdoni t’i qëndroni kësaj
kërkese?


parim kërkesa jonë mbetet e pandryshuar, pasi ajo nuk kërkon asgjë më shumë sesa
një zbatim pikë për pikë i Kushtetutës dhe ligjit. Rrëzohet apo nuk rrëzohet
nesër kjo, është tjetër gjë. Sigurisht me 99% kjo do të ndodhë duke pasur
parasysh një mazhorancë të marrosur, për fat të keq të përkrahur edhe nga ndonjë
i huaj këtu. Po ecën në një rrugë të shëmtuar, në një qorrsokak të vërtetë
ligjor. Më këtë propozim në kemi edhe një qëllim shumë pozitiv për ta rifutur
procesin e reformës në drejtës në hullitë e ligjshmërisë, të asaj reforme që u
miratua në Kuvend me 140 vota. Aktualisht kemi një reformë që ka dalë nga
shinat. Miratimi i propozimit tonë është një e mirë e madhe për kredibilitetin
e reformës në drejtësi, i cili ka rënë së tepërmi. Shqiptarët nuk dallojnë dot
më drejtësinë e re, që duhet të lindte me atë që lamë pas. Do të ishte një
shans i madh për t’i rikthyer edhe dinjitetin ligjor dhe kushtetues, por edhe
integritetin moral kësaj reforme. Deri tani kemi qenë në dhunim dhe në thyerje
flagrante, në një poshtërim të Kushtetutës. Kemi një Prokuror të Përgjithshëm,
të zgjedhur me numrin më të vogël të votave në histori dhe pa veting. Ndërkohë
që po demonstrohet qartë që arsyet pse u zgjodh në këtë formë ishte pikërisht
dhe vetëm për t’u kthyer në një instrument politik dhe për të ushtruar edhe
kompetenca që nuk i ka. Pavarësisht përbetimeve që Kryeprokurori do të ishte i
përkohshëm tashmë e kemi kuptuar mirë që kjo ishte një strategjia dhe ky
institucion tashmë po përdoret për të goditur kundërshtarët politikë. Ne e kemi
deklaruar gatishmërinë tonë edhe për të punuar për të bërë ndryshimet e
nevojshme kushtetuese, pasi dolëm nga afatet e përcaktuara prej saj. Qëllimi
ynë i vetëm është një proces i rregullt, ligjor dhe kushtetues.

 

A mendonin se me
rrëzimin e kërkesës suaj marrin fund edhe përpjekjet për ta kthyer reformën në
drejtësi te konsensusi?

Nesër
është një debat shumë i rëndësishëm. Një provë tjetër para shqiptarëve mes
atyre që duan një reformë në drejtësi të vërtetë apo atyre që duan një reformë
të një partie. Të ngjashme me atë para vitit 1990 dhe për fat të keq edhe më të
keqe se sa drejtësia që kishim para reformës. Kjo është vija e ndarjes. Nëse u
dhëmb Shqipëria dhe duan të kenë një sistem drejtësie që funksionon, që i hap
rrugë edhe zhvillimit por edhe barazisë para sistemit, të reflektojnë nesër. Nëse
nuk reflektojnë, për fat të keq, është një dëm shumë i madh për vendin, por
edhe për ta vetë.

 

Nesër do të ketë edhe
një mocion debat për çështjen e familjeve në nevojë të përjashtuara nga ndihma
ekonomike. LSI ka propozuar edhe një paketë anti-varfëri, që sipas jush, nxjerr
nga varfëria 200 mijë familje. Mendoni se do të mjaftonte kjo paketë për situatën
ku ndodhemi?

Ka
dy probleme. Nesër do të diskutojmë për mënyrën se si është shkatërruar dhënia
e ndihmës ekonomike. Ka lënë mijëra familje të varfra jashtë skemës. Janë
kursyer paratë që pastaj këto para t’i hanë oligarkët që i kanë marrë deri
tani. Në mënyrë më të pacipë dhe amorale Kryeministri ka përdorur dy raste, të
cilat vërtet mund të kenë qenë abuzivë. Dhe me alibinë e këtyre dy rasteve ka dënuar
dhjetëra mijëra familje të tjera. Kjo është mizore në radhë të parë. Të jesh i
qetë kur të tjerët po i lë edhe pa atë që është mbijetesa biologjike. Ai nivel
ndihme ekonomike ka të bëjë vetëm me mbijetesë biologjike, thjesht dhe vetëm për
të mbajtur frymën gjallë. 40-50 mijë lekë të vjetra do të thotë vetëm bukë thatë.
Dhe t’u heqësh edhe bukën këtyre familjeve dhe pastaj të bësh show është një
mizori dhe mynxyrë shpirtërore. Krehja e listave të ndihmës ekonomike ka qenë
një detyrë e kahershme. Nuk ka pasur nevojë as për ligj dhe as për reformë por
thjesht një zbatim i ligjit. Janë përjashtuar familje të varfra vetëm sepse është
gjetur një televizor. I bie që edhe ato dekoderat që shpërndau qeveria të ishin
një arsye për heqjen e ndihmës ekonomike. Kemi të bëjmë mbi të gjitha me një
sjellje të egër dhe të pashpirt. Në këtë do ta demaskojmë deri në fund. Njëherazi
do të promovojmë si aksion politik, aksion i cili po udhëhiqet nga vetë Kryetarja
e LSI-së Monika Kryemadhi, për një zgjidhje të qëndrueshme, të vërtetë dhe që i
jep zgjidhje rreth 200 mijë familjeve të varfra. Nuk mund të ketë zgjidhje
thjesht me çështjen e ndihmës ekonomike, por duhet një drejtim më kompleks,
pasi varfëria po bëhet e dhimbshme dhe e skajshme. Është një varfëri eksplozive,
e cila krijon një problem shumë të madh shoqëror. Në një vend me 2.8 milionë
njerëz 200 mijë familje, që do të thotë 800 mijë banorë jetojnë në varfëri,
janë një shifër tronditëse.

 

Kryeministri e ka
shpjeguar që nuk do të jetë më një ndihmë ekonomike, por një formë për të
krijuar kurse falas profesionale, për t’i dhënë fund edhe papunësisë.

Kryeministri është një qeveritar i përciptë.
Për fat të keq shumë i paditur. Një njeri që as nuk lexon dhe as nuk
përqendrohet. Ka vetëm një përqendrim, kur vjen puna tek interesat, që e lidhin
me drogën dhe korrupsionin, është shumë i vëmendshëm dhe punon mirë. Pjesa
tjetër, ai as di dhe as kupton asgjë. Di vetëm një gjë që jepini një kamerë
përpara, të fillojë të gënjejë dynjanë, të bëjë atë portokallinë e radhës,
humorin e radhës dhe mbaron këtu. Unë njerëz të tillë karagjozë dhe jo seriozë
nuk dua t’i komentoj dhe nuk dua të humbas kohën time.

Mendoni
që do të jetë paketa anti-varfëri, që LSI ka propozuar është zgjidhja e këtij
problemi?

Unë them që është një
zgjidhje shumë e mirë, në qoftë se ajo zbatohet si duhet. Në qoftë se qeveria
hap mendjen për herë të parë për të parë zgjidhje më të mëdha dhe afatgjata,
sigurisht që do të jetë një zgjidhje e mirë.

 

Çfarë
parashikon konkretisht kjo paketë?

Kjo do të jetë një nga
momentet më të rëndësishme të fjalës së kryetares së partisë në seancën
parlamentare dhe unë do doja që shqiptarët të njiheshin në tërësinë e saj me
këtë paketë, qoftë nga ana e mënyrës si është realizuar, filozofinë që ka
brenda dhe instrumentet përkatëse.

 

Do
të flasim pak për një tjetër shqetësim që ju keni shprehur pak ditë më parë.
Bëhet fjalë për shqetësimin se administrata publike është kthyer në një çorbë
të prishur, ku ju keni thënë se vendin e diplomës e ka zënë tesera e partisë.
Ndërkohë që, Kryeministri thotë që tepsia në administratë po shkon për skrap,
ju shpreheni se administrata po kalon ditët më të errëta…

T’ju them një gjë.
Edhe në parlament, në të gjitha fjalët e mia i kam qëndruar shumë strikt një
mënyrë sjelljeje të caktuar: Meqë kemi të bëjmë me një mazhorancë dhe një Kryeministër
që nuk ka turp, të flas vetëm me fakte që nuk vijnë nga opozita. Më shumë se
1/3-ta e administratës publike të emëruar nga ky Kryeministër në thyerje të
shërbimit civil, nuk e kam thënë unë, por Komisioneri i Shërbimit Civil të
Republikës së Shqipërisë. Një raport shumë korrekt, shumë profesional dhe me
integritet të lartë moral, pasi i ka rrëfyer gjërat pikë për pikë. Tani, në
qoftë se ky merret me opozitën, Komisioneri i Shërbimit Civil nuk është i
opozitës, është institucion kushtetues, është një zonjë e nderuar dhe një
juriste e shkëlqyer, e cila me integritet ka përshkruar situatën. Ky nuk është
konstatim i opozitës. Ky është fakti. Ky është rregulli. Këto janë mijëra
njerëz të cilët ikin me lista nga puna. Ka një mijë fakte që njerëz të zotë, me
eksperienca shumë të gjata, largohen, dëbohen si qen dhe në vend të tyre vijnë
njerëz që nuk ia kanë idenë. Punon një i varfër atje me eksperiencë disavjeçare
dhe dhjetë apo pesëmbëdhjetë të tjerë tundin derën dhe hanë bukë në kurriz të
tyre. Kjo është situata në administratë. Ligji i Shërbimit Civil, nuk e them
unë, por një raport zyrtar, është shkelur me të dyja këmbët. Ka qenë një nga
kushtet për të marrë statusin e vendit kandidat, dhe sot është në ditën më të
zezë. Nuk ka qenë zbatuar ligji shërbimit civil, në mënyrë kaq të paturpshme sa
këtë herë.

 

Ju
jeni duke folur me një gjuhë të ashpër ndaj Kryeministrit. Ai u përgjigj në
fakt të hënën, ndërkohë që ju keni postuar në rrjetet sociale një dëshmi të
problemeve të tij shëndetësore. A mos është kjo një luftë personale me
Kryeministrin?

Jo, absolutisht nuk
kam asnjë luftë personale. Unë luftë personale kam gjithmonë me njerëz që kanë
vlera në planin personal. Njerëzit që kanë hiç vlera në planin personal, moral
aq më pak. Nuk janë njerëzit e konfliktit tim personal dhe nuk kanë për të qenë
të tillë. Për sa i takon postimit tim, unë kam cituar dhe kam përdorur një
analogji anti-tezore. Dostojevski i madh ka një roman kryevepër të letërsisë
botërore, ‘Idioti’, por flet për një idiot të dobishëm, me ide të mira, jashtë
kohës, utopik, por pozitiv. Fatkeqësisht ne e kemi një idiot, por e kemi të
padobishëm siç është ky. Dhe për sa i takon konstatimit është idiot, edhe
politik, por edhe medikal. Këtë medikal e kanë provuar edhe gazetarë të njohur
të medias shqiptare. Madje, Mero Baze ka publikuar vite më parë këtë kartelë.
Fakti është publik dhe ky është fakt. Biologjikisht është i tillë, politikisht
është po i tillë, kështu që edhe moralisht është i tillë. Roma e Lashtë ka
pasur një Neron, që pretendonte të ishte më i zoti se të gjithë poetët dhe
tragjedianët më të mëdhenj të Romës. Pretendonte se i binte harpës më mirë sesa
muzikantët e Romës. Pretendonte se ishte një nga arkitektët më të mëdhenj që
kishte parë Roma. Sepse idiotët çfarë nuk bëjnë, por kjo është diçka pa
rëndësi.

 

A
janë po këto akuza që e përlotën Kryeministrin ditën e hënë?

Është përlotur shumë
herë ai. Ai është përlotur në studion e ‘Klanit’, të gazetarit Blendi Fevziu,
vite më parë ka thënë po të njëjtën gjë, por atëherë ka pasur vetëm një problem
të vogël që atëherë nuk iu referua Berishës, por Mero Bazes, sepse Meroja
kishte bërë publike në gazetën ‘Tema’ dëshminë publike që ai kishte pasur. Një
njeri të tillë nuk e qetëson dot as tepsia dhe as kazani. Edhe sikur 2 milionë
e 800 mijë shqiptarët t’i thonë ‘mirëmëngjesi’ apo ‘shëndet’ kur teshtin, nuk
do jetë i qetë. Ka një hall të brendshëm që nuk e qetëson dot as pushteti. Janë
njerëz, të cilët në çdo moment të jetës do jetojnë në një hall të madh. Tani
janë shtuar edhe këto hallet e kriminalizimit ekstrem, sigurisht për psikika të
tronditura, këto krijojnë një moment eksploziv.
Ky është një problem i tiji personal, nuk është yni.

 

Flasim për marrëdhëniet e LSI me PD. Znj. Kryemadhi ka
thënë që nuk ka një ftohje të marrëdhënieve, por ndërkohë si ju, ashtu dhe znj.
Kryemadhi ka disa kohë që nuk shkon në PD për të biseduar me kryetarin z.
Lulzim Basha. A po funksionon Fronti Opozitar në dy axhenda, si është situata?

Funksionon në mendimin tim shumë mirë i koordinuar. Znj. Kryemadhi ka thënë
një detaj shumë interesant sot në një studio, që ne kemi pse të dalim
publikisht dhe të kërcejmë napolonin, por ka një koordinim. Unë kam një
komunikim të vazhdueshëm me kryetarin e Grupit parlamentar, z. Spaho, me mjaft
pjesëtarë të tjerë të opozitës për mjaft nisma, që ne koordinojmë në sallë.
Sigurisht dhe në sallën e Kuvendit ka një qëndrim taktik, ka nisma të caktuara,
të cilat i promovon më fortë PD, të tjera që i marrim ne. Një interpelancë me ministren
e Arsimit e kreu znj. Kejdi Mehmetaj. Një interpelancë tjetër e kreu znj. Albana
Vokshi. Një interpelancë me ministrin e Drejtësisë e kreu z. Alibeaj. Çështjen
e vetingut të policisë përgjithësisht e udhëhoqi LSI. Ka një prodhim të një
aksioni opozitar të vazhdueshëm, i cili nuk ka qëllim protagonizmin, por
baraspeshimin e energjive, kualitetet më të forta të demonstrimit politik.
Funksionon në mënyrë perfekte dhe nuk shoh as më të voglin problem. Pas 27
janarit e këtej, sigurisht funksionimi ka qenë dhe më i mirë, pasi protesta
ndihmoi shumë për një koordinim akoma më të mirë.

 

A pritet që të ketë dhe një kandidat të përbashkët në
zgjedhjet lokale?

Është shumë shpejt. Përpara se të shkojmë te zgjedhjet lokale, ne kemi
probleme të tmerrshme. Ju keni përcjellë në mënyrë të vazhdueshme kapjen e 180
milionë eurove kokainë. Shqipëria ndodhet përpara një katastrofe
politiko-sociale, të pasojave vërtetë shkatërrimtare. Ne jemi përpara një
situate të tillë, ku në rastin e fundit të drogës, ka ndodhur një gjë e
padëgjuar, është ndërprerë aksioni i policisë në mes. Sot ka disa pyetje shumë
të rënda, që do doja të ishin në vëmendjen tuaj të fortë. Si u ndërpre aksioni
i policisë? Përse nuk u ndoq aksioni i policisë deri ku do të shkonte pakoja e
fundit e drogës? Sot në Itali u bllokua një grup me 40 njerëz, pra një rrjet.
Në Shqipëri 180 milionë euro drogë dhe u kapën një shofer dhe një
administrator. Kur do bënte protestën opozita, u tha nga Ministria e Brendshme
që kishin marrë dhe konsulencën e ndërkombëtarëve se si do ta përballonte
policia protestën më 27 janar. Pra, ishin konsultuar me ndërkombëtarët. Në
momentin që morën vesh që kjo drogë erdhi në port, përse nuk i thirrën
ndërkombëtarët? Këta i thirrën për një miting opozite që nuk do ndodhte asgjë.
Ka një merak shumë të madh për të mohuar bashkëpunimin me ndërkombëtarët.
Ndërkohë që, një kolegu juaj bëri publik njoftimet zyrtare të bëra në sitet
zyrtare kolumbiane të Ministrisë së Mbrojtjes që konfirmonin bashkëpunimin me
Shqipërinë. Përse e fshehin bashkëpunimin? Çfarë ju rëndon? Cila është gjëja
negative? Pyetja tjetër është, kjo prokurori dhe kjo prokurore që u zgjodh me
69 vota, u zgjidhën të tilla që mos t’i japin përgjigje këtyre pyetjeve? Pasi
përgjigjen e këtyre pyetjeve e presin të gjithë shqiptarët. Maskarenjtë dhe
kriminelët mund të fitojnë në pak kohë shumë para, ndërsa me punë të ndershme
fitohet më pak para por njeriu fle i qetë. Dhe çfarë Shqipërie ndërtojmë, këtë
të kriminalizuar? Këto pyetje përballë këtij evenimenti të frikshëm siç ishte
ky i drogës, i sasive të tilla që tronditën Evropën, nuk kanë përgjigje.

 

Pas protestës së 27 janarit, opozita kishte paralajmëruar
që do të kishte një betejë të ashpër me qeverinë, për të luftuar atë që u quajt
qeveria antimafia, por nuk ka vazhduar më me protesta. Përse ndodhi kjo?

Beteja ka vazhduar. Protesta është një mjet shumë i rëndësishëm i opozitës
dhe absolutisht nuk është i vetmi. Një opozitë e cila bazon gjithçka dhe çdo
gjë vetëm të protesta është një opozitë që ka ide të pakta. Në qoftë se mund të
ishin 80 mijë apo 100 mijë në atë shesh atë ditë, ne bashkë po komunikojmë me
afër 1 milion njerëz që po bashkë ndajmë këtë ide dhe këtë denoncim publik.
Mund të ketë dhe plot qytetarë, që e bëjnë, por druhen nga hakmarrja e
tmerrshme e qeverisë kundër kujtdo që flet, po e bëjmë së bashku. Dhe kjo bëhet
në mënyrë të përditshme, bëhet në sallën e Parlamentit dhe kulmon në protesta
të mëdha, do kulmojë në protesta pa kthim. Kjo është gjithçka.

 

Përse nuk janë mbrojtur artistët në mbrojtjen e teatrit?

Dhe kjo nuk është plotësisht e saktë. Një nga njerëzit e parë që është
prononcuar në politikën shqiptare, unë kam qenë dhe kam akuzuar Kryeministrin
publikisht.

 

Ne flasim me protesta konkretisht…

Çështja e teatrit është një çështje e cila është plotësisht e drejtë. Kemi
mbajtur një lloj distance të caktuar për të mos akuzuar oponencën tonë për një
përdorim politik. Teatri është një çështje që shkon shumë përtej politikës.
Është një vlerë kombëtare që rrënohet në sytë tonë dhe është një vlerë që shqetëson
të gjithë qytetarët, nuk shqetëson vetëm opozitën. Protestuesit më të mëdhenj
të teatrit mund të ishit ju, që jeni njerëz të medias. Ne jemi njësh dhe nuk
lëvizim asnjë centimetër, që ajo çfarë thonë artistët është plotësisht e
drejtë. Kryeqyteti i vetëm në botë, që do ketë një teatër, pjesë të një
batërdie kullash, të ndërtuar me para që vijnë lloj-lloj erërash, por jo erë të
mirë, vetëm e vetëm sepse kjo qeveri, e cila shpenzoi para’ në tërë sokakët e
Shqipërisë, nuk i kurseu, por nuk i gjetka dot paratë që ta bënte vetë një
teatër. Kjo qeveri e cila çirret e bërtet se vdes shumë artin, se me demek e ka
pasur artist këtë kryeministrin e vet, ky do ishte i dalluari që do bënte në
radhë të parë teatrin.
Ky duhej të simbolizohej me një teatër që ishte e tij dhe një nga pikat që
njihte qytetin. Unë jam një qytetar i Tiranës dhe e kam ditur gjithnjë që ku
është Teatri Popullor, kështu i thoshin atëherë ndërsa tani Kombëtar, e dija ku
është cirku, kinematë e qytetit, kinema Republika. Ky na premtoi që do bënte
kinema Republikën, ku do bënte një pallat sipër e kinemanë poshtë. U bë 17 vjet
që s`është bërë asgjë. Menjëherë u rrënua dhe u prish që të bëhej e nuk u bë më
kurrë. Duke pasur këtë histori kaq të dhimbshme me artin, ne të gjithë jemi
bërë njësh me këtë çështje dhe duke humbur teatrin, kemi humbur historinë dhe
vlerat e qytetit. Pra, kemi hyrë nga një qytet me vlera të shtresëzuara, në një
qytet të ri që riciklon paratë me çdo lloj çmimi dhe është shndërruar në një
vend të re të kullave të ditëve të zeza e të dhunimit të çdo vlere kulturore
dhe historike të Shqipërisë.

 

A do të bashkoheshit me Partinë Demokratike në
një aksion për mbrojtjen e teatrit?

Me kënaqësi çdolloj aksioni
në radhë të parë të prirur nga shoqëria civile dhe artistët. Unë do të isha i
gatshëm me shumë mbështetësit tanë që të gdhiheshim te teatri, me ditë ose javë
të tëra nëse do duhej, duke pasur në ballë artistët. Kjo, për të treguar se aty
jemi si qytetarë dhe jo si politikanë, në kuptimin më të mirë të fjalës dhe do
jemi të gatshëm të shkojmë në çdo lloj proteste pasi këtu është në vijë
identiteti ynë. Këta që nuk kanë asnjë lloj identiteti të brendshëm, qoftë ky
moral dhe ky personal, mund të shkatërrojnë çdo gjë. Për ta është e rëndësishme
se çfarë të ardhurash u vijnë në xhep. Kjo është një qeveri e mbaruar që nuk
gjen para për të ndërtuar një teatër për 4 vjet apo për të ndërtuar qoftë edhe
një spital. Prandaj, Shqipëria është pa drejtim. Unë nuk do jem ndonjëherë
kryeministër i Shqipërisë, pasi nuk është ambicia ime, por nëse do isha për hir
të profesionit tim, nëse nuk do ndërtoja një spital do isha një hiç. Por ky
çerek artisti mos të identifikohej me një teatër? Pra, ky është një njeri i
mbaruar, ku i kanë vdekur të gjitha sqimat njerëzore të tij. Ky njeri shkel mbi
çdo gjë, prandaj teatri është prova e duhur për të treguar se asgjë nuk është e
lirë.

 

Si i konsideroni zërat e disa prej deputetëve
të PD-së kundër LSI-së?

S`kam dëgjuar të tillë,
të jem i sinqertë. Nuk kam parë njeri të prononcohet kundër, por sigurisht çdo
njeri ka qasjet e tij. Ka një vijë që përcakton qëndrimin e gjithsecilit.
Përballë kemi një çerek artisti që rrënon teatrin, ku do vazhdojë të bëjë të
njëjtën gjë edhe me Shqipërinë. Ky duhet ndalur. Për sa i përket thashetheme
kam dëgjuar edhe për ndarje i majtë apo i djathtë, besoj që koha e këtyre
dokrrave ideologjike ka mbaruar. Ne kemi parë edhe në qeverisjet e vendeve të
ndryshme, ku forcat mund të bashkohen për të bërë diçka të mirë për qytetarët.
Në kohën kur Sali Berisha ishte Kryeministër i Shqipërisë, ka përdorur
instrumente të suksesshme që kanë qenë praktikisht të majta. Në fund të fundit,
prodhoi më shumë stabilitet politik, infrastrukturë, spitale, qetësi publike e
më pak drogë. Ky është edhe fronti i madh ku vendosemi të gjithë, gjithsecili
me instrumentet politikë dhe kësaj politike i duhet dhënë një kontribut. Të
paktën të bëjmë të mundur që ky çerek artisti që po prish spitalet dhe teatrin,
të mos copëtojë Shqipërinë.

 

Një tjetër çështje po zien në fakt në
opinionin publik dhe ka të bëjë pikërisht me Partinë Demokratike dhe akuzave në
lidhje me kompaninë ruse. Si e shikoni ju këtë?

Kësaj çështje nuk i
kam kushtuar shumë rëndësi. Pse e them këtë? Ka pasur shumë teori konspirative,
të cilat janë kaq butafori për këtë Shqipërinë tonë të vogël. Problemi është
shumë i qartë, por duhet thënë që kjo gjë nuk mund të diskutohet në media e
portale. Gjithsesi çështja është shumë e thjeshtë, të paktën sipas pretendimeve
që ka Partia Socialiste bazuar në një media të vetme, por këto janë çështje që
duhen zgjidhur në Prokurori, që është e gatshme të hetojë çdo gjë. Në fund të
ditës të shikojmë se cilat janë faktet e më pas të diskutohet. Në këtë moment
kemi vetëm Partine Socialiste të bërë njësh me një media amerikane dhe në anën
tjetër është opinioni publik. Në mes është Prokuroria. Kjo e fundit le të marrë
faktet nëse ka, të caktojë se kush shkel ligjin e të përgjigjet për çdo gjë.
Nga ana tjetër ka edhe një mundësi, ku themi që Prokuroria e verifikoi për këtë
aferë, a do kërkojë gjë falje Partia Socialiste? Nuk ka për ta bërë.
Skizofrenia dhe histeria duke filluar që nga i pari, ka filluar të infektojë
edhe këta të tjerët. Po nëse nuk del ashtu si thotë PS-ja? A do kërkojnë ndjesë
publike së bashku me këtë median amerikane për komplotin, pra për `pushtimin
rus`?  Ne po pushtohemi nga rusët duke
pasur ambasadë ruse. Njerëzit nuk kanë kombësi, por ka njerëz që respektojnë ligjin
dhe ka nga ata që e shkelin.