SPAK, vendos sekuestro mbi TV “Ora News”, ndërkohë që për skandalin e Unazës së Re, falen 20 mln euro

280
Sigal

Qeveria, sulmon mediet kritike, ndërkohë, që skandali i Unazës së Re, me dëm 20 milionë euro u mbulua me 6 muaj burg

Bllokohet Tv “Ora News”, i sekuestrohet pasuria Ylli Ndroqit

Ende qeveria shqiptare ka për t’i paguar Bechettit 109 milionë euro, për shkak se i mbylli televizionin “Agon”, i cili ishte një televizion kritik ndaj qeverisë së “Rilindjes” së kryeministrit Rama. Mirëpo, qeveria nuk ndalet, teksa çdo kritike të televizioneve në Shqipëri, u kundërvihet me akuza të lidhura me krime, me arrestime, sekuestrime, e deri në mbyllje të televizioneve. Kështu, dje SPAK-u vendosi të sekuestrojë televizionin “Ora News”, kur ende SPAK-u nuk ka vazhduar të zbardhë krimin elektoral të dosjeve 194 dhe 339, ku, sipas videopërgjimeve, që dëgjuam publikisht edhe nga “BILD” i Gjermanisë, deputetë, ministra e kryebashkiakë bashkëpunojnë me botën e krimit, për të vjedhur dhe manipuluar votat.  Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit ka vendosur seksuestro të 26 pasurive të Ylli Ndroqit, bazuar në dyshimet e lindur pas hetimit pasuror nga SPAK-u, se ky i fundit rezulton të ketë qenë i përfshirë në veprimtari kriminale. Sipas SPAK-ut, Ndroqi rezulton të ketë qenë i arrestuar për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike, bashkë me 7 persona të tjerë, gjatë një operacioni të kryer në Stamboll në vitin 1998, kur Ndroqi paraqitej me emrin Xhemal Pasmaçiu. Gjithashtu Interpol ka përcjellë të dhëna në bazë të të cilave verifikohet arrestimi i tij në Itali në vitin 2005, si organizator i trafikut të drogës për llogari të një grupi kriminal. Nga hetimet ka rezultuar se Ndroqi ka disa pasuri të pajustifikuara, të cilat dyshohet t’i ketë përfituar nga aktivitetet kriminale në Shqipëri, Turqi dhe Itali.

Avokatët e Ylli Ndroqit: Sulm politik pas gjyqit me Veliajn, do e ankimojmë vendimin

Në lidhje me këtë lajm janë deklaruar avokatët e Ndroqit. Ata thanë se vendimi për sekuestrimin e pasurisë së Ndroqit është vendosur nga Gjykata e Shkallës së Parë të SPAK-ut, ndërsa do të apelojnë këtë vendim në shkallët më të larta të gjyqësorit. Për avokatët, sulmi ndaj Ylli Ndroqit është politik. Avokati Alban Qafa:  “Ka qenë duke udhëtuar me automjetin e tij “Mercedes”, kur forcat operacionale e ndaluan pas një urdhëri nga dy prokurorët që e kanë çuar çështjen në gjykatë, për të marrë makinën. Ka kërkuar ta shoqëroje vetë makinën. Erdhëm në Drejtorinë e Policisë ku na është komunikuar një urdhër-ekzekutimi për vendosje sekuestro, nuk është as i ndaluar, as i shoqëruar. Ka shoqëruar “Mercedesin” e tij dhe ka kërkuar sqarime. Brenda afatit do e ankimojmë vendimin në apelin e SPAK-ut. Makina e tij ndodhet në ambientet e Policisë së Tiranës.  Zoti Ylli Ndroqi do të provojë para gjykatës se pasuria e tij është e ligjshme dhe e vendosur nga bizneset e tij. Ky është një sulm politik ndaj Ylli Ndroqit, pasi ishte në gjyq me kryebashkiakun e Tiranës Erjon Veliaj”.

Berisha: Ylli Ndroqi është viktimë e guximit, pasuri të dyshimta janë Sarajet e Surrelit

Miq, lajmet mbi 25 pasuri me origjinë të dyshimtë të Ylli Ndroqit, u shoqëruan nga dyndje e hordhive të narkobanditëve me uniformë të armatosur deri në dhëmbë në ndërtesën e televizionit, presioni fizik, psikologjik, dhe policesk ndaj gazetarëve “Ora News” në mjediset dhe oborrin e këtij televizioni. Ky terror psikologjik dhe fizik ndaj gazetarëve provon qartë, se objekti i vërtetë i akuzave nuk është pronari i këtij televizioni, Ylli Ndroqi apo Xhemal Pasmaçiu, i gjykuar dhe dënuar për implikimin e tij në trafik droge, por janë gazetarët, lajmet, debatet, emisionet e guximshme investigative të tyre për aferat e korrupsionit të shfrenuar të ministrave, të Erion Velisë dhe vet Edvin Hajdutit. Dënoj me ashpërsinë më të madhe këto akte prej gangsterësh të narkopushtetarëve, që deri dje ndanin salltanete me pronarin e “Ora News”, kurse sot të tmerruar nga faktet, dokumentet, analizat dhe investigimet e gazetarëve të këtij televizioni, janë vërsulur kundër tyre, duke dëshmuar qartë se Ylli Ndroqi, nuk është akuzuar për shkak të pasurive të tij me origjinë të dyshimtë, sepse të tilla janë Sarajet e Surrelit, pallati në Paje, etj, etj, të Edvin Kristaq Xibrakës, por ai është viktimë e guximit, profesionalizmit dhe pavarësisë së gazetarëve të medieve të tij.”