Infermieri që zbuloi kushtet skandaloze të Urgjencës së Tiranës: Po më kërcënojnë

133

Infermieri që zbuloi kushtet skandaloze të Urgjencës së Tiranës, Frrok Bardhi rrëfen se po e kërcënojnë. Në një intervistë për “Shëndeti.com.al”, Bardhi tregon se ka pasur një hakmarrje të paimagjinueshme nga një drejtues, i quajtur Skënder Brataj.

PJESË NGA RRËFIMI:

Si i keni marrëdhëniet me drejtuesit?

Unë në kohen që u shkatërrua Urgjenca isha caktuar si pjesë e Spitalit të Traumës, kam pasur dhe kam marrëdhënie korrekte, serioze dhe ligjore, dhe i falënderoj për seriozitetin dhe korrektësinë që kanë treguar ndaj meje, pasi nga disa drejtues, sidomos nga drejtuesi i Urgjencës Kombëtare, një drejtor i cili quhet Skënder Brataj, kam pasur një përndjekje dhe hakmarrje të paimagjinueshme. Skënder Brataj është drejtues i Qendrës Kombëtare të Urgjencës, i emëruar nga Ministria e Shëndetësisë së kohës, i cili në dy raste më ka kërcënuar në vendin e punës dhe në sy të disa personave të tjerë. Pikërisht, më 19 qershor 2017 dhe 23 qershor 2017, kërcënimi ka qenë në sy të disa personave dhe në publik, si dhe provokues, shantazhues, gjë për të cilat kam njoftuar organet e shtetit në fuqi.

Çfarë e lidh atë me ju dhe me punën tuaj?

Ligjërisht asgjë nuk e lidh me mua dhe punën time, pasi unë jam pjesë e Spitalit të Traumës, por ky është personi, i cili ka dorë të drejtpërdrejtë në shpërbërjen e Urgjencës së Tiranës, denoncimet e mia mediatike këtij personi i kanë prishur interesa të mëdha, dhe si pasojë ky më është kundërvënë në mënyrat më hakmarrëse.

Çfarë mënyrash hakmarrëse konkretisht ka kryer dhe pse?

Ky person më ka kërcënuar më 19 qershor 2017 tek Urgjenca e Tiranës pas dhënies së një interviste për emisionin “Të Paekzpozuarit” në Tv ‘News24’ të Ylli Rakipit, më ka përzënë nga puna në ndërtesën e QKUM, më 23 Qershor 2017, dhe për këto kam fakte dhe prova të cilat i kam dërguar në organet e shtetit. Ndjej përndjekje çdo ditë, në punë, tek marketi i lagjes, tek pikat e internetit të lagjes, tek puna në urgjencë, më kanë përndjekur familjen, fëmijët tek shkolla, të cilat i di mirë i gjithë personeli i Urgjencës dhe QKUM. Ky person dhe vartësit e tij kanë tentuar disa herë të ndërhyjnë në jetën time private, montojnë histori false, vetëm e vetëm të më trembin dhe frikësojnë, arrijnë deri aty sa ndjekin dhe përndjekin familjen time. Zotëria ankohej tek ish-drejtori i Spitalit te Traumës, ankohej tek Presidenti i Urdhrit të Infermierëve të Shqipërisë që ata të më largonin nga puna, ndërhyn në Gjykatat Shqiptare, ndërhyn kudo ku mundet. Por, a mundet dot të trembin një njeri të drejtë, i cili nuk është ankuar për veten e tij, dhe për interesin e familjarëve të tij, por që është ankuar për sistemin e deformuar dhe për shëndetin e bashkëkombësve të tij?!