Ilir Meta: Qeveria dhe opozita të ulen bashkë për çështjet e mëdha. Vlerësimet për Janullatosin dhe Fan Nolin

685
“Qeveria dhe opozita të ulen bashkë për çështjet e mëdha”
Presidenti i Republikës, Ilir Meta, në një intervistë për TV Korça, flet për konsensusin politik për çështjet e rëndësishme, shtetësinë e Janullatosit dhe figurën e Fan Nolit
Keni qenë prezent në qytetin e Korçës për të kremtuar së bashku me komunitetin ortodoks një nga festat më të rëndësishme për të gjithë besimin ortodoks. A është ky një mesazh i bashkëjetesës fetare dhe i tolerancës fetare?
“Pa asnjë diskutim. Ne bashkëjetesën fetare e kemi domosdoshmëri si një vend që ka disa besime dhe si një vend që këtë bashkëjetesë e ruan nga brezat e mëparshëm që na e kanë lënë si trashëgimi këtë respekt për besimin e tjetrit, që garanton dhe besimin tënd. Këtë domosdoshmëri për të ruajtur identitetin tonë si popull dhe si komb. Për mua ishte një kënaqësi e veçantë që mora pjesë në këtë aktivitet! Ishte kënaqësi që pashë kaq shumë qytetarë të të gjitha gjeneratave! Kjo është një gjë shumë e mirë. Për mua është gjithmonë një kënaqësi e jashtëzakonshme që të takohem me Mitropolitin e Korçës pasi ai është një figurë, do të thosha, shumë e ndritur, dhe nga i cili gjithmonë mësoj gjëra të reja. Edhe mësova disa gjëra të reja që do të më vlejnë për të ardhmen. Është kënaqësi të takohem edhe me drejtues të tjerë të besimeve këtu në Korçë. Ashtu sikurse ishte kënaqësi që pashë që Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Edmond Brahimaj mori pjesë në të gjithë ceremoninë e “Ujit të Bekuar”, sepse nuk ka bekim më të madh për popullin tonë se sa kjo bashkëjetesë fetare”. 

Në mbyllje të vitit të kaluar ju kryet një akt i cili kishte munguar me vite me radhë. Të paktën kështu e ka cilësuar Kryeministri Edi Rama dhënien e shtetësisë shqiptare për Kryepeshkopin Anastas Janullatos. Në fakt politika e rangut të lartë e të dy vendeve e ka përshëndetur këtë veprim tuajin, por ka pasur edhe zëra kundër. A ka qenë kjo një lëvizje e duhur në momentin e duhur?
“Jam mjaft i bindur për aktin që kam bërë, i cili nuk ka qenë thjesht një akt procedural apo ligjor sepse në këtë drejtim Fortlumturia e Tij Janullatos i ka plotësuar kushtet ligjore prej shumë kohësh, por ka qenë dhe një akt publik, jo rastësisht në vigjilje të Krishtlindjeve për të shtuar edhe më shumë edhe gëzimin e të gjithë besimtarëve ortodoksë. Ishte një akt në radhë të parë si detyrim ndaj Kishës sonë Ortodokse Autoqefale, e cila është ringritur nga hiri i trashëguar nga sistemi komunist nga këto 25 vite, dhe së dyti një detyrim nda gjithë besimtarëve tanë ortodoksë dhe natyrisht dhe një vlerësim për gjithçka është bërë në lidershipin e kësaj figure të ndritur. Për sa i takon kundërshtimeve, paragjykimeve, ato janë mjaft absurde dhe ato nuk mund të na udhëheqin vendimet e mençura që duhet të ndërmarrim sepse jam i sigurt që në krye të kësaj kishe do të kishim pasur në vitin 1992 një italian apo një danez, do ta kishte marrë pasaportën shqiptare pa pritur 5 vjet, por që ditën e parë dhe të paragjykosh thjesht për shkak të origjinës një personalitet të këtyre përmasave, është tërësisht e papranueshme për një vend evropian. Jo vetëm për një vend evropian që ka një filozofi dhe një koncept tjetër për respektin ndaj besimeve dhe bashkëjetesën, por njëkohësisht për ne shqiptarët sepse ne jemi mirënjohës dhe duhet të tregojmë mirënjohjen tonë për atë transformim të jashtëzakonshëm që ka ndodhur me Kishën Ortodokse Autoqefale në Shqipëri në 25 vjet. Kështu që, jam shumë i kënaqur për këtë akt që kemi bërë, dhe e theksoj përsëri që pas 20-30 vitesh do të kem përsëri një debat me grekët për këtë çështje, por pozita jonë do të jetë gjithmonë dhe më e fortë që Fortlumturia e Tij është shqiptar dhe do ta bëjmë edhe më shqiptar se sa jemi dhe ne për arsye sepse është një personalitet botëror, nuk është një personalitet thjesht fetar apo i ortodoksisë, por është një figurë e ndritur, është një filozof, një erudit që respektohet në të gjithë botën. Falë kësaj besueshmërie të tij është arritur ajo mbështetje e jashtëzakonshme për rindërtimin gati të 200 kishave të shkatërruara, të rrënuara, gati 150 të tjerave nga e para. Kujtojmë këtu Katedralen në qendër të Tiranës. Nuk ka në qendër të Tiranës vepër më të madhe në shërbim të qytetit, të jetës kulturore. Është bërë Pallati i Kulturës në kohën e marrëdhënieve më Bashkimin Sovjetik. Është bërë Pallati i Kongreseve në vitet ’80. Është Katedralja e Kishës Ortodokse Autoqefale, e cila është dhe një qendër kulturore që ofron aktivitete nga më të jashtëzakonshmet, më të larmishmet për të gjithë komunitetin, për të gjithë jetën kulturore, artistike, publike në vend dhe nuk është vetëm në shërbim të besimtarëve ortodoksë”. 

Me ardhjen tuaj në postin e Presidentit të Republikës së Shqipërisë ka qenë një kërkesë e përsëritur nga ana e Kryepeshkopit Janullatos për shtetësinë shqiptare apo keni qenë ju ai që e keni nxjerrë nga sirtarët këtë kërkesë?
“E vërteta është që ka qenë një kërkesë, por një kërkesë formale, sepse kërkesa ka qenë e depozituar prej kohësh. Ajo që unë dua të saktësoj është që, nuk ka pasur një refuzim nga paraardhësit e mi të kësaj kërkesë, sepse ka dhe raste kur kërkesa refuzohet…”.

Nuk ka pasur dhe një përgjigje. 
“…por nuk ka pasur një dekretim. Pata kënaqësinë dhe përgjegjësinë që të firmosja një dekret, i cili është pritur jashtëzakonisht shumë mirë, jo vetëm nga besimtarët ortodoksë, por nga të gjithë qytetarët, nga të gjithë ata që besojnë në Zot, sepse Zoti është një, pavarësisht besimeve të ndryshme dhe ata që luten për paqe, bashkëjetesë dhe harmoni”.

Viti 2018 është përcaktuar si vit vendimtar për hapjen e negociatave me BE-në. Duket sikur marrëdhëniet midis forcave politike nuk janë aq të favorshme, çka është dhe një nga kushtet bazë të BE-së. Sa dhe si do të ndikoni ju si President i Republikës së Shqipërisë për përmirësimin e këtyre marrëdhënieve dhe realizimin e kësaj aspirate gati 30-vjeçare të shqiptarëve?
“E gjithë jeta ime është e lidhur me integrimin evropian të Shqipërisë, që nga Lëvizja Studentore në dhjetor ‘90 ku bashkë me të gjithë bashkëmoshatarët e mi dolëm në këtë lëvizje me sloganin ‘E duam Shqipërinë si gjithë Evropa’. Më pas në të gjithë aktivitetet, si Forumi i Rinisë Eurosocialiste që u krijua në ’92-shin. Më pas edhe një forcë e re politike Lëvizja Socialiste për Integrim dhe gjithçka i është dedikuar shërbimit të këtij projekti që natyrisht ka qenë për t’u realizuar shumë më i vështirë se çka unë kam menduar në fillimet e këtij angazhimi politik. Se kam menduar kurrë se Shqipëria në vitin 2017 do të jetë në këtë stad me BE-në. Nëse në fillim të viteve ’90 dikush na thoshte që, do të bëheshim anëtarë të BE-së në 2005-n na dukej si një deklaratë mjaft keqdashëse dhe dekurajuese, por proceset nuk kanë qenë të lehta sepse nuk kanë qenë të lehta dhe për vende të tjera. Për fat të keq ne i kemi bërë pak më të vështira dhe për shkak të konfliktit të brendshëm edhe atyre interesave të ngushta që kanë dëmtuar një konsensus për disa çështje madhore që mund t’i kishin dhënë një fizionomi tjetër vendit tonë, institucioneve tona, besueshmërisë sonë. Megjithatë duhet të bërë gjithçka për të mos humbur këtë mundësi. Pra, mundësinë që në qershor të kemi një vendim për çeljen e negociatave për anëtarësim midis Shqipërisë dhe BE-së sepse do të ishte një humbje e madhe në kohë, në shpresë, në inkurajimin e të rinjve, të intelektualëve për të qëndruar këtu, për të krijuar këtu dhe për të ndihmuar Shqipërinë të bëhet evropiane dhe të shkojnë ta kërkojnë Evropën në Evropë apo në vende të tjera”.

A mendoni se duhet një konsensus mes partive politike?
“Duhet të ketë patjetër. Kjo është përgjegjësi e dyanshme, është përgjegjësi e qeverisë sepse përgjegjësinë më të madhe e ka qeveria gjithmonë. Pa dyshim është dhe një përgjegjësi e opozitës, sepse ajo është opozita e Shqipërisë dhe ajo duhet të jetë në shërbim të vendit dhe nuk është thjesht në funksion të një kundërvënie ndaj qeverisë për çdo rast. Ka raste kur debatet janë të domosdoshme dhe kur debatet nuk krijojnë pasoja për vendin. Debatet për buxhetin nuk kanë asnjë problem sepse qeveria ka shumicën për ta kaluar buxhetin, por dhe rrisin transparencën dhe bëjnë më të qarta dallimet për politika ekonomike apo sociale, të ndryshme të qytetarëve. Kur bëhet fjalë për çështje më të mëdha siç është reforma në drejtësi, e cila ka të bëjë me institucione tepër të rëndësishme kushtetuese dhe reformë që duhet të japë patjetër rezultate pozitive, kjo është detyrim i të dy palëve që të ulen dhe të zbatojnë me korrektësi ato ndryshime kushtetuese që janë miratuar me konsensus larg nxitjes së konfliktualitetit. Për t’u konfliktuar është gjëja më e thjeshtë, por detyra për çështje të tilla është për t’u marrë vesh, jo për t’u konfliktuar pa fund”.

Kjo është dhe ajo çka presin edhe shqiptarët, jo vetëm nga qeveria, por dhe nga opozita, pra të ecin përpara.
“Pa asnjë diskutim, mesazhet e mia kanë qenë gjithmonë për bashkëpunim. Unë jam gjithmonë në dispozicion të nxitjes të frymës së bashkëpunimit dhe të luajalitetit për çështje më të mëdha që janë në interes të vendit. Për çështje të tjera të ditës, vendi ka dy palë; ka dhe qeveri, ka dhe opozitë dhe sigurisht që është shumë mirë që kemi opozitë se sa mos kemi. Kemi provuar pa opozitë 50 vite”. 

Gjatë vizitave tuaja kemi vënë re që jeni të shoqëruar nga prefektët dhe kryetarët e qarqeve. A është ky një sinjal bashkëpunimi politik me Kryeministrin apo është dhe një mesazh bashkëpunimi ndërinstitucional? 
“Unë jam i hapur në bashkëpunim me të gjithë dhe nuk e kuptoj pse një pyetje e tillë. Në çdo aktivitet që unë zhvilloj si President kudo në Tiranë, nëpër qarqe përfaqësuesit e qeverisë, të pushtetit vendor, deputetë të forcave të ndryshme politike, përfaqësues të besimeve fetare, të gjithë janë të mirëpritur, varet dhe nga natyra dhe lloji i aktivitetit. Për mua ka qenë kënaqësi për të qenë me Prefektin e Korçës këto ditë, me Kryetaren e Qarkut dhe me gjithë përfaqësuesit e tjerë. Ashtu sikurse ka qenë kënaqësi shumë e veçantë për t’u takuar me grupin “Lira” që është…”.

Simbol identitar…
“Jo vetëm simbol identitar, është një energji tepër pozitive. Me shumë grupime të tjera kulturore. Besoj se do kem dhe takime të tjera”.

Më 6 janar ishte dhe ditëlindja e një personaliteti shumë të madh, jo vetëm për qarkun e Korçës, por edhe për të gjithë Shqipërinë, Fan Noli. A ka një mesazh nga ju për këtë ditë?
“Pa dyshim Fan Noli është një figurë emblematike dhe frymëzuese e vendit tonë në ditë të vështira dhe në shumë drejtime. E kemi kujtuar 6 janarin si ditën e lindjes së tij edhe me Mitropolitin e Korçës, i cili ka studiuar në Boston me përkrahjen e Fondacionit “Fan Noli” atje. Ka një lidhje shumë të veçantë, i cili më shpjegoi edhe ditën e lindjes së tij me emrin e tij të Shën Theofanit. Prandaj thashë që, sa herë takohem me Hirësinë e Tij mësoj gjëra të reja. Fan Noli është një frymëzim për lartësimin e kombit dhe për të vendosur interesat kombëtare mbi çdo interes tjetër dhe, pa dyshim, mesazhi i tij për forcimin, fuqizimin e Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë gjithmonë ka qenë në shërbim të kësaj çështjeje”.
Sigal