Ilir Meta priti Ambasadorin e Finlandës, Pauli Antero Mäkelä

418
Sigal

Kryetari i Kuvendit  Ilir Meta priti sot Ambasadorin e Finlandës në Shqipëri (Rezident në Athinë),  Pauli Antero Mäkelä me të cilin diskutuan mbi forcimin e marrëdhënieve dhe bashkëpunimit dypalësh. Kryetari i Kuvendit shprehu vullnetin e palës shqiptare për të intensifikuar bashkëpunimin dypalësh me Finlandën, veçanërisht në drejtim të shkëmbimeve tregtare dhe ekonomike. Meta shprehu mirënjohjen për mbështetjen e Finlandës ndaj integrimit evropian të Shqipërisë dhe vuri në dukje se fokusi aktual mbetet mbi procesin përmbyllës të reformës në sistemin e drejtësisë si një pikë kyçe për luftën ndaj korrupsionit, krimit të organizuar dhe për rritjen e besueshmërisë për investimet e huaja.

Ambasadori i Finlandës,  Pauli Antero Mäkelä theksoi se Finlanda e mbështet rrugëtimin evropian të Shqipërisë dhe se do punohet më tepër për të promovuar Shqipërinë si destinacion turistik dhe investues, duke evidentuar pozitën kyçe që Shqipëria gëzon në rajon.  Në këtë kuadër, Ambasadori z. Mäkelä rikonfirmoi ftesën për një vizitë të Kryetarit Meta në Finlandë, ftesë e cila u mirëprit me kënaqësi. Në përfundim Kryetari Meta dhe Ambasadori Mäkelä shkëmbyen mendime rreth lëvizjeve të fundit migratore në rajon dhe në Evropë, duke ndarë bindjen se kriza e refugjatëve është një fenomen, që duhet trajtuar si një sfidë e përbashkët evropiane duke përforcuar mekanizmat evropiane të koordinimit dhe menaxhimit të flukseve migratore.