Ilir Meta: Nuk do jem avokat i opozitës dhe as i pozitës!

529
Sigal

 INTERVISTA/Ilir Meta Kryetari i ri i Kuvendit, premton se do të zbatojë Rregulloren e Parlamentit

Kryetari i ri i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta, në intervistën e tij të parë zgjedhja në detyrën e re,  ka folur mbi zgjedhjen e tij në krye të Kuvendit dhe për mënyrën e drejtimit të këtij institucioni.

Z. Meta, çfarë do të ndryshojë në drejtimin e Kuvendit të Shqipërisë?

Së pari, unë dua të jap vlerësimin tim më të mirë për të  gjithë paraardhësit e mi në detyrën e Kryetarit të Kuvendit. Dihet që vendi ynë në këto 23 vite të tranzicionit dhe të demokracisë është përpjekur të krijojë një traditë sa më demokratike parlamentare, e cila nuk ka qenë e lehtë, dhe natyrisht që bazuar në përpjekjet e tyre më të mira, unë do të shtoj kontributet e mia, në mënyrë që Kuvendi i Shqipërisë vërtet të kuvendojë me urtësi, me përgjegjshmëri për të ardhmen e vendit tonë dhe të qytetarëve tanë, sepse e ardhmja është e përbashkët, pavarësisht nga dallimet, nga diferencat apo edhe nga interesat e ndryshme të forcave politike që përfaqësohen në këtë Kuvend. Unë nuk do të përpiqem në detyrën kryetarit të Kuvendit as të jem avokati i opozitës dhe as avokati i maxhorancës, por të jem një avokat sa më i drejtë i rregullores, e cila për fat të mirë është miratuar me konsensus vetëm pak muaj më parë nga të gjitha forcat politike dhe do të përpiqem që me një frymë sa më konstruktive të bashkëpunoj ngushtë, pa paragjykime, me të gjithë përfaqësuesit e grupeve parlamentare, në mënyrë që ne të arrijmë përmes përfaqësimit tonë në Parlament të reflektojmë vërtet atë dinjitet dhe shpirt evropian që qytetarët tanë treguan më 23 Qershor, duke marrë pjesë në një proces zgjedhor të standardeve vërtet europiane.

A mendoni se kjo rregullore që ju përmendët ka nevojë për ndryshime apo është mirë ashtu sikurse është aktualisht?

Nuk mund ta them sot me siguri, sepse ndoshta eksperienca nën drejtimin e Kuvendit do të  më ndihmojë edhe mua për të vënë re nëse ka nevojë për përmirësime, apo jo. Por detyra e parë është kjo rregullore, që është miratuar të respektohet në mënyrën më të drejtë, më rigoroze dhe më konstruktive. Natyrisht, që nëse koha do të kërkojë përmirësime sigurisht që këto duhen bërë, natyrisht gjithmonë me konsensus dhe në bashkëpunim me të gjitha forcat parlamentare.

Që në votimin e parë arritët “të thyenit” opozitën, morët 91 vota. Si i shikoni këto vota që ju kanë ardhur nga opozita?

Për mua nuk ka qenë shumë e rëndësishme se sa vota do të merrja si Kryetar i Kuvendit. Kam pasur besim të plotë në zgjedhjen time në këtë post për shkak sepse maxhoranca, e cila më ka propozuar mua, ka qenë dhe mbetet e angazhuar për të funksionuar në mënyrë solide dhe afatgjatë. Sigurisht fakti që u arrit të merreshin më shumë vota se sa është numri aktual i maxhorancës, të “Aleancës për Shqipërinë Europiane”, në Kuvendin e Shqipërisë, vetëm se më detyron akoma më shumë për një frymë sa më konstruktive dhe gjithëpërfshirëse në drejtimin e Kuvendit.

Si shikoni këtë opozitë agresive?

Unë shpresoj që situata do të vijë drejt normalizimit. Mendoj se kemi të bëjmë me një qeveri të re, kemi të bëjmë  edhe me një opozitë të re dhe do të duhet pak kohë për t’i akomoduar gjërat siç duhet. Unë dua të besoj seriozisht se opozita është e interesuar për të kontribuar në integrimin evropian të vendit dhe kjo duhet të na bashkojë të gjithëve në Kuvend dhe jashtë tij. Njëkohësisht dua të besoj se opozita e re do të qëndrojë larg frymës së bojkotit përmes pjesëmarrjes së saj. Natyrisht që, parlamentarizmi kërkon edhe durim, kërkon edhe vetëpërmbajtje. Sigurisht që, ne nuk mund t’i shkrijmë partitë apo qeverinë me opozitën sepse i shohin edhe çështjet nga dy këndvështrime të ndryshme. Duhet të kemi durim për të dëgjuar konsideratat politike të secilit edhe kur nuk na pëlqejnë. Në këtë mënyrë do ta çojmë përpara parlamentarizmin dhe do të uroja që të gjithë të përqendrohen në atë që duhet bërë dhe në atë që duhet bërë më mirë, në mënyrë që ne vërtetë të arrijmë një parlamentarizëm të standardeve më të zhvilluara evropiane siç e meritojnë qytetarët dhe votuesit tanë.