Basha: “Figura e Azem Hajdarit apelon dhe sot për bashkim dhe unitet”

448
Sigal

Nga dje, Azem Hajdari do të prehet në Varrezat e Dëshmorëve

Me nderimet më të larta shtetërore, të organizuara nga Bashkia e Tiranës, është përkujtuar në 15- vjetorin e vrasjes, Heroi i Demokracisë, Azem Hajdari, i cili nga sot do të prehet në “Varrezat e Dëshmorëve”. Personalitetet më të larta shtetërore, Presidenti i Republikës Bujar Nishani, Kryetari i Parlamentit Ilir Meta, kryeministri në detyrë, Sali Berisha, Kryebashkiaku Lulzim Basha, përfaqësues të partive politike, studentët e dhjetorit ‘90, intelektualët, nismëtarë të lëvizjes për demokraci, miq, shokë, kolegë të Azemit dhe  qindra qytetarë  të Tiranës janë përulur sot me nderim dhe respekt, përpara veprës dhe kontributit të Heroit të Demokracisë Azem Hajdari.  Për më shumë se, dy orë, në Pallatin e Kongreseve u zhvilluan homazhe, në nder të Azem Hajdarit, studentit që guxoi të ngrihej  kundër regjimit komunist dhe të vihej në krye të lëvizjes studentore, që i dha goditjen fatale regjimit më të egër diktatorial në Europë. Rreth mesditës, kortezhi i përmortshëm me arkivolin e vendosur në shtratin e topit, i shoqëruar nga dhjetëra qytetarë të Tiranës u nis për në Varrezat e Dëshmorëve, ku do të prehet përjetësisht. Kryebashkiaku Lulzim Basha ka vlerësuar lart rolin dhe kontributin e Azem Hajdarit, në Lëvizjen Demokratike të dhjetorit 1990, e cila shënoi ndarjen e Shqipërisë nga diktatura  komuniste dhe  fillimin e erës së re të demokracisë perëndimore.  Për kreun e Bashkisë, Lulzim Basha, figura e Azem Hajdarit apelon dhe sot për bashkim dhe unitet, rreth vlerave të demokracisë dhe çështjes kombëtare.  “Sot, në pesëmbëdhjetë vjetorin e ndarjes  fizike  të Azem Hajdarit prej nesh, po ritakohemi  në këtë homazh të ri, me kujtimin dhe veprën e tij. Besoj se nuk ka as edhe një njeri të vetëm të lire në këtë vend që nuk i detyrohet, në mos për tjetër, për hapin e parë që ai hodhi në planetin e demokracisë, në dhjetor 1990, kur ai i pari dhe  studentët e tjerë me të,  kërkuan dhe diktuan pluralizmin politik. Nga largësia e viteve, ne sot mund ta themi me gojën plot, se prej atij çasti, koha e re e Shqipërisë demokratike u nis dhe filloi të rrjedhë në drejtimin që treguan studentët, intelektualët e thirrur prej tyre, Azem Hajdari si prijës i tyre,- tha, midis të tjerave Basha.