Ikën kreu i Zyrës Antikorrupsion të Brukselit

Vila e Vlahutin, largohet kreu i Zyrës Antikorrupsion të Brukselit

Xhovani Kesler, njeriu që bllokoi hetimin për ambasadoren e BE-së në Tiranë, detyrohet të lërë detyrën. Çfarë ndodhi me blerjen 1,6 milionë euro 

Xhovani Kesler, drejtor i përgjithshëm i Zyrës Kundër Mashtrimit të Komisionit Evropian (OLAF), është larguar nga detyra. I njohur në Shqipëri për rastin “Vlahutin”, ku strukturat e Bashkimit Evropian nuk u investuan në zbardhjen e një transaksioni të dyshimtë të ambasadores në Tiranë për blerjen e një vile, tashmë Kesler do të kthehet në vendin e tij të origjinës. Sipas burimeve, largimi i Kesler nga drejtimi i OLF ka ndodhur disa ditë më parë, ndërsa frenat e njësisë që heton zyrtarët e Bashkimit Evropian janë marrë nga një britanik. Zyrtarisht lëvizja në krye të njësisë antikorrupsion të Brukselit është justifikuar me kërkesën e Italisë për ta tërhequr zyrtarin e saj, ndërsa Nicholas Ilett prej fundit të tetorit është drejtues i OLAF. Komisioni Evropian ka njoftuar se në fillim të vitit 2018 do të realizohet edhe zgjedhja e drejtorit të ri të përgjithshëm. Ndonëse nuk është pranuar zyrtarisht si një arsye për ndryshimin e kreut të OLAF, rasti i Shqipërisë dhe blerjes së vilës nga ambasadorja Vlahutin vlerësohet të ketë pasur jo pak ndikim. Me shpërthimin e skandalit dy vjet më parë, disa nga zyrtarët dhe strukturat e Komisionit Evropian u angazhuan në mbrojtje të ambasadores Romana Vlahutin, ndërsa zyra antikorrupsion duket se nuk ndërmori masa konkrete. Dokumentet e publikuara në media zbuluan se rezidenca e re e ambasadores Vlahutin në periferi të Tiranës është blerë me fonde të BE-së për 1 milion e 649 mijë euro, duke u renditur ndoshta në top listën e vilave më të shtrenjta. Bëhet fjalë për një vilë rreth 345 metra katrorë në një truall rreth 1600 metra katrorë.

Gjithashtu, në fillim të shkurtit 2016, Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla, ka zhvilluar takime në Zyrën Evropiane Kundër Mashtrimit (OLAF), në kohën kur në mediat e Brukselit nisën të flisnin për blerjen e vilës rreth 1.6 milionë euro nga Ambasada e BE-së në Shqipëri. Sipas njoftimit për mediat, kreu i organit të akuzës ka diskutuar me drejtorin e Përgjithshëm të Zyrës Evropiane e Antimashtrimit (OLAF), Xhovani Kesler, të Komisionit Evropian, lidhur me forcimin e bashkëpunimit në luftën kundër korrupsionit. Prokurori i Përgjithshëm i Shqipërisë, Adriatik Llalla, informoi kreun e OLAF, Xhovani Kesler, lidhur me përpjekjet e autoriteteve shqiptare në luftën kundër korrupsionit, si edhe me masat e reja legjislative për forcimin e sistemit të drejtësisë në vendin tonë. Megjithatë, edhe pas këtij takimi, ku u diskutua edhe për abuzimet me fondet e Bashkimit Evropian, asgjë nuk ndryshoi për çështjen “Vlahutin”. Burime diplomatike konfirmuan se ndryshimi i kreut të OLAF mund të jetë edhe një mundësi tjetër për ta rishqyrtuar blerjen e vilës luksoze në kryeqytetin shqiptar. 

Romana Vlahutin, ambasadore e BE-së në Tiranë, mbetet e kritikuar nga një pjesë e medias dhe politikës për qëndrimet e saj. Së fundmi, prania e saj u refuzua gjatë një takimi mes kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha dhe komisionerit për Zgjerimin Johanes Han. Gjithashtu, në Kroaci, vendin e saj të origjinës, diplomatja ka qenë pjesë e një hetimi për pasurinë.