Hazizaj: Ish-zv/kryeministrja nuk përjashtohet nga përgjegjësia

467
Juristi Sokol Hazizaj u shpreh për “Telegraf” se edhe vetë zv/kryeministrja Mandia, e cila ka bërë kallëzimin në prokurori, mund të jetë përgjegjëse për kohën e qëndrimit në detyrë. “Për të qenë të saktë fillimisht duhet të identifikojmë faktin, nëse ajo që ka depozituar ish-zv/kryeministrja teknike ka vlerën e kallëzimit penal apo është thjeshtë një material i vënë në dispozicion të prokurorisë, ku e informon për problematikën në fjalë. Fakti penal vjen për shkak të parashikimeve të Kodit Zgjedhor. Unë në të vërtetë nuk besoj shumë në deklaratat e këtij lloji të bëra në media. Çështja është se kallëzimi ka një objekt”, u shpreh Hazizaj. Sipas tij, në këtë rast duhet të dimë se kush është vepra penale që mund të jetë konsumuar. “Unë do të thosha se në këtë pikë, a është përgjegjëse edhe ajo zv/kryeministre për aq kohë sa qëndroi në detyrë? Për mua e gjithë kjo që ka bërë ish-zv/kryeministrja ka më shumë karakter politik sesa ligjor. Duhet vërtetuar nëse zv/kryeministrja është shmangur nga politika e qeverisjes. Ligji 9000 mbi bazën e të cilit funksionon Këshilli i Ministrave nuk e përjashton këtë zv/kryeministre nga përgjegjësia”, u shpreh Sokol Hazizaj.
Sigal