Hartuesit dhe legjislativi janë përgjegjës të dështimit të Reformës në Drejtësi 

Jakup B. GJOÇA

Gazetar i “Telegraf” 

Sokol Hazizaj, konstitucionalistnë intervistën për gazetën “Telegraf”, pasi e vlerëson të dështuar reformën në drejtësi, thotë se hartuesit e kësaj reforme dhe legjislativi, që përcaktoi përmbajtjen dhe ecurinë e kësaj reforme janë përgjegjësit. Konstitucionalisti Hazizaj analizon se reformës në drejtësi i mungon gjithëpërfshirja, sikurse edhe projektligji “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve” jepet përshtypja se do emërohen gjyqtarë dhe prokurorë të një pale. Sipas zotit Hazizaj, tani edhe ndërkombëtarët e kuptuan se arritjet nëpërmjet populizmit ishte rruga e gabuar. Konstitucionalisti Hazizaj vlerëson se amendamentet e opozitës për vetingun në politikë: “Sqaroj se në vështrimin teknik dhe formal të ndërhyrjeve kushtetuese, që kërkon opozita për vetingun në politikë, duket që janë të nxituara”.

– Zoti Hazizaj, cila është gjendja e gjykatave sot? 

– Momentalisht më e keqe se më parë, lidhur me ndikimin e procesit të vetingut në disa drejtime, të cilat lidhen dhe ndërthuren, duke filluar nga paragjykimi prej gjykatave dhe gjyqtarëve i çështjeve gjyqësore, ku palë është shteti, të cilat janë të paravendosura për shkak të frikës së gjyqtarëve nga vetingu i drejtuar nga ekzekutivi, gjyqtarët duket se sillen më keq se përpara për shkak të pasigurisë së tyre për të ardhmen dhe humbjes se pozicionit të tyre, kur pritet përballja me procesin e vetingut, humbja e theksuar e aksesit në gjyqësor, zgjatja e procedurave gjyqësore, veçanërisht atyre të karakterit penal, për shkak të deformimit jo të duhur të procedurës penale etj., etj. Në pamje të parë, ose ajo çka bie në sy në mënyrë shumë sipërfaqësore duket haptazi që drejtësia penale ka shkuar drejt fundit, shkak i cili ka sjellë, pse jo dhe rritjen e kriminalitetit në vend. Ndonëse dëshira dhe aspirata e qytetarëve ka qenë dhe është zhvillimi i një procesi të shpejtë i gjykimit dhe një vendimmarrje standarde, bazuar në të drejtën ligjore, e kundërta po ndodh. Në këtë kuptim, parashoh një situatë të rënduar në drejtësi në të ardhmen e afërt, në se nuk tërhiqet ekzekutivi në mënyrë të menjëhershme nga konsiderimi i drejtësisë si e zeza e vendit tonë. Sa për interesin qytetar, bëj me dije se në se gjithë reforma si impenjim themelor ka pasur kufizimin në kohë e procedurave gjyqësore të çështjeve, për shkakun se korrupsioni vinte si pasojë e tejkalimit të një procesi të rregullt ligjor, në grackën e tejkalimit të afateve ka hyrë dhe garantuesi i procesit të vetingut, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, vendimet e të cilit arsyetohen dhe njoftohen, duke kaluar afatet procedurale të parashikuara në Ligjin 84/2016 “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe Prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

– Ju mund ta quani Reformën në Drejtësi të dështuar, derisa kanë kaluar 2 vjet dhe ende nuk janë ndërtuar institucionet e reja të drejtësisë dhe nuk kemi më as Gjykatë Kushtetuese? 

– Mungesa e aksesit në gjykatë, që do të thotë mungesa e funksionimit të Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë, përveç se përbëjnë rastin më të rëndë në historinë e shtet-formimit apo shkak për të cilin nuk mund të qëndroj indiferent, duke kërkuar reflektimin e domosdoshëm të institucioneve ndërkombëtare, vijimi i një situate të tillë më bind se asgjë në vështrimin politik në vendin tonë nuk ndodh rastësisht. Uroj që pasoja të mos jetë e rastësishme, pse jo pozitive, por e kundërta ma mbulon shpresën, dhe kur flitet për integrimin. Pyetja që i bëj vetes lidhet me mundësinë e një vendi që në mënyrë të përsëritur ka pasur si feeling vetëm integrimin në Europë, kur papritur është pa institucione, siç ky i yni?! Nga ana tjetër, duke mos e pranuar konceptin e dështimit, dua të nënvizoj se reforma nuk ka arritur pritshmëritë, jo vetëm të publikut, por edhe të aktorëve që dizenjuan reformën dhe u përfshinë në realizimin e saj. Problemet janë të mëdha dhe ndoshta të pakalueshme, të cilat fillojnë me vonesat në proces, institucionet e reja, të cilat akoma nuk janë ndërtuar, ashtu edhe me përmbajtjen e vet procesit, që lidhet me sigurimin e pavarësisë së gjyqësorit dhe funksionimit të tij.

– Kush fajësohet? Hartuesit e Reformës? Apo politika deformon Reformën në procesin e zbatimit?

– Si hartuesit e reformës, ashtu edhe politika, që nëpërmjet legjislativit që përcaktuan ecurinë dhe përmbajtjen e procesit të reformës janë përgjegjës për vonesat në procesin e reformues dhe deformimet në përmbajtjen e saj. Pavarësisht se ka një konsensus të gjerë lidhur me nevojën e reformës në drejtësi, ekziston një mosbesim në palë të rëndësishme të interesuara tek dizenjuesit e procesit dhe qëllimet e tyre. Më tej, këto dy vite treguan edhe mangësi teknike të dizenjimit dhe ngadalësi për t’i korrektuar ato. Një problem i dukshëm lidhet me mungesën e një procesi gjithëpërfshirës, pra është një proces i cili nuk është karakterizuar nga pjesëmarrja e të gjithë aktorëve dhe faktorëve të interesuar siç ishin pritshmëritë, duke ngelur kështu në objektiv vetëm të një pale, asaj qeverisëse, siç dhe po duket haptazi në ditët e sotme. Është tipike dhe fort e hapur sjellja jo-përfshirëse e qeverisë, si dhe mungesa e frymës së bashkëpunimit nga ana e opozitës. Duket sikur reforma në drejtësi po zhvillohet si një përplasje “territoriale” midis pozitës dhe opozitës. Gjithashtu, nuk është bërë sa duhet për të përfshirë aktorët e tjerë si shoqëria civile dhe ekspertët e paanshëm të ligjit që do t’i jepnin reformës më shumë përmbajtje dhe legjitimitet. Ka një perceptim që përfshirja e ekspertëve është e politizuar dhe aktiviteti i tyre nuk demonstron pavarësinë e kërkuar për një kontribut thelbësor.

Mazhoranca, opozita, por edhe ndërkombëtarët (ata që monitoruan Reformën në Drejtësi) sikur pak shqetësohen për mosfunksionimin e Gjykatës Kushtetuese e të Lartë. Sipas jush, Përse?

– Duke mos hyrë në ripërsëritje të dialogut të mëparshëm, mendoj se çdo reflektim i tanishëm është tepër i vonuar, ose ndodh si zhgënjim i një marrëdhënie apo dashurie të prishur me mazhorancën politike. Gjithsesi, më mirë vonë se sa kurrë, sot ndoshta mendojnë ndryshe nga më parë kur mbronin idenë se mosfunksionimi i Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë pastron rrugën për procesin e reformës në drejtësi. Kjo mënyrë, apo metodë ishte tërësisht e gabuar, sepse ekspozoi vendin para një rreziku edhe më të madh, që është prishja e sistemit “check & balance”, rritjen e arbitraritetit të ekzekutivit, rritjen e abuzimit prej tij në emër të interesit publik. Ndërkombëtarët sot ndoshta kanë kuptuar se arritjet nëpërmjet populizmit më shumë se sa nëpërmjet realizimit të përgjegjësive politike dhe ligjore është rruga më e gabuar, provokuar prej tyre dhe mbështetur nga mazhoranca e sotme.

– Ju mendoni se projektligji “Për Magjistraturës” është rrugëzgjidhja nga kolapsi i Drejtësisë?

– Krijimi shkollës së magjistraturës është një përvojë pozitive e krijimit dhe përmirësimit të drejtësisë dhe dhënies së të drejtës në vendin tonë. Vet shkolla është fryt i një bashkëpunimi shumë të mirë midis aktorëve vendas dhe atyre ndërkombëtarë, kur politika kishte vendosur ta linte rehat gjyqësorin. Në këtë kuptim, duhet pranuar se mbështetje e një nisme ligjore, që do të bëjë të mundur plotësimin e nevojave të sistemit të drejtësisë për burime njerëzore, si rezultat i vetingut është i domosdoshëm. Projektligji duhet të përmirësohet në mënyrë që të mos krijohet përshtypja, ndoshta me vend, se do të përdoret për vendosjen në sistemin e drejtësisë të njerëzve të një pale duke përjashtuar tjetrën. Në këtë kontekst, është e rëndësishme të theksohen kriteret profesionale nëpërmjet një procesi që minimizon sa më shumë që është e mundur subjektivizmin e aktorëve që bëjnë përzgjedhjen. Kam frikë se duke qenë si gjithmonë, që procesin e lëmë deri në rënkimin e fundit, mund ta prishim fare gjithë përvojën e magjistratëve të deritanishëm. Le të shërbejë kjo intervistë si paralajmërim për qëllime keqdashëse mbi funksionimin e shkollës së magjistraturës.

– Opozita e bëri të qartë: Nuk i jep konsensusin mazhorancës për projektligjet e Reformës në Drejtësi. Mazhoranca nuk pranon propozimet e Opozitës. Atëherë, si mundet të dilet nga kolapsi i Drejtësisë? 

– Projektligji nuk duhet të përfaqësojë, ose të krijojë perceptimin se përfaqëson, interesat e shumicës së sotme, por interesat e publikut. Për të mundësuar këtë, ai duhet të realizohet bazuar në një proces pjesëmarrës, në kuptimin e pjesëmarrjes si të opozitës, ashtu edhe të shoqërisë civile dhe të ekspertëve ligjorë të paanshëm në politikë. Ripërsëris, që asnjë projekt, apo draft nuk mund të ezaurohet dhe të jetë afatgjatë në se nuk është gjithëpërfshirës ose i imponuar, por kjo nuk do të thotë që drafti të jetë, apo shërbejë, si pazar politik midis palëve. Në se ndodh kjo e fundit, drejtësia do të humbas dhe pak çfarë ka arritur në këto vite.

– Zoti Hazizaj, ju si e gjykoni draftin e opozitës për vetingun në politikë?

– E lexova draftin e ndryshimeve kushtetuese të përgatitura nga opozita. Sqaroj se në vështrimin teknik dhe formal të ndërhyrjeve kushtetuese duket që janë të nxituara, nuk është gjetur vendi i duhur i ndërhyrjeve që duhen bërë si në hapësirë, por dhe në përmbajtje. Gjithashtu, sqaroj se ndonëse Kushtetuta sot e ka humbur karakterin thellësisht proporcional, nuk mendoj se duhet thelluar loja pa kufij e zgjerimit të saj, në të kundërt humanët që jetojnë në fise do ta lakmonin një ligj të tillë, i cili vetëm ligj nuk do të ishte. Ndaj, duke qenë konservator në këtë drejtim, mendoj se ka shumë ligje mbi të cilat mund të ndërhyhet për të parandaluar kompromentimin e politikës me krimin. Gjithashtu, konstatoj se Kuvendi i Shqipërisë shtyu dhe tre muaj afatin e komisionit të reformës zgjedhore, ekspertët e konfirmuar janë nga opozita, të cilët bashkë me Z. Bylykbashi e kanë eksperiencën që prej vitit 2003. Në këtë vështrim nuk është e vështirë që të draftojnë dhe garantojnë ndryshimet e duhura në hartimin e kufizimeve ligjore, sa i përket kandidimit për deputet dhe të zgjedhurve vendorë në Kodin Zgjedhor dhe në disa ligje të tjera. Gjithsesi, duke parë se mazhoranca e sotme e ka humbur davanë me krimin dhe krimi është bërë ortak me politikën, çdo nismë ligjore e opozitës duhet konsideruar si element shumë thelbësor për të shpëtuar njerëzit. Ndaj sot prevalon e drejta për të jetuar mbi të drejtën kushtetuese, arsye për të cilën duhet pranuar e keqja më e vogël, nga ajo më e madhe.

– Faleminderit!