Greva historike e Shkurtit ’91, Nishani dekoron studentët dhe pedagogët që morën pjesë

58
Më 20 shkurt 2017, me rastin e Ditës Kombëtare të Kujtesës së Martirëve dhe Viktimave të regjimit komunist, Presidenti i Republikës Bujar Nishani ka zhvilluar në Presidencë, ceremoninë e dekorimit të të gjithë studentëve dhe pedagogëve pjesëmarrës në Greven historike të Urisë së Universitetit të Tiranës, mbajtur më 18 – 20 shkurt 1991.

“Ju atëherë rrëzuat jo vetëm një figurë të urryer, por në radhë të parë rrëzuat kultin e individit, kultin fals, – tha Nishani. – Misioni juaj historik i asaj kohe ende nuk ka përfunduar. Ndaj ju ftoj dhe përmes jush, bashkëkohësit tuaj, miqtë tuaj, të mos i reshtni përpjekjet dhe punën, të mos i shmangeni përgjegjësisë historike dhe përgjegjshmërisë shoqërore që dikur e mbajtët me aq krenari dhe pa u lëkundur për asnjë çast – kur shpatullat tuaja ishin më të brishta – secili në fushën dhe mundësitë e tij duke e pasuruar më shumë atë vlerë të madhe që ju i dhatë vetes, i dhatë vendit, i dhatë shoqërisë dhe mundësisë së të ardhmes për Shqipërinë dhe shqiptarët por edhe për të bërë të mundur që Shqipëria jonë me mundësitë pasurore të dhuruara nga Zoti të mos vuajë nga padrejtësisë e zhvillimit ekonomik dhe social.”