Grabitja në Lezhë, PD: Shqiptarë, dilini zot vetes!

64
Deputeti i Partisë Demokratike Flamur Noka ka kritikuar ministrin e Brendshëm për situatën në vend. Referuar grabitjes së sotme në Lezhë, ku pronari mbeti i plagosur me armë pas përleshjes me autorët e krimit, Noka tha se akund nuk po duken gjurmë shteti, pasi është nënshtuar nga krimi.
“Me shumë dhimbje lexova lajmin e plagosjes nga grabitës të armatosur të një kryefamiljari në Rrilë të Lezhës, i cili megjithëse i pa armatosur po përpiqej të mbronte familjen e tij, pronën e tij dhe pasurinë e tij nga bandat e armatosura plaçkitëse që këto kohë janë bërë mëse normale. Çdo ditë lajme të tilla tronditëse. Po shteti ku është? A ka dëgjuar dikush që policia e Saje Qorrit ka kapur ndonjë bandë vjedhësish të armatosur? A është zbuluar ndonjë rast?
A i është kthyer pasuria e vjedhur ndonjë viktime të grabitjes? A ka ndonjë rast në këto tre vite që Policia ti ketë dalë zot viktimave, apo qytetarëve të thjeshtë? Policia ka bërë dhe po bën sehir për vjedhjet me dhunë edhe kur ato kanë përfunduar me plagosje për të vjedhurin apo edhe kur ka viktima të vrara nga grabitësit, siç ishin disa raste në Sarandë, Shkodër apo Lezhë.
Në Shqipëri po bëhet batërdia. Askund nuk duken gjurmë shteti. Shteti është nënshtruar nga krimi e madje është bërë njësh me krimin. Rama, Saje Qorri e drejtuesit e policisë kanë hallin e drogës, të korrjes së saj, të ndarjes së sasive reciproke mes tyre. Kanë halle koncensionesh se si t’ju vjedhin gjithçka, vetem jo me maska si ata që ju vijnë natën por ditën në pikë të diellit, pa maska por me kollare.
Dmth ju shqiptarë për fatin tuaj të keq jeni sanduiç. Ditën ju vjedh Rama e kompani pa maska e natën ju vjedhin bandat me maska. Çfarë ngelet tani kur shteti është dorëzuar? Qytetarët duhet ti dalin zot vetes. Duhet të gjejnë zgjidhje, të mbrojnë jetët e tyre e të familjarëve të tyre. Mbrojtja e pronës në këto kushte në Shqipëri është dytësore. Jeta është parësore. Shqiptarë, dilni zot vetes. Mbroni veten se nuk po ju mbron askush!!”, tha Noka.