Gjiknuri zhduk dosjen e firmës “San Leon B.V.”, që po grabit naftën në detin e Durrësit

606
Transparenca ka një parim moral e ligjor, sidomos në punën e një shtetari, i cili në zbatim të detyrës së ngarkuar e të pranuar, ose ka vendosur të zbatojë ligjin, ose ta shkel atë. Në qëndrimin e një ministri, shkelje ligji me dashje për firma e vula që lidhen me probleme në sektorë strategjikë të ekonomisë kombëtare, do të thotë pazar. 
Këtë pazar e ka bërë dhe Ministri i Energjisë Damian Gjiknuri, me kontratën kocensionare, të lejes dhënë një kompania private, për shpim, kërkim e nxjerrje të naftës në detin e Durrësit dhe tregtim të saj… ku të dëshiroj! Është fjala për kontratën antikushtetuese, të lidhur mes Ministrisë së Energjisë e Industrisë dhe Kompanisë “San Leon Durrësi B.V.”, licensuar në mënyrë të mistershme për aktivitet kërkimi dhe nxjerrje hidrokarburesh për bllokun “Durrësi” (në det) (kryesisht naftë). 
Kjo kontratë është nënshkruar në datën 16. 07. 2013, mbështetur në VKM Nr. 588, datë 30. 05. 2013, firmosur nga ish-ministri Florion Mima në emër të qeverisë shqiptare dhe nga Ervin Lula, në emër të kompanisë së huaj “SAN LEON DURRËSI B.V.”.
Një informacion në redaksi: Kontrata e paligjshme, me bazë vjedhjen
Lidhur me aktivitetin e kësaj firme, në gazeta “Telegraf” erdhi një informacion (denoncim) nga një grup specialistësh të sektorit të industrisë së hidrokarbureve nënujore, ku flitej se Ministri i Energjisë Damian Gjiknuri, në mënyrë të paligjshme, po lejon vazhdimin e zbatimit të kësaj kontrate kërkimesh në detin e Durrësit, që në fakt është një grabitje e hapur mafioze e pasurive hidrokarbure nënujore në hapësirën detare shqiptare të Durrësit. 
Specialistët i kanë kërkuar Ministrit Gjiknuri, që të anulojë këtë kontratë, për të cilën, Gjiknuri ka deklaruar në tetor 2013, se “do ta zhbënte si kontratë mafioze e anti-kushtetuese, që po zhvat pasuritë kombëtare me koncension kriminal”. 
Specialistët thonë se kompania e huaj “SAN LEON DURRËSI B.V.” është një emër fals dhe me këtë emër, me firmë e vulë të Ministrisë së Energjisë, që prej 16 korrikut 2013 po ushtron aktivitet kërkimi e prodhimi hidrokarburesh me bazë naftën, duke shërbyer si një “mbulesë” e veprimtarisë mafioze të kompanisë së përbashkët “Island International Exploration B.V. dhe Beach Energy Limited”, e cila pas pazarit me ish-qeverinë “Berisha” 20 ditë pas rënies nga pushteti, kanë bërë sikur kanë hequr dorë nga ky koncesion hidrokarburesh në detin e Durrësit dhe ia kanë kaluar licensën kompanisë “SAN LEON DURRËSI B.V.” e cila në fakt nuk është firmë tjetër por filial “bijë” e kompanisë “Island International Exploration B.V. dhe Beach Energy Limited”. Ministri Gjiknuri, nuk ka nisur asnjë proces verfikimi të dosjes së këtij koncesnioni, duke lënë atë të veprojë lirshëm, sipas kontratës anti-ligjore që i ka nënshkruar ish-qeveria. 
Sipas burimeve tona, Ministri Gjiknuri, jo vetëm nuk e ndal këtë koncesnion, por ka urdhëruar që kompanisë “SAN LEON DURRËSI B.V.”, t’i rinovohet kontrata formalisht, duke ia paraqitur Kryeministrit Rama, si “një koncension të suksesshëm e ligjor, korrekt me detyrimet ndaj shtetit në çdo drejtim”. 
Në fakt nëse hapet dosja e këtij koncesnioni që nga tatimet, doganat e deri nënkontraktorët, rezulton se është një aktivitet problematik. Troç, ky koncesnion është një dosja mafioze koncesionare e naftës së detit të Durrësit, “gatuar” nga Genc Ruli në vitin 2004, mbrojtur dhe ricikluar nga Edmond Haxhinasto në vitin 2012, që pas shtataorit 2013, ka “futur në thes” edhe ministrin e “Rilindjes” Damian Gjiknuri.
Dosja “SAN LEON DURRËSI B.V.” u zhduk në qershor 2014, me “porosi” të Gjiknurit
Pas informacionit, u interesuam në Ministrinë e Energjisë dhe kërkuam kontratën e lidhur në datën 16 korrik 2013, mes qeverisë shqiptare dhe firmës “SAN LEON DURRËSI B.V.”, por kontrata nuk gjendej në dosjet koncensionare të kësaj ministrie! Burime konfidenciale të kësaj ministrie, na konfirmuan se kontrata ka dalë nga arkiva me urdhër të Ministrit Gjiknuri, qysh në mesin e muajit qershor 2014 dhe nuk është kthyer më në “fond”. 
Dosja e kësaj “kontrate mister” është tërhequr nga arkiva e ministrisë pa urdhër shkresor dhe pa procesverbal, siç vepron në shumë raste Ministri Gjiknuri edhe me dosje të tjera koncesionare të nivelit “VIP”. Kjo kontratë, ka qenë në arkivën e ministrisë, qysh kur është hartuar e firmosur mes ministrisë dhe firmës “Island International Exploration B.V. dhe Beach Energy Limited” në datën 27 maj 2004 dhe deri në qershor 2014, kur u tërhoq me “porosi” të Ministrit Gjiknuri dhe nuk po kthehet më në arkiv. Në vijim të investigimit tonë, mësuam se dosja u zhduk pas një interesimi të prokurorisë, për të “verifikuar” dosjen koncensionare të naftës së detit të Durrësit me emrin ”Koncensioni SAN LEON DURRËSI B.V.”, interesim ky, nisur prej një hetimi përkatës, me indicie denoncimet që ishin dërguar në organin e akuzës. Ne u interesuam edhe në në AKB (Agjencia e Burimeve Natyrore), por aty na njohën me ligjin: 
Kontratat publikohen, ose jepen për trajtim vetëm prej ministrisë, me urdhër të titullarit të ministrisë”. AKBN ishte në rregull me ligjin. Atje ku lejon ligji, në ministri kërkuam dosjen e kësaj kontrate dhe nuk e gjetëm, mbasi është zhdukur nga arkiva. Gjithsesi, gazeta “Telegraf” në kontakt me ekspertë të fushës dhe nëpunës të kësaj ministrie, gjeti një “burim” të saktë e konkret, për t’u njohur me pjesë të kontratës koncensionare që po lejon firmën e përdorur si dekor “SAN LEON DURRËSI B.V.”, të vazhdojë aktivitetin për llogari të kompanisë reale mafioze, që po zhvat pasuritë hidrokarbure nënujore në detin e Durrësit, qysh prej 11 vitesh (që prej datës 27 maj 2004). Sa për kujtesë, nuk është kjo e vetmja kontratë koncensionare e zhdukur në ministrinë “Gjiknuri”.
Ja çfarë thotë kontrata misterioze e zhdukur nga Gjiknuri
Kontrata e re koncensionare, lidhur mes Ministrisë së Energjisë dhe kompanisë “SAN LEON DURRËSI B.V.”, në datën 16. 07. 2013, me VKM Nr. 588, datë 30. 05. 2013, ndryshoi kushtet e kontratës që kishte lidhur me kompaninë “Island International Exploration B.V.&Beach Energy Limited” më 27 maj 2004, për kërkim-nxjerrje hidrokarbure në detin e Durrësit. 
Kontrata e re vitit 2013, parashikon një “shtesë të dytë“ për përcaktim të drejtash të rritjes së përqindjes së fitimit për kompaninë dhe transaksione të lira me interesat e koncensionit. Çfarë ka ndodhur me VKM e dytë? Përse është zhdukur kontrata nga ministria? Cili është roli që po luan Ministri Gjiknuri? Pse pas 9 vitesh aktivitet të “suksesshëm” u tërhoq firma “Island International Exploration B.V.”&Beach Energy Limited”? 
Si dhe përse u shfaq brenda ditës firma “SAN LEON DURRËSI B.V.” si zvendëuese e firmës “Island International Exploration B.V”&”Beach Energy Limited” dhe kush ia ricikloi, aktivitetin antiligjor të koncesnionit të hidrokarbureve në detin e Durrësit? Pa bërë komente, po flasim me faktet që kanë folur shkresat e ministrisë: Në datën 27 maj 2004 është lidhur kontrata koncensionare me ndarje prodhimi mes qeverisë shqiptare dhe kontraktorit “Adriatic Sea Exploration GmbH&Lundin Netherlands BV”, miratuar me VKM Nr. 562, datë 27 gusht 2004, kontratë e cila ka hyrë në fuqi brenda ditës, po më 27 gusht 2004. Ajo që bie në sy është sheklja, që në kontrata të tilla koncensioanre, del filimisht VKM, pastaj lidhet kontrata, ndërsa në rastin konkret është lidhur kontrata, pastaj ka dalë VKM! 
Vazhdojmë më tej. Pas 6 vitesh, konkretisht në datën 7 shtator 2010, në vijim të kësaj kontrate është lidhur marrëveshja shtesë ndërmjet Ministrisë së Energjisë dhe kontraktorit “Island International Exploration B.V. dhe Beach Energy Limited”, por pasi kjo kompani që ka ndryshuar KNP-në. Këtë ndryshim ia ka miratuar brenda ditës qeveria shqiptare, me VKM Nr. 42, datë 12 janar 2011, duke nisur zbatimi më 31 janar 2011. Këtu ka nisur dhe pazari. 
Në datën 27 maj 2004, ditën e nënshkrimit të kontratës mes palëve, me urdhër të ministrisë, AKBN ka bërë një letër me Nr. prot. 596, me të cilën miraton transferimin e 50% të interesave të fitimit në bllokun e kërkim-nxjerrjes në detin e Durrësit, nga OMV-ja (shqiptare) “Adriatic Sea Exploration GmbH”, tek kompania “Island Rockall JV Limited”. Ky njoftim transferimi zyrtar e faktik është bërë në datën 28 shtator 2007. 
Skandali vazhdon me faktin e pranuar e të lejuar me akt zyrtar (VKM) edhe nga qeveria shqiptare, që pas 33 ditësh, të transferimit të 50% interesave shqiptare tek kompania e huaj, konkretisht në 31 tetor 2007, kompania përfituese “Island Rockall JV Limited”, i transefron këto interesa tek kompania “Island International Exploration BV”. Dhe loja ka vazhduar. Kompania që iu transferuan interesat “Island International Exploration BV” në datën 31 tetor 2007, po brenda datës 31 tetor 2007, i transferon 50% interesat te kompania “Lundin Netherland BV” dhe kjo përsëri i transferon po brenda ditës tek kompania që ia transferoi, tek “Island International Exploration BV”. Dhe loja vazhdon. 
Me një letër miratimi, datë 11 mars 2008, Nr. prot. 525, me urdhër të ministrit Genc Ruli, AKBN lejon transferimin e 25% të interesave hidrokarubure në bllokun e detit të Durrësit nga kompania “Island International Exploration BV”. (Aktualisht firma “San Leon Durrësi B.V.”), por me qëllim, që ky transferim 25% interesa, të realizohej në datën 13 shtator 2011 te kompania “Beach Petroleum Limited” e cila sipas njoftimit të datës 11 janar 2010, do të ndryshonte emrin në “Beach Energy Limited”. 
Dhe loja vazhdon. Në datën 16 shkurt 2012, në urdhërin Nr. prot. 1150, ministria miraton transferimin e 25% të interesave në bllokun e Durrësit (në det) nga “Beach Energy Limited te San Leon”, tek “San Leon Durrësi B.V.”. 
E gjithë kjo seri transferimi misterizo – interesash brenda një kompanie me emra të ndryshuar është justfikuar nga qeveria shqiptare, në argumentet e VKM Nr. 588, datë 30. 05. 2013, me shpjegimin: “Kontraktori ka të drejtën ekskluzive të kryejë operacione hidrokarbure në Zonën e Kontratës”. Por VKM, nuk ka përfillur faktin, që sipas Nenit 31.10 të kontratës koncencionare, që përcakton: “Asnjë ndryshim i përcaktimeve të kontratës nuk do të jetë efektiv, nëse nuk përmbushet afati kontratës, që në këtë rast është 35 vjet”.
Ja ndryshimet mafioze të kontratës së zhdukur, që Gjiknuri nuk e shfuqizoi
Po citojmë pa asnjë ndryshim, pjesën e marrëveshjes, për ndryshimin paligjshmëm të kontratës, bërë në datën 16.07.2013 prej Ministrisë së Energjisë, në favor të firmës “SAN LEON DURRËSI B.V.”:
“….duke marrë parasysh kushtet paraprake dhe marrëveshjet reciproke, palët bien dakord për të ndryshuar disa nga dispozitat e parashikuara në KNP (kontrata) për kërkimin dhe prodhimin e naftës në bllokun e “Durrësit” (në det) në Republikën e Shqipërisë.
1. Në Nenin 1, përkufizimi “Kontraktor” i parashikuar në paragrafin 1.18, zëvendësohet me përkufizimin në vijim: “Kontraktor” do të thotë “San Leon” së bashku me pasardhësit e tij ose përfituesit e interesave përkatëse, të miratuar në përputhje me nenin 21”.
2. Përkufizimi “Periudha e Dytë e Kërkimeve” e parashikuar në paragrafin 1.48, zëvendësohet me përkufizimin në vijim: “Periudha e Dytë e Kërkimeve”, do të thotë një periudhë prej 2 (dy) vitesh kontratore nga data e hyrjes në fuqi të marrëveshjes së dytë, së bashku me çdo zgjatje afati të kësaj periudhe, sikurse parashikuar në këtë kontratë.”
3. Përkufizimi “Periudha e Tretë e Kërkimeve” e parashikuar në nenin 1.49, shfuqizohet.
4. Në Nenin 2, paragrafi 2.9 zëvendësohet me paragrafin në vijim: “Interesat pjesëmarrëse të shoqërive janë si më poshtë: San Leon Durrësi B.V. 100%.”.
5. Në Nenin 3, shtohet paragrafi 3.9 në vijim: “Palët bien dakord që periudha midis 30 janarit 2012 dhe datës së hyrjes në fuqi të marrëveshjes së dytë, do të konsiderohet si “Periudhë Pezullimi” dhe të gjitha detyrimet e parashikuara nga kontrata e ndryshuar me marrëveshje, për këtë periudhë, konsiderohen të pezulluara.”
6. Në Nenin 5, paragrafi 5.2.2, zëvendësohet me paragrafin në vijim: “San Leon Durrësi B.V.” përcaktohet si operator.”.
7. Në Nenin 7, pika 6.7 (ii) e kontratës, zëvendësohet me paragrafin në vijim: “Periudha e Dytë e Kërkimit: shpim i 2 (dy) puseve”. Paragrafi 6.7 (iii) i kontratës shfuqizohet. 
Sigal